Masr. Mirela Karabina: Mos lejoni denigrimin e figurës suaj, të nderuar Mësues!

894
Sigal

Ministria përgjegjëse për Arsimin, tani, në fund të vitit shkollor, ka shpërndarë një pyetësor ku i kërkon mësuesve të shprehen mbi ecurinë e “nismës”: “tri lëndë në gjashtë orë”. I shpërfillur në aplikimin e kësaj me demek “nismë të prindërve” në mesin e vitit shkollor, e cila ishte ndryshim strukturor i mësimit, tani, të denigruarit, të nëpërkëmburit dhe gojëmbyllurit mësues i kërkohet që t’i vendosë “kurorën” kësaj marrëzie të ministrisë së arsimit. Pra, mësuesit i duhet të tjetërsojë realitetin që ofron shkolla këto ditë: Mësues e nxënës të çorientuar nga ky ndryshim i papritur strukturor i procesit mësimor, dëmtim të mësimdhënies dhe të nxënit, realizim te planit mësimor si “për të kaluar radhën”, deformim të modelit të aplikuar. Por, ministria nuk është mjaftuar vetëm me pyetësorin në letër, i cili lehtësisht evidenton mësuesit, por është shpërndarë dhe një link me disa pyetje ku i kërkohet mësuesve ta plotësojnë dhe ta dërgojnë me e-mail ose me smartphone, d.m.th mesazh i dokumentuar, tashmë, në arkivat e ministrisë. Pasi do ketë fjalët, e detyruara të mira të mësuesve për këtë ndryshim, këtë çorientim të nxënësit, mësuesit dhe shkollës, ministria përgjegjëse për arsimin, djallëzisht, do t’i bëjë mësuesit pjesë të marrëzisë së saj. I mjeri mësues, nuk paska të sosur denigrimi i tij përballë shoqërisë! Pra, mësuesit i kërkohet të paraqesë, jo vetëm një realitet sureal, ashtu siç ministria e Arsimit dëshiron, sepse mësuesi është i identifikueshëm, por dhe të sugjerojë për më tej për këtë “të mirë’ të ndodhur, për këtë “sukses” të ministrisë. Në një shoqëri evropiane nuk mund të ndodhë kjo! Si mundet të përdoret kaq keq mësuesi? Si mundet mësuesi të shpërfillet dhe të denigrohet duke e përdorur si “mjet” për arritjen e qëllimit të mbrapshtë të ministrisë ? Si mundet të detyrohet mësuesi, drejtuesi dhe formëzuesi i shoqërisë, të gënjejë shoqërinë, ta dezinformojë atë? E dhimbshme! Arroganca e pushtetit kalon çdo kufi. Ministria përgjegjëse për arsimin është duke ndërtuar një realitet siç ajo di, dhe siç ajo do. Tashmë, ndërmarrja e “nismave e lëvizjeve” të njëpasnjëshme, aspak të menduara mirë, sa me mësues, sa me nxënës e sa me prindër e ka kthyer këtë ministri në dështake të pashmangshme. Por, dështimi i saj ka prekur pjesë themelore, shkollën; dështimi i saj ka një impakt të madh. Realiteti i hidhur që vjen nga shkolla është tregues i dëmtimit të madh që i është bërë mësuesit dhe shkollës. Të pamotivuar dhe të pakënaqur, të paqartë dhe të pasigurt në punën e tyre, mësuesit, realisht janë duke kaluar një makth, puna e tyre është kthyer në stres, pasi ndihen të dobët për të përballuar këtë arrogance, e cila ka lëkundur aftësitë e tyre profesionale. Me nisma e portale, me link-e e smartfonë, i mjeri mësues është shkëputur nga mësimdhënia, procesi më i rëndësishëm, sepse ai është kthyer në letër-shkrues, mbushje formularësh e dokumentesh fiktive të vlerësimit të nxënësve dhe, më së fundmi, plotësim pyetësorësh sa herë që ministria ka nevojë të fshihet si Struc. Të pambrojtur dhe të çarmatosur, mësuesit ndjehen të pafuqishëm për të kundërshtuar, por më keq akoma, detyruar t’i thurin lavde shpërfilljes dhe denigrimit që i bën pushteti duke shkelur mbi personalitetin dhe figurën e tyre.

Ky është plotësisht rrënim! Po, pse është kaq e vështirë të bëhen gjërat në rrugë të drejtë?!

Sigurisht që Ministria do të duhet të marrë vlerësime dhe sugjerime nga nxënësit, mësuesit, prindërit për ndryshime të ndodhura. Dhe, kjo është normale dhe e domosdoshme kur proceset janë të menduara mirë, kur grupe specialistësh vendosin për ndryshime në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe të nxënit dhe përcaktojnë dhe kohën kur do të ndodhë. Por, këtu ngërçi fillon që në zanafillë, pra ndryshimi në strukturën mësimore “tri lëndë në gjashtë orë” nuk ishte i qartë dhe me argumente jo bindëse, sepse, në fakt, nuk ishte në rrjedhë normale: nuk ishte vendimmarrje specialistësh, dhe u aplikua në mesin e vitit shkollor. Njoftimi nëpërmjet medias të këtij ndryshimi në përmbajtje të procesit mësimor i gjeti të gjithë aktorët të papërgatitur. Në këtë çoroditje të sistemit, krijuar nga vetë ministria, të kërkosh vlerësim nga mësuesit të një procesi të deformuar, pasi shkolla kishte planifikuar tjetër strukturë , është t’i denigrosh mësuesit përballë nxënësve të cilët kanë jetuar këtë anormalitet, t’i denigrosh mësuesit përballë prindërve të shqetësuar për të nxënët e fëmijëve dhe t’i denigrosh mësuesit përballë shoqërisë si të paaftë në menaxhimin e situatës. Po si mund t’i pyesësh të gjithë këto aktorë kur nuk i bëre pjesë të ndryshimit? Djallëzia e përfshirjes së mësuesit në papërgjegjshmërinë e ministrisë duke e përdorur edhe si sukses të saj, është dështimi dhe fundi i marrëzisë së shkatërrimit të mësuesit dhe shkollës. Mësuesi nuk mund të jetë plotës tekash i ministrisë, ai është krijues, orientues dhe drejtues i shoqërisë. Përballë fuqisë së të mirit mësues, pesha e ministrisë është e papërfillshme.

Dhe, ministria e arsimit, ministria e fëmijëve duhet ta dijë mirë këtë!