Masakra në Krujë, i zënë pritë familjes në Thumanë, vrasin babanë, djalin e nipin, rëndë gruaja

225
Krujë- Tre anëtarë të familjes Çeku, kanë mbetur të vrarë dhe një tjetër u plagos rëndë pas një atentati me armë zjarri në qendër të Thumanës në Krujë.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 23.25 minuta të së premtes, 5 qershor 2015, duke u gdhirë e shtunë, teksa një person ende i paidentifikuar i ka bërë pritë familjes dhe i ka qëlluar me armë.
Sipas policisë viktimat janë Fran Çeku 79 vjec, djali i tij Arben Çeku 44 vjec dhe nipi Eno Rama 20 vjeç.
Ndërsa ka mbetur e plagosur rëndë Luçie Çeku 66 vjece, bashkëshortja e Franit.
Rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta.
Ora 08:56 Atentati ka ndodhur rreth 120 metra larg banesës së tyre, në një rrugicë të errët (shikoni fotot poshtë)
Ora 08:54 Policia: Masakra pas një konflikti
Përmes një njoftimi për shtyp të policisë së Durrësit sqarohet se janë identifikuar autorët dhe po punohet për arrestimin e tyre. Policia thotë se vrasja ka ndodhur pas një konflikti.

“Nga Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Krujë na bëhet me dije se:
Më datë 05.06.2015, ora 23.25 në Krujë ,në qëndër të Thumanës pas një konflikti, janë vrarë me armë zjarri shtetasit :
Fran Ceku,79 vjeç,banues në Thumanë,
Arben Ceku,44 vjeç, djali i Fran Cekut,banues në Thumanë dhe
Eno Rama,20 vjeç,nipi I Fran Cekut,banues në Thumanë.
Gjithashtu,është plagosur rëndë bashkëshortja e Fran Cekut,shtetësja L.C. 66 vjeçe,e cila ndodhet në Spitalin Ushtarak Tiranë. Në vendngjarje ka shkuar menjëherë policia.
Nga puna që kanë kryer Specialistët janë identifikuar autorët,të cilët janë shpallur në kërkim” thuhet në njoftimin e policisë
Jo zyrtarisht burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se autorët dyshohet se mund të kenë qenë dy ose më shumë persona.