Maskën e Fatmir Xhafës si ish hetues i diktaturës, ta heqë parlamenti në ditën e votëbesimit

497
Mithat Havari

Unë e lexova deklaratën e Fatmir Xhafës rreth akuzës që një grua me banim në Gjermani pretendon se, në vitin 1986 kur ishte 16 vjeç, zotëria në fjalë ka qenë në cilësinë e hetuesit në Krujë dhe ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj për arsye të caktuara. Ajo nuk atakoi ndonjë hetues tjetër, por pikërisht Fatmir Xhafën pa iu dridhur qerpiku. E lexova deklaratën e Xhafës dhe kuptova që po i binte rrotull e rrotull, jo kam qenë atje, jo sekretar rinie etj, në vend që duhet ta fuste thikën në plagë e të deklaronte kështu: “Nuk kam qenë hetues në muajin që pretendon ajo dhe nuk e kam takuar në jetën time ndonjëherë atë grua”. Kaq. Xhafa thotë që nuk kam qenë punonjës i sigurimit të shtetit, ajo nuk e akuzon si oficer sigurimi, por si hetues, është shumë e qartë. Sigurimi nuk hetonte, ta dinë njerëzit e zakonshëm, sigurimi hapte dosje ndaj Mithat Havarit dhe nëpërmjet informatorëve të saj, si Ylli R. p.sh plotësonte dosjen, e cila i kalonte Sekretarit të parë të komitetit të partisë së rrethit dhe aty një treshe vendoste të arrestohej ose jo, sigurimi nuk kishte autoritet ligjor të arrestonte, ishte Partia mbi të gjitha, i arrestonte partia armiqtë e saj. Hetuesia ku punonte Xhafa me kolegët e tij, në rastin konkret Kujtim Luli, nuk vareshin nga sigurimi, por bashkëpunonin ngushtë me njëra tjetrën. Ka shumë mundësi që vajza 16 vjeçe të mos ketë qenë pjesë e procesit hetimor në dosjen e vëllait të saj, rrjedhimisht edhe emri i vajzës nuk është shënuar ne proces verbal dhe kjo i jep siguri Xhafës që nuk ballafaqohet me dokument zyrtar, unë aludoj, kuptohet. Kështu akuza e bërë publike prej Krutanes ngelet në kuadrin e fjalëve, ndaj Xhafa si “usta i vjetër” që është, se unë e njoh mirë specien e tyre, midis të tjerash, deklaroi sot; se ato që deklarojnë kundër tij janë dëshmi të rreme, e thënë kjo një lloji presioni psikologjik ndaj akuzueses së tij, se dihet që dëshmia e rreme të fut në burg. Jo gjithnjë dokumenti zyrtar të bën përgjegjës për një krim, më e rëndësishme është dëshmia okulare. Njerëzit janë gjallë, të hapin proces hetimor, të ngrejë opozita komision hetimor dhe t’i nxjerrin ujin e zi kësaj çështjeje delikate. Ose Fatmir Xhafa del i pafajshëm dhe përgjegjësin për cenim të personalitetit në opinionin publik ta mbajnë shkaktarët, ose në të kundërt nëse vërtetohet që ish hetuesi i diktaturës ka kryer shpërdorim detyre me ligjet e kohës, të dënohet sipas ligjeve dhe rregullave të demokracisë duke e përjashtuar dhe nga parlamenti Shqiptar. Opozita të mos rrijë te çadra vetëm, por të shkojë në parlament se prandaj i ka zgjedhur populli përfaqësues te saj, të ngrenë komision hetimor për çështjen Xhafa, të thërresin shtetasen nga Gjermania, e cila ka shprehur vet vullnet të lirë për të ardhur në Shqipëri me lekët e saj dhe ta ballafaqojnë me Fatmir Xhafën, ashtu siç bëri Taulant Balla me djalin e Sali Berishës, madje kjo është më e rëndë se ka të bëjë me krimet e komunizmit në Shqipëri!
Sigal