Mazniku: “Vizioni ynë për ta kthyer qytetin të jetueshëm në secilën prej hapësirave të tij”

50
Bashkia e Tiranës zëvendëson pemët e dëmtuara në Parkun e Madh të Liqenit
Pemët e dëmtuara të Parkut të Madh të Liqenit po zëvendësohen me pemë të reja, duke zgjeruar sipërfaqen e gjelbëruar. Bashkia e Tiranës, Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit dhe një grup vullnetarësh nga EcoVolis, morën pjesë në mbjelljen e fidanëve të rinj në Parkun e Liqenit. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, theksoi se parku është një hapësirë shumë e rëndësishme për qytetin, i cili ndikon rrënjësisht në cilësinë e jetës së qytetarëve, ndaj edhe zëvendësimi i pemëve të dëmtuara me fidanë të rinj është domosdoshmëri.
“Jemi duke pyllëzuar një pjesë të parkut të liqenit, e cila ka qenë me pemë të dëmtuara dhe mbushjet e tilla kanë vijuar gjatë gjithë kësaj kohe, do të vijojnë në të gjithë hapësirën e parkut për ta pyllëzuar thellësisht. Ne duam ta kthejmë atë në një hapësirë të gjallë në secilën prej pjesëve të tij, bashkë me investimet e tjera në park, shtimin e rrugëve për këmbësorët, shtimin e një korsie për biçikletat dhe shtimin e një korsie të mirëfilltë për vrapin”, u shpreh Mazniku.
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës tha se Parku i Madh i Liqenit do të ketë të gjithë vëmendjen e duhur për të qenë një hapësirë ku gjithkush mund të kalojë disa orë në ajër të pastër. “Është një hapësirë që duhet të ketë mundësi të jetohet dhe pjesë e të qënurit e jetueshme do të thotë që njerëzit të mund të ulen në stola, të bëjnë vrap në një pistë të mirëfilltë vrapi, të kenë mundësi të ecin, si dhe të lëvizin me biçikletë në park, në një rrugë të re të posaçme që bëhet vetëm për ta”, tha ai. Nënkryetari Mazniku garantoi se në çdo investim publik të Bashkisë së Tiranës është punuar për mbjelljen e pemëve të reja dhe shtimin e hapësirave të gjelbra.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, Blendi Gonxhe, falenderoi bashkinë për mbështetjen e jashtëzakonshme për nismat e ndërmarra, jo vetëm për krijimin e parqeve të reja, por edhe gjelbërimit në të gjithë qytetin. Gonxhe vlerësoi nismën e bashkisë që të ardhurat e siguruara nga parkimi me pagesë, të shkojnë për mbjelljen e pemëve të reja. “Kemi kompletuar parkun e madh me pemë cilësore në vendet ku ka pasur mungesa. Paratë për pemët vijnë nga pagesat e qytetarëve të Tiranës për parkimet. Kjo kosto kthehet në ndihmë për parkun, për gjelbërimin, për qytetin, për t’i kthyer mbrapsht qytetit atë ajër që, ndoshta deri sot, ishte marrë dhe që vijojmë t’ia marrim nëpërmjet konsumimit të tepërt të makinës dhe të automjeteve”, u shpreh Gonxhe. 
Ndërsa, përfaqësuesi i grupit të vullnetarëve të EcoVolis, Ened Mato vlerësoi se Parku i Liqenit po shndërrohet në një nga hapësirat më të bukura në Tiranë. “Në fillim, kur u vendosëm këtu, qoftë me “Librarinë”, qoftë me aksionet e mbjelljeve, nuk e besonim as vetë se ky do bëhej parku më i bukur në botë. Por me ç’po shohim përditë, falë edhe punës së bashkisë dhe APR-së, ky po bëhet parku më i bukur në Shqipëri. Ky është një frymëzim për të gjithë, jo vetëm për Tiranën, por edhe për qytete të tjera që të investohen në mbjellje pemësh, në stil jete kaq të shëndetshëm për të cilat sot më shumë se kurrë kemi nevojë”, tha Mato.