Materniteti “Koço Glozhieni” tjetër pamje, drejtim i ri punësh me model efiçent dhe ndryshime që vazhdojnë

3574
Përparim HALILI
Drejtori Dr. Arben Rrugia: Projekti im ka bazë zgjerimin, kualitetin dhe modernizimin e shërbimeve, ministrja Manastirliu po na mbështet 
Katër ditë më parë, gazeta “Telegraf” publikoi një vëzhgim lidhur me riparimin e ashensorit në Maternitetin “Koço Glozheni” në Tiranë, pas të cilit reagoi ekipi i ri drejtues i këtij spitali, duke deklaruar, se çështja “ashensor” është një nga elementët e rinovimit të shërbimeve me zgjidhje defintive, si shumë ndryshime të tjera që kanë nisur, janë realizuar e po vazhdojnë të bëhen me shpejtësi e me “themel”, në këtë qendër mjekësore ku “lind jeta”! Nisur prej faktit, që pas çdo kritike në gazetë, të gjithë drejtuesit reagojnë, duke folur për punët e mira që kanë bërë gjatë kohës së drejtimit të tyre, shkuam në këtë maternitet, për të parë realitetin ndryshe, për të cilat na folën drejtori Rrugia dhe Drejtorja Ekonomike Anila Gusho që kalon në “eko” çdo qindarkë, ndryshime për të cilat 3 muaj më parë, na kishte folur edhe mjeku gjinekolog i këtij spitali, specialisti i njohur Vezir Tena, duke na kërkuar t’i pasqyronim në gazetë…!
Çfarë ka ndryshuar gjatë drejtimit 11 mujor të ekipit “Rrugia”?
Qysh prej 18 tetorit 2016, ky spital po drejtohet nga mjeku Obsteter-Gjinekolog Dr. Arben Rrugia (President i Albanian Society Human Reproduction and Andrology). Jo vetëm mjekët brenda spitalit, por edhe në qarqet shëndetësore publike e private, madje edhe në stafin drejtues të ministrisë së Shëndetësisë, flasin për drejtim me efiçencë e profesionalizëm prej Dr. Arben Rrugia, i cili me sa kuptuam edhe prej bisedës me të, nuk ka synim komandimin, por ndryshimin e punëve në këtë qendër mjekësore me specifikë të veçantë, mbasi i di mirë “plagët” e sistemit shëndetësor! Çfarë ka ndryshuar drejtimi 11 mujor, i ekipit “Rrugia”? Ishte “panoramë” krejt ndryshe, nga çfarë na kishin zënë sytë e nga çfarë dëgjonim nga pacientët 1 e 2 vite më parë, kur qytetarët përballeshin me mjedise, mangësi, personel e shërbime që të stresonin! Që në kontaktin e parë, konstatuam, se punët në këtë maternitet, kanë ndryshuar pothuajse totalisht, që nga mjedisi i jashtëm para e rrotull spitalit. Që nga hyrja, ku tashmë nuk mund të futet kushdo e kur të dojë duke e “shtyrë derën me këmbë”, por që tashmë edhe personeli futet vetëm me Kartë Elektronike. Që, nga pritja në recepsion, ku të saktësohen oraret, të adresohen pavionet dhe mjekët e shërbimit. Që tek pritja dhe trajtimi prej mjekëve e deri tek oraret e vizitave! Së pari, është zgjidhur pika më delikate e kontaktit të parë: Urgjenca nuk ndodhet në asnjë moment pa shërbim roje, ka ekip të kualifikuar mjekësh e infermierësh, në urgjencë e në spital nuk mungon asnjë medikament që kërkon trajtimi kompleks i pacientëve për çdo fazë. Është garantuar furnizimi me ilaçin bazë “Aksitocinë”, gjë të cilën e arriti drejtori Rrugia me donacione private, ilaç që më parë mungonte e madje abuzohej me mungesën e tij, duke i detyruar pacientët ta blinin me lekë. Ka nisur e po konsolidohet harmonizimi i veprimtarisë së spitalit, duke krijuar bashkëveprimin e strukturave dhe ekipeve mjekësore. I është dhënë fund, mos-zbatimit të orarit të paraqitjes në punë dhe mos-zbatimit të grafikut e orëve të shërbimeve nga mjekët dhe infermierët dhe nga krejt personeli mbështetës, duke ecur me parimin: “Secili në vendin e duhur, në kohën e duhur, me etikën dhe përgjegjshmërinë e duhur”. Prioritet për mbarëvajtjen e punës është vlerësuar fryma e mirëkuptimit e bashkëpunimit, duke i dhënë fund ndarjes së personelit në “çeta” që denigronin dhe pengonin punët e njeri-tjetrit brenda spitalit! Të ardhurat dytësore, që më parë nuk përfundonin të gjitha në arkën e spitalit, tashmë janë shtuar në vlerën 927 mijë lekë, nga 376 mijë lekë në vitin 2016. Vetëm në periudhën janar-korrik 2017, shpenzimet për medikamente kanë qenë 17.2 milionë lekë, nga 14 milionë që kanë qenë gjatë gjithë vitit 2016. Duke respektuar institucionin, drejtori Rrugia “zgjoi” e riktheu në funksion “Komisionin Mjekësor”, i cili mori fuqinë e drejtimit të punëve në këtë spital.
Ja disa zgjidhje reformuese të punëve në këtë spital
1. Janë plotësuar nevojat mjekësore me të gjithë medikamentet bazë për trajtimin e nënës e fëmijës e madje janë shtuar edhe medikamente specifike, të futura për herë të parë në këtë spital. 
2. Është instaluar sistemi i kamerave brenda e jashtë institucionit, jo me synim mbikëqyrjen dhe monitorimin e punës së çdo punonjësi, duke nisur nga stafi drejtues.
3. Është bërë gati projekt-marrëveshja për ngritjen dhe funksionimin e spitalit ditor brenda maternitetit, me objekt: “Trajtim i çastit”.
4. Është hartuar plani restaurues i mjediseve nëntokësore (bodrumeve) të spitalit, për t’i kthyer ato në mjedise funksionale për hapësira dhe shërbime që mungojnë.
5. Pas 15 vitesh, me iniciativë, kredibilitetin dhe mundësinë e krijuar prej drejtorit Rrugia, 4 mjekë specialistë dhe 4 mjekë specializantë të këtij spitali, janë dërguar në specializim 3 mujor për “Ekografi”, pranë qendrës “Altamedica” në Romë-Itali.
6. Është ideuar dhe ka nisur zbatimi i projektit për binjakëzimin e spitalit “Koço Glozheni”, me spitalin e bashkuar të Bergamos në Itali.
7. Është realizuar dhe ka nisur funksionimin normal, listimi i Qendrës së Gruas, sipas të cilës dihet se në cilën orë, në cilën datë dhe nga cili mjek do të bëhen pritjet, konsultat, vizitat dhe ekografitë e veçanta.
8. Është bllokuar praktika e disa mjekëve për shërbime në spitalet private.
9. Është hartuar dhe funksionon 24 orë, grafiku i shërbimit “Mjeku i gatshëm” edhe kur ata janë në ditë pushimi, të detyruar të paraqiten pas çdo njoftimi që marrin nga recepsioni i spitalit.
10. Është vendosur dhe funksionon sistematikisht, me efiçensë të plotë e për çdo pacient, bashkëpunimi me “Mjekët e familjes”. 
Flet drejtori Arben Rrugia: Synojmë zgjerimin dhe modernizimin e shërbimeve
Projekti im, për të “rilindur” punët e spitalit ku “lind jeta”, kanë nisur afro 1 vit më parë, duke vijuar me zgjidhje e mbarëvajtje të domosdoshme, disa edhe emergjente, mbasi shërbim mjekësor, nuk është “shërbim turistik”, por jetik. Nuk mund të them, se nuk kanë punuar ata që kanë drejtuar këtë qendër mjekësore para meje, por fakti është ky: jemi përballur me probleme, duke nisur që me disiplinimin e personelit me oraret e ardhjes në punë dhe të kryerjes së shërbimit ndaj pacientit! Kemi ndeshur kaosin që mjekë dhe infermierë futeshin në punët e njeri-tjetrit dhe askush nuk bënte punën e vet! kemi ndeshur mungesë medikamentesh ne praktikën e papranueshme, që pacientët i blinin ato tek privati me lekët e tyre, pa folur për shërbimet mbështetëse që ishin “qeveri më vete”, aq duhej t’u bëje “temena” për të kryer detyrën që kishin. Pa përmendur edhe mungesë e “paralizë” pajisjesh mjekësore, mungesë gatishmërie dhe etike të mjekëve, deri edhe ryshfete e shpërfillje apo ‘rekomandime” për shërbime tek privatët! tashëm këto marrë fund, mbasi ne kemi nisur dhe po vazhdojmë një projekt kompleks për rilindjen e veprimtarisë së këtij spitali në çdo aspekt, me këtë synim bazë: zgjerimin dhe modernizimin e shërbimeve, projekt për të cilin kemi mbështetjen e plotë të ministres së Shëndetësisë, zonjës Ogerta Manastirliu, si vazhdim i mbështetjes që ajo na dha kur ishte ministre gjatë periudhës deri më 20 maj 2017.
Sigal