MB kallëzon ish drejtorin e Emergjencave Civile, Alfred Olli

849
Sigal

TIRANE –Ministria e Brendshme kallëzon ish-drejtorin e Emergjencave Civile, Alfred Olli për shpërdorim detyre si dhe 3 ish-zyrtarë e zyrtarë të tjerë.
 
Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, për shtetasit:
 

  1. Alfred Olli, ish-drejtor i Përgjithshëm i Emergjencave Civile;
  2. Maksimiljan Dhima, drejtor i Drejtorisë së Planifikimit dhe Koordinimit në DPEC;
  3. Arben Qesaraj, specialist në Drejtorinë e Planifikimit dhe Koordinimit në DPEC;
  4. Adem Kapo, ish-specialist në  Drejtorinë e Planifikimit dhe Koordinimit në DPEC;

 
Në përfundim të auditim të kryer nga Drejtoria e Auditit në Ministrinë e Punëve të Brendshme janë vërejtur një sërë shkeljesh, për të cilat personat e lartpërmendur janë përgjegjës. Në kundërshtim me legjislacionin në fuqi për Emergjencat Civile:
 

  1. Janë dhënë fonde për pesë persona me aktivitet tregtar në shumën 1,000,000 lekë. Përveç vlerës së dëmit ekonomik në shumën e mësipërme, është krijuar mundësia e dëmit ekonomik për detyrimin e buxhetit të shtetit edhe ndaj 31 personave me aktivitet tregtar privat në shumën 143 902 657 lekë.
  2. Janë akorduar fonde në shumën 58 000.000 lekë, për emergjencën e krijuar nga rreshjet e dëborës, pa dokumentacion justifikues.
  3. Janë dhënë fonde për emergjencë, në kundërshtim me VKM nr.80 datë 12.02.2012 për 11 njësi të qeverisjes vendore në shumën 3 000 000 lekë.
  4. Janë akorduar fonde për ndihmë në katër raste për shumën 600.000 lekë, pa asnjë dokumentacion.
  5. Nuk është kryer kontrolli dhe dokumentimi i përdorimit të fondeve të akorduara për emergjencat civile per vitet 2012-2013.
  6. Për mallrat që ka përfituar MB nga projekti “Përballimi dhe zbutja e rreziqeve nga fatkeqësitë”, është vepruar në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore për administrimin e aseteve. Mungojnë dy mjete motorike (skafe) me vlerë 1 168 494 lekë.

 
Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë kallëzim penal për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, edhe për shtetasen Drita Avdyli, ish-drejtoreshë e  Drejtorisë së Shtetësisë dhe Refugjatëve në MPB.

Nga auditi i kryer ka rezultuar se Avdyli është përgjegjëse për shpërdorim detyre, në procedurat për fitimin, rifitimin dhe heqjen dorë nga shtetësia shqiptare si dhe keqmenaxhimin e aktiveve, me pasoja financiare në buxhetin e shtetit në vlerën 245 125 lekë.