Sigal

Prokuroria ka zbardhur dinamikën e ngjarjes së rëndë që ndodhi në Resulaj të Selenicës ku shtetasi Ritvan Zykaj la të vdekur 8 persona.

Në aktaktuzën e Prokurorisë thuhet se shkak për këtë tragjedi të rëndë kanë qenë akuzat e familjes së viktimave ndaj autorit të masakrës Ritvan Zykajt për vjedhjen e pulave të detit. Një nga viktimat, Vasilika Zykaj, ka debatuar me të mamanë e autorit Lindita Zykaj pikërisht për këtë çështje.

Ndërkohë që edhe gjatë drekës në shtëpinë e gjyshit, Kujtim Zykaj, Ritvani ka ngritur shqetësimin se për çdo gjë akuzohet ai.

Sipas prokurorisë 24-vjeçari largohet i pari nga dreka brenda pak minutash dëshmitarët dëgjojnë të shtënat me armë zjarri. Me gjakftohtësi të plotë, ai filmon viktimat me telefon celular dhe videon shokuese ia dërgon kushëririt të tij, djalit të hallës.

Dinamika e ngjarjes sipas Prokurorisë
Vasilika Zykaj, një nga viktimat e masakrës së Resulajt në Selenicë, ditën e masakrës gjatë rrugës ka debatuar me nënën e Ritvanit, Lindita Zykaj, duke e akuzuar se të dy djemtë e kësaj të fundit si autor të vjedhjes së disa pulave të detit. Vjedhje kjo e ndodhur pikërisht ditën e masakrës.

Bujar Zykaj, xhaxhai i autorit, ndërhyn për të shuar tonet me dy grave. Ritvani dhe motra e tij vijojnë rrugën për te shtëpia e gjyshit të tyre, Kujtim Zykaj, pak minuta larg banesës së tyre. Bujar Zykaj dhe kunata e tij, Lindita Zykaj, pasi kanë diskutuar mosmarrëveshjen me Vasilikën dhe familjarë të tjerë të Vasilikës, i kanë sqaruar se djemtë nuk kishin lidhje me vjedhjen e pulave të detit dhe për momentin mosmarrëveshja është sqaruar qetësisht. Pas kësaj, Bujari me Linditën kanë shkuar te shtëpia e Kujtimit, ku do të zhvillohej dreka.

Gjatë drekimit familjarisht ku edhe vetë Ritvani ka qenë prezent është diskutuar edhe njëherë rasti i mosmarëveshjeve me Vasilikën dhe Ritvani është shprehur dhe është ankuar se Vasilika Zykaj për çdo rast të tillë akuzonte atë me pa të drejtë. Rreth 30 minuta para se të ndodhte ngjarja, Ritvani është ngritur nga dreka dhe është larguar nga banesa e Kujtimit.

Pak çaste pas këtij momenti, sipas raportit të Prokurorisë, dëgjohen krismat e armës, por dëshmitarët nuk arrinin të dallonin drejtimin e tyre. Pasi krismat kanë pushuar, dy prindërit e autorit, Sadik dhe Lindita Zykaj janë larguar nga banesa e Kujtimit Zykajt dhe i janë drejtuar shtëpisë së tyre.

Pak minuta pas largimit të tyre Olardio Hoxhaj në telefonin e tij celular, në aplikacionin messenger merr një video të dërguar nga Ritvan Zykaj, në të cilën shfaqeshin dy persona të shtrirë në tokë në oborrin e banesës së shtetasit Demir Zykaj. Këtë video Olardio ia tregoi dajës së tij, Bujar Zykaj, xhaxhai i autorit, dhe babait të tij, Spartak Hoxhaj. Ky i fundit i ka thënë djalit të tij ta fshinte pasi pamjet ishin të rënda. Spartaku me familjen e tij niset për në fshatin Panaja dhe gjatë rrugës nusja e Spartakut ka komunikuar në telefon me Sadikun i cili në gjendje të rënduar psikologjike i ka pohuar asaj se djali i tij Ritvani kishte vrarë me armë zjarri shtetasit Azem dhe Afërdita Zykaj.

Komunikim telefonik ka pasur edhe midis Sadik Zykaj dhe Bujar Zykaj ku sërish Sadiku i ka pohuar të njëjtat fakte edhe atij. Në të njëjtën kohë, Sadik Zykaj ka komunikuar në telefon me policinë të cilën e ka njoftuar për ngjarjen e ndodhur.

I pyetur nga prokurori në prani të mbrojtësit të caktuar i arrestuari Ritvan Zykaj e ka pranuar faktin penal dhe ka shpjeguar mekanizmin e ngjarjes. Nga shpjegimet e dhëna para prokurorit rezulton se vrasja ka ndoshur për motive të dobta duke marrë jetën e shumë personave.