Maturantët nesër test për gjuhën e huaj, ja kur përjashtohen

644
Nesër, në të gjithë vendin do të zhvillohet provimi i parë i Maturës Shtetërore, 2015-2016, ai i gjuhës së huaj.  Pjesëmarrja e maturantëve për provimin e parë, atë të gjuhës së huaj i cili do të jetë i nivelit B1, është 39 246 maturantë 2015-2016 dhe 1146 maturantë të mbartur, në total 40 392 pjesëmarrës.
Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj deklaroi sot në një konferencë për shtyp se Ministria e Arsimit dhe Sportit, si edhe në vazhdën e të gjithë viteve të Maturës Shtetërore, do të realizojë një monitorim rigoroz për procesin e MSh, pasi këtë vit, çdo notë që del nga provimet e Maturës Shtetërore, ka një vlerë shumë të madhe në notën mesatare të maturantëve.
“Niveli i standardit të testit, niveli i procesit të provimit, zbatimi i Rregullores së Maturës dhe monitorimi nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, do të jetë i një niveli të tillë që të garantojë cilësi, standard dhe garë të ndershme për të marrë maksimumin e këtij procesi. 
Ministria e Arsimit do të jetë prezente në 207 qendra provimi, do të jetë prezente në të gjithë procesin e monitorimit, që nga momenti i dorëzimit të kutive deri te pjesa e hedhjes së shortit të administratorit, e në mbylljen e provimeve të Maturës Shtetërore”, tha zëvendësministrja Malaj.
Drejtoria e Policisë së Shtetit, do të garantojë standardin e gjithë procesit, në të gjitha qendrat e provimeve në vend. Kurse Posta Shqiptare do të garantojë transportimin e materialeve të provimit, në të gjitha drejtoritë dhe zyrat arsimore. 
Datat e provimeve të Maturës Shtetërore janë si më poshtë:
a) Gjuhë e huaj, 04 qershor 2016
b) Gjuhë shqipe dhe letërsi, 11 qershor 2016
c) Matematikë, 17 qershor 2016
d) Provime me zgjedhje, 24 qershor 2016
Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, bëri publike ‘Kujtesën për maturantët/kandidatët’ Maturanti paraqitet në qendrën e provimit 1 ore e 30 minuta përpara fillimit te provimit. Maturanti duhet të ketë me vete vetëm dokumentin e identifikimit dhe stilolaps. Maturanti plotëson testin vetëm me stilolaps me ngjyrë të zezë ose blu dhe ne pyetjet me alternativa rrethon vetëm alternativen e saktë.
Maturanti përjashtohet automatikisht nga provimi nëse mban me vete celular apo çdo mjet tjetër komunikimi në mjediset e provimit. Maturanti nuk duhet të dëmtoje kodin e sekretimit të testit, apo të vendos mbi te shenja të dallueshme dhe te veçanta.
Maturanteve me aftësi te kufizuara do t’ju krijohen kushtet e përshtatshme për zhvillimin e provimit. Maturantët që dorëzojnë testin përpara kohës se mbarimit te provimit, nuk largohen nga qendra e provimit.
Maturanti nuk mund të:
ndryshojë vendin e caktuar;
komunikojë apo të japë informacion me maturantet e tjerë;
refuzojë kontrollin nga ana e administratoreve.
Provimi do të fillojë në orën 10.00 dhe do të zgjasë 2 orë e 30 minuta.
Sigal