Maskat helmojnë qenin dhe u grabisin 160.000 lekë

546
Sigal

Darkë tmerri në shtëpinë e biznesmenit të Korçës

Mbrëmjen e së martës, rreth orës 22.00, tre persona të maskuar, me automatikë “Kallashnikov”, të veshur si policë, me maska në kokë, hynë befas në vilën dykatëshe të biznesmenit Nevruz Lila në fshatin Çiflig të Korçës, duke u kërkuar të mos bënin asnjë lëvizje, pasi mund t’u hidhnin trutë në erë, dhe pasi i lidhën, mundën të grabitnin një shumë prej 160.000 lekë të rinj dhe një varëse floriri që biznesmenit. Por tmerri që provoi kjo familje nuk ka të treguar. Aktualisht po punohet për identifikimin e autorëve, por deri më tani identiteti i tyre vijon të mbetet i panjohur.

Darka e tmerrit

Ishim duke darkuar, rrëfen biznesmeni Nevruz Lila, kur shoh që hynë brenda tre persona të veshur si policë, edhe në veshjen e tyre shkruhej “Policia”, fillimisht nuk dyshova për asgjë, mendova se mund të kishin ardhur për ndonjë kontroll të befasishëm; kjo nuk më shqetësoi. Na kërkuan të mos lëviznim, sigurisht që u bindëm, por që nga ai çast si unë dhe gruaja, nisëm të kuptonim se ata nuk ishin punonjës policie, por grabitës. Gjithçka u bë e qartë kur na thanë: “Ku e kini kasafortën!” U përpoqëm t’u shpjegonim se nuk kishim kasafortë, por ata nuk donin të na besonin, ndaj nisën të na godisnin me qytat e armëve. Na lidhën duart me litar, na vunë shirit ngjitës te goja, dhe na goditën sërish, mua dhe bashkëshorten; madje te krahu kam edhe shenjat e goditjes. Pas kësaj ata u vunë në kërkim të kasafortës, por nuk gjetën gjë. Pasi më kontrolluan më morën 160.000 lekë të rinj, që m’u ndodhën në xhepa. Më hoqën nga qafa edhe varësen e floririt.

Terrori

Për çiftin Lila nga fshati Çiflig i Korçës ajo darkë u përjetua si darka e tmerrit. Grabitësit nuk lejonin që ata, t’i shihnin në sy. I detyruan të ulnin kokën mbi pjatë, dhe të mos vështronin nga grabitësit, por që të ishin të sigurt iu mbuluan edhe kokën. Dhe vetëm pas kësaj u vunë në kërkim të kasafortës që nuk ekzistonte. Tronditja, por edhe indinjata e Nevruz Lilajt vihet re te çdo fjalë të tij. Darkës së tmerrit që zgjati rreth 30 minuta, çifti Lila, mundi t’i shpëtojë vetëm kur grabitësit dolën nga shtëpia. Nga sa kuptohet, për kryerjen e grabitjes ishte parashikuar gjithçka, gjë që do të thotë se vjedhësit mund të kenë edhe përvoja të tjera grabitjeje. Para se të hynin në shtëpinë e biznesmenit, kishin helmuar qenin me qëllim që të zotët e shtëpisë të kapeshin në befasi dhe, ashtu ndodhi. Gjithçka shkoi sipas parashikimeve te tyre. Aktualisht policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve, por deri më tani informacionet e mbledhura nuk kanë çuar në gjetjen e grabitësve, por gjithsesi, nga ana e policisë vijon të punohet me intensitet për zbulimin dhe kapjen e tyre.