Matura Shtetërore, rregullat e organizimit dhe zhvillimit të provimeve

2261
Ministria e Arsimit vendos që do të ketë vetëm një provim me zgjedhje. Lista e lëndëve dhe si veprohet me kandidatët e viteve 2013-2018
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla, ka miratuar rregulloren për organizimin dhe zhvillimin e provimeve kombëtare të Maturës Shtetërore 2019. Në këtë udhëzim përcaktohet se do të ketë vetëm një provim me zgjedhje, ndërsa provime të detyruara do të jenë gjuhë shqipe dhe letërsi, si dhe matematikë e gjuhë e huaj.

Udhëzimi
1 – Lëndët e provimeve të Maturës Shtetërore 2019 për shkollat e arsimit të mesëm të lartë të jenë:
a) Provime të detyruara: gjuhë shqipe dhe letërsi; matematikë dhe gjuhë e huaj;

b) Një provim me zgjedhje.
1.1 Testi i gjuhës së huaj (D3) hartohet në përputhje me gjuhën, e cila, në planin mësimor të arsimit të mesëm të lartë, trajtohet si gjuhë e huaj e parë. Testi i provimit të jetë në nivelin gjuhësor që përcaktohet në kurrikul në përfundim të arsimit të mesëm të lartë.
1.2 Gjuha e huaj, si provim i detyruar, përzgjidhet gjatë plotësimit të formularit A1/A1Z. Kandidatët e viteve të kaluara (të maturave shtetërore 2014, 2015, 2016, 2017 dhe 2018) që kanë rezultuar jokalues në provimin D3, duhet ta rijapin këtë provim. Kandidatët e tjerë (të maturave shtetërore para vitit 2014) që aplikojnë me A1Z, nuk do ta japin provimin e detyruar D3.
2. Provimi me zgjedhje

2.1 Lista e lëndëve të provimit me zgjedhje të jetë:
1 – Kimi
2 – Fizikë
3 – Biologji
4 – Histori
5 – Gjeografi
6 – Qytetari dhe psikologji
7 – Filozofi dhe sociologji
8 – Ekonomi

2.2 Provimet e detyruara të mbështeten vetëm në kurrikulën bërthamë. Programet orientuese të provimeve të detyruara (gjuhë shqipe dhe letërsi, matematikë, gjuhë e huaj e parë) për të gjithë maturantët/kandidatët të jenë në përshtatje me programet ekzistuese të arsimit të mesëm të lartë.
2.3 Programet orientuese të lëndëve me zgjedhje janë të njëjta për të gjithë maturantët/kandidatët që plotësojnë formularin A1/A1Z.
2.4 Programi orientues i lëndëve me zgjedhje përmban programin e lëndës bërthamë dhe atë me zgjedhje.
2.5 Maturanti/kandidati zgjedh një lëndë nga lista e lëndëve me zgjedhje, pavarësisht nëse e ka zhvilluar ose jo apo i është ofruar ose jo ajo lëndë nga shkolla.
3 – Kandidatit që ka dhënë dy ose më shumë provime me zgjedhje dhe është vlerësuar me notë të përshkallëzuar jo më të vogël se 4.50 (nota 5), i njihen ato provime dhe nuk mund t’i japë më.
4 – Kandidati, i cili rezulton mbetës në të paktën njërin prej provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore, duhet ta rijapë atë që të pajiset me diplomë.
5 – Kandidatët që, në maturat shtetërore 2013– 2018, kanë zgjedhur për të dhënë 2 provime me zgjedhje dhe:
a) kanë mbetur në të dy provimet, të japin vetëm një lëndë nga lista e lëndëve me zgjedhje të këtij udhëzimi;
b) rezultojnë kalues në një prej tyre, të pajisen me diplomën e maturës.
6 – Kandidatët që në Maturën Shtetërore 2012 kanë zgjedhur për të dhënë 3 provime me zgjedhje dhe:
a) kanë mbetur në dy ose në tri provime, të japin vetëm një lëndë nga lista e lëndëve me zgjedhje të këtij udhëzimi;
b) rezultojnë kalues në dy prej tyre, të pajisen me diplomën e maturës.
7 – Kandidatët të cilët kanë marrë dëftesë pjekurie para vitit 2011 dhe dëshirojnë të aplikojnë për studime në institucionet e arsimit të lartë, t’u njihen provimet e detyruara dhe me zgjedhje ose provimet e njëvlershme me to, të njësuara nga njësitë arsimore vendore. Këta kandidatë, në rastet kur nuk kanë dhënë provime me zgjedhje ose i kanë dhënë dhe nuk kanë rezultuar kalues, kanë të drejtë të japin një provim me zgjedhje kur e kanë të nevojshme për plotësimin e kritereve të pranimit të përcaktuara nga institucionet e arsimit të lartë.
Sigal