Masakrohen pyjet në Librazhd, Policia Rrugore nuk ‘shikon’!

1347
Sigal

LIBRAZHD/Banorët: Në zonën e Stravajt janë shkatërruar 40 ha pyje. Policia Pyjore merr 100 mijë lekë për çdo automjet ilegal me lëndë drusore

Shfrytëzimi pa kriter i pyjeve është kthyer në një fenomen që ka masiv në zonën e thellë të Stravajt të rrethit të Librazhdit. Individë të ndryshëm nuk po kursejnë asgjë, duke filluar që tek Zonat e Mbrojtura, pyjet e bredhit, dushkut, ahut e deri tek pyjet komunalë. Prej  vitesh individë të ndryshëm u janë vërsulur pyjeve të Stravajt të Librazhdit, me ditë e më natë, duke kryer një masakër të rëndë. Motor sharra vazhdon të godasë  në çdo kohë në zemër të pyjeve. Nëse sot do të dalësh pyjeve të Stravajt, Sopotit, rrugës shikon makina që me ngarkesë lëndësh drusore. Madje dhe frika e banorëve është e madhe sepse të gjithë qarkullojnë të armatosur dhe fshatarët ndjehen nën një presion të madh.

MASAKRA NË PYJE

Sapo të marrësh kthesat e pyjeve, rrugës për në Qafën e Malit, rrugës për në Sopot, shikon drurë të prerë në sipërfaqe pa fund. Një masakër e vërtetë. Mund ti shikosh me sy të lirë këto prova të kësaj masakre pyjore, e cila sigurisht që nuk është vepër e fshatarëve të varfër të zonës që nxjerrin dru me mushka e gomarë. Por e njerëzve që kanë ndoshta dhe mbështetje të punonjësve të pyjeve, pasi nuk mundet të kalosh nën ‘hundën’ e tyre të mos kapësh makinat e ngarkuar me dru. Makina janë të llojeve të ndryshme, kamionë, kamionçina, furgonë të mbuluar, etj… Mjaftojnë vetëm pak momente të fokusuara rrugës në ngjitje në kthesat e fshatit Lëpushë të Komunës së Stravajt dhe të shikon syri mbi 40 hektarë pyje dushku të rrafshuara ku në çdo çast gjëmon motor sharra pas pushim. Librazhdi ka dhe numër të madh Zonash të Mbrojtura që nuk janë kursyer aspak, siç është Polisi, Dardha, Stravani, Nenëza, Sopot, etj… Në pyjet me bredh të Breg Plepit, një zonë kreative turistike ka filluar të rrafshohet e tëra duke u prerë të gjithë drutë e bredhit. Po kështu prerje të pyjeve të bredhit, artinit, pishës, rrobulli, ka në zonë e mbrojtur Nenëz-Sopot, ku është shpallur Zonë e mbrojtur VKM nr102,datë 15.01.1996, një sipërfaqe prej 300 hektarësh,ku dhe  UNDP,ka  harxhuar para  për mbrojtjen e kësaj zone. Zonat më të dëmtuara në Stravaj të Librazhdit janë Sopoti, Shqiponja, Bregu i Plepit, Qafa e Malit, Bigza, Liqeri i Cakës, Nenza, Gaxuli, Brushkulla, Përroi i Plakut, Guri i Pëllumbit, Tunelet, Guri  Gjores Dardhë, Plepishtë Dardhë. Po kështu, prerje ka dhe në zona të tjera si në Polis, Liras etj..

 

POLICIA PYJORE

Asnjëherë policia pyjore nuk ka kryer operacione për të inspektuar dhe ndaluar këtë trafik, që për nga dëmet e mëdha që po bëhen në pyje, madje  në shumë raste vetëm policia e rendit  dhe ajo kriminale e Librazhdit ka bërë disa ndalime e shoqërime të  personave që dëmtojnë pyjet. Ndërkohë që nga ata që paguhen për të mbrojtur këtë pasur as që e vrasin mendjen. Megjithëse ka disa Procesverbale nga ana e inspektorëve të pyjeve, por ato nuk justifikojnë dëmin e madh që është bërë në këtë pasuri kombëtare. Sipas ligjeve në fuqi drurët halorë (pisha, bredhi, artini etj.) nuk lejohen kategorisht të priten. Por kanë një leverdi sepse shiten me çmime të shtrenjta. G.Zogolli thotë që po na shkatërrojnë dhe terrorizojnë, ditë e natë, ndërsa R. Kryemadhi thotë që na lanë dhe pa bazë ushqimore për dimër, nuk e dimë se ku të drejtohemi Këto lëndë drusore përdoren për tu shitur jashtë shtetit si në Greqi e Maqedoni,për shtyllat e minierave private që janë në rrethin e Librazhdit.

PËRPUNIMI

Janë një numër i madh gatrash që nga Manastrci, Stravani, Farreti e Shqipnja, që  përpunojnë lëndën drusore dhe më pas shpërndahet sipas destinacioneve. A është bërë ndonjë kontroll në këto gatra për verifikimin e kësaj lënde drusore, se me çfarë dokumenti është  dhe kush e ka, a kanë licenca këto gatra!? Janë me dhjetëra të tilla në këtë komunë,që nën hundën e punonjësve të shërbimit pyjor punojnë natë e ditë. Madje sipas disa prej subjekteve të licencuara thonë jashtë kamerës se: “Nuk po punojmë dot, kemi paguar detyrimet në shtet, por po na falimentojnë privatët e paligjshëm”. Madje banorët e kësaj zonë  shprehen se jemi të terrorizuar nga këta persona pasi na bëjnë dhe presione të ndryshme për të mos folur. Banorët thonë në koefidencë se punonjësit e pyjores janë të korruptuar. “Për çdo ngarkesë (makinë), ata fusin 100 mijë lekë në xhep”,-pohojnë ata.