Masakra e Matit, kërkohet burg përjetë për Kujtim Koxhën

574
Sigal

Prokuroria e Burrelit ka kërkuar burg përjetë për 51-vjeçarin Kujtim Koxha, i akuzuar për vrasjen e trefishtë në fshatin Shëlli të Matit, më 11 tetor të vitit të kaluar.

Koxha, i cili vrau dy punëtorë të Bashkisë së Matit dhe një bashkëfshatarin e tyre, ka dalë para togave të zeza, ku prokurori i çështjes lexoi pretencën. Prokurori Abaz Muça kërkoi burgim të përjetshëm, por avokati ka kërkuar që të shtyhet seanca, që u vendos më 3 qershor.

Koxha po gjykohet nga dy gjyqtarë të Gjykatës së Matit dhe një i Dibrës. Më 11 tetor të vitit të kaluar, Koxha u konfliktua me punonjësit e Ndërmarrjes së Shërbimeve të Bashkisë Mat, të cilët po rikonstruktonin rrugët e fshatit Shëlli.

Në sallën e gjyqit, autori i dyshuar i ngjarjes është shprehur se vrasjen e ka kryer në kushtet e tronditjes, pasi njëri nga viktimat, Erzen Alia, e ka goditur dhe e ka fyer.
Pas një konflikti verbal, Koxha është larguar nga lokali i fshatit për t’u rikthyer më pas me një armë automatik.

Ai ka hyrë në lokalin ku punëtorët po drekonin, duke zbrazur një karikator automatiku.

Si pasojë e të shtënave humbën jetën Erzen Alia dhe Mentor Hoxha, punëtorë të bashkisë, si dhe Hamit Buci, banor i fshatit Shëlli.

NGJARJA

Sherri mes Kujtim Koxhës dhe punonjësve të Bashkisë Mat kishte nisur që në orët e para të mëngjesit të 11 tetorit, kur me fadroma dhe me mjete të tjera punëtorët filluan punën për të rehabilituar rrugën ekzistuese të fshatit Shëlli. Një dëshmitar i ngjarjes deklaroi për Policinë se duke i kërcënuar, 51-vjeçari Koxha iu ka kërkuar punonjësve që të largohen dhe të mos merren me rrugën.

Ai ishte i ulur në lokal duke pirë raki me një prej viktimave, Hamit Bucin, i cili ishte banor i fshatit ku po kryheshin punimet. “A keni ardhur për fushatë që rregulloni rrugën tonë ju të bashkisë, apo doni të merrni ndonjë votë në fshatin tonë”, mësohet se u ka thënë Koxha punëtorëve, të cilët më pas i ka sharë dhe i ka kërcënuar, duke u thënë se do t’i vriste.

“S’keni punë këtu ju të bashkisë, që vini të rregulloni rrugët vetëm për vota. Po te shtëpia ime, pse nuk vini që ta rregulloni rrugën, apo se unë jam i PS-së?”, u është drejtuar autori punonjësve.

Viktimat i janë përgjigjur se nuk ishte periudhë fushate, por se kishin një projekt dhe detyrë të dhënë nga bashkia, me qëllim rehabilitimin e rrugës ekzistuese dhe do vazhdonin punën.

Në këto momente, Koxha ka tentuar të qëllojë me grushte njërin prej punëtorëve, të cilit i kanë dalë në mbrojtje banorët e zonës duke ndërhyrë dhe larguar Kujtimin Koxhën. Hamit Buci ka tentuar të qetësojë situatën, por 51-vjeçari që dyshohet të ketë qenë nën efektin e alkoolit është larguar duke i kërcënuar: “Mbajeni mend çfarë kam për t’ju bërë po nuk u larguat…”.

Rreth 2 orë e gjysmë më vonë, kur punëtorët e mirëmbajtjes së rrugëve janë ulur për të ngrënë drekë bashkë me Hamit Bucin, që ishte mik i autorit, ky i fundit ka ardhur me shpejtësi nga jashtë me një armë zjarri kallashnikov dhe ka qëlluar në drejtim të punëtorëve duke bërtitur: “Do ju vras të gjithëve…”

Në këto momente ka ndërhyrë kryeplaku i zonës, që i ka lëvizur armën që ka qëlluar në tavan, për pasojë Mentor Hoxha ka mbetur i vdekur në vend, Hamit Buci 45 vjeç, Erzen Alia 50 vjeç dhe Astrit Hani 41 vjeç janë plagosur.

Buci dhe Alia u transportuan me helikopter drejt Spitalit të Traumës, por pak minuta pas mbërritjes së Tiranë, kanë ndërruar jetë njëri pas tjetrit.