Materniteti i Sarandës burim infeksioni dhe rrezik epidemie

635
Sigal

Vetëm para dy muajsh u përurua materniteti i ri i Sarandës në mjediset e spitalit civil të qytetit ku pjesëmarrës ishte vetë kryeministri shqiptar, z. Edi Rama me administratën e tij. Një investim i domosdoshëm për shërbimin e shëndetit të lindjes dhe shumë i përshëndetur nga komuniteti. Por nëse bëjmë një investim për përmirësimin e kujdesit shëndetësor të nënës dhe fëmijës, duhet që mos të rrezikojmë jetën e fëmijëve, por edhe të komunitetit. Çfarë ka ndodhur? Kur bëjmë një hap para për përparimin dhe progresin nuk duhet të mos kthejmë kokën pas. Me përurimin e maternitetit të ri, godina e maternitetit të vjetër ka mbetur në mëshirë të fatit, jashtë çdo përkujdesjeje shtetërore, pavarësisht se është kërkuar nga shumë institucione shtetërore që aktualisht paguajnë qira të kripura në godinat ku ushtrojnë aktivitetin. Por shurdhëria shtetërore, mesa duket, justifikon thashethemet publike për privatizimin e kësaj godine, më e vjetra, shtetërore në qytetin e Sarandës. Por shqetësimi i këtij shkrimi është tjetërkund. Transferimi nga godina e vjetër tek i riu i ngjan një braktisjeje, sepse kanë mbetur shumë medikamente spitalore nëpër mjediset e godinës. Fëmijët kanë thyer dyer e dritare dhe e kanë kthyer në vend argëtimi, por tepër të rrezikshëm nga medikamentet dhe shiringat me të cilat fëmijët argëtohen duke goditur njëri-tjetrin. Kurrkund nuk ndjehet përgjegjësia, pavarësisht ankesave publike. Rreziku është prezent. Pse të kujtohemi kur vjen apo ndodh e keqja?! Agron MEMA