Matrapazët e pronave në Elbasan dhe Gjirokastër shkojnë para drejtësisë

532
Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë një kontrolli në ALUIZNI Elbasan, për periudhën 2012-2015 ka konstatuar një sërë shkeljesh, ndër të cilat më kryesoret janë:
– Të meta e mangësi në zbatimin e procedurave ligjore në mbledhjen, përpunimin dhe administrimin e të dhënave për ndërtimet pa leje, në përgatitjen e dokumentacionit për kualifikimin dhe certifikimin e objektit informal (leje legalizimi), shqyrtimin dhe miratimin e kërkesave për objektet informale, si dhe në përgatitjen dhe dërgimin e dokumentacionit për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore të objekteve informale nga Shteti tek poseduesi i ndërtimit pa leje, në kundërshtim me ligjin nr. 9482, datë 03. 4. 2006. 

– Lejim të parregullsive në plotësimin e dosjeve, duke legalizuar objekte në kundërshtim me ligjin në 7 raste, në Bashkinë Belsh janë kryer legalizime të objekteve informale në kufirin mbrojtës të liqenit në pronën me status juridik të pasurisë “liqen”, në kundërshtim me pikën 5 e nenit 2 dhe nenin 3, të ligjit nr. 8093, datë 21. 03. 1996 “Për rezervat ujore”, i ndryshuar dhe pika 2 e paragrafit 3/iii, të VKM, nr. 438, datë 28. 06. 2006. 
– Në 16 praktika, llogaritja e vlerës së parcelës ndërtimore është bërë në referencë të VKM, nr. 187, datë 06. 03. 2013 “Për miratimin e vlerës së pronës për secilin qark të RSH”, duke përcaktuar çmim/m2 sipas zonave kadastrale, veprim në kundërshtim me VKM, nr. 1620, datë 26. 11. 2006 “Për miratimin e çmimit të trojeve që ndodhen në të gjithë Bashkitë dhe disa Komuna”, si dhe janë evidentuar praktika ku vlera e parcelës ndërtimore nuk është llogaritur, duke i shkaktuar një dëm ekonomik Buxhetit të Shtetit në vlerën 4, 282, 918 lekë. 
KLSH akuzon 2 drejtorë dhe 6 zyrtarë në Gjirokastër
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka audituar ALUIZNI-n Gjirokastër për periudhën janar 2013 – tetor 2015. Nga ky auditim, u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, ndër të cilat më kryesoret janë:

– Shkelje, të meta e mangësi, në zbatimin e procedurave ligjore në mbledhjen, përpunimin dhe administrimin e të dhënave për ndërtimet pa leje, në përgatitjen e dokumentacionit për kualifikimin dhe certifikimin e objektit informal (leje legalizimi). 

– Lejim të parregullsive në plotësimin e dosjeve, duke legalizuar objekte në kundërshtim me ligjin në 4 raste, objektet informale janë pozicionuar brenda zonës së lirë (tampon), të përcaktuar sipas hartës së zonifikimit qytet-muze të Gjirokastrës. 

Në 9 raste, objektet informale janë legalizuar në pronat e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Në 1 rast, nuk janë zbatuar të gjitha procedurat përkatëse ligjore në legalizimin e objektit informal, duke legalizuar objektin informal, pronësia mbi të cilin ka qenë në proces gjyqësor të papërfunduar. Në 11 praktika, tarifa e parcelës ndërtimore nuk është llogaritur në zbatim të nenit 20, të ligjit nr. 9482 datë 03. 04. 2006. Në 142 praktika, KLSH ka konstatuar se për poseduesit e objekteve informale, të cilët janë pajisur me leje legalizimi, nuk janë llogaritur dhe paguar detyrimet për taksën e ndikimit në infrastrukturë. KLSH ka kryer kallëzim penal për shpërdorim detyre për Drejtorin TH. M. , ish-Drejtorin D. M. të Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t Gjirokastër dhe për specialistët V. K. , Q. L. , L. B. , N. XH. , R, GJ. e B. T. , të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave ligjore, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, duke i përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse. 
Sigal