Maturantët me mesatare të ulët, ja mundësitë e aplikimit

292
Në dispozicion të nxënësve më të dobët gjatë shkollës së mesme mbeten 21 programe studimi

Një maturant që ka mesataren nën 6 nuk do të thotë që nuk mund të aplikojë për studime të larta apo të mos punojë në sistemin e drejtësisë. Nëse nuk bëhet avokat, ka programe studimi që të përgatisin për t’u bërë ndihmës i tij. Në portalin e Maturës Shtetërore mund të aplikojnë të gjithë maturantë, por në varësi të mesatares portali bën diferencime. “Nën 6 po, aplikojnë, por atyre u shfaqen vetëm 21 programe studimi që janë programe dyvjeçare. Disa janë interesante si asistent ligjor, administrativ, stomatolog. Normalisht Shqipëria ka nevojë dhe për asistentë, jo vetëm për lider në çdo zyrë”, tha për mediat Arben Fagu, drejtor i bazës së të dhënave dhe sistemit në Qendrën e Shërbimeve Arsimore (QSHA). Aplikimet e maturantëve vijuan dhe sipas kalendarit gjatë ditës së djeshme aplikuan maturantët e Elbasanit , Korçës dhe Pogradecit, ku procesi ka ecur mirë ndryshe nga dita e shtunë, ku për shkak të fluksit të aplikimeve u bllokuan serverat. Por pavarësisht kësaj, Fagu garanton se nuk do të mbetet asnjë maturant pa aplikuar. “Janë parashikuar dy ditë, për rastin konkret datat 28 dhe 29 korrik pikërisht janë për këta maturantë, që mundet për një arsye apo një tjetër nuk kanë arritur të aplikojnë. Parimi ynë është që çdo maturant të aplikojë. Parimi ynë është që çdo maturant të aplikojë dhe nëse do duhet të shtyhet një ditë dhe një ditë tjetër ne e shtyjmë. Të rrinë të gjithë të qetë, askush nuk do të përjashtohet nga e drejta për të përzgjedhur 10 programe studimi për institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri ”, thotë ai. Më 28 gusht dalin rezultatet e raundit të parë dhe në 29 nisin regjistrimet në universitete. Në datat 29-30 gusht, çdo maturant ka të drejtë për t’u ankuar. Sipas kalendarit të shpallur, nga data 29 gusht deri më 11 shtator bëhen regjistrimet për ata që janë shpallur fitues. Kjo periudhë është e ndarë në 7 faza 48-orëshe. Kandidatët mund të shpallen fitues në një ose më shumë programe studimi. Një kandidat, nëse shpallet fitues dhe do të regjistrohet, ai duhet të paraqitet pranë universitetit me dokumentacionin brenda afatit 48 orësh. Ky kandidat, nëse nuk regjistrohet, e humbet të drejtën e regjistrimit në atë program studimi ku ishte shpallur fitues. “Nëse ka ende kuota të paplotësuara, vija e kuqe ulet dhe maturantët fitues do të mund të regjistrohen në fazat pasardhëse”, përcaktohet në rregulloret e Ministrisë së Arsimit. Maturanti ka të drejtë të çregjistrohet vetëm më datë 12 shtator, duke tërhequr edhe dokumentacionin përkatës.