Masakra e 5 krerëve të sindikatave, me pronat dhe qiratë në Shkodër, Vlorë e Sarandë

1437
Përballë heshtjes së organeve të shtetit dhe të drejtësisë shqiptare, lidhur me krimin mbi pronat e sindikatave, “Telegraf” do të vazhdojë të publikoj denoncimet që kanë ardhur nga sindikalistët dhe investigimet që ka bërë gazeta, mbi këtë krim të një grupi individësh të maskuar si “drejtues sindikatash” pas një legjitimiteti fiktiv të blerë me vota 10 mijë lekëshe në kongrese fiktive. Është fakt tronditës, që pronat shtetërore, djersë e popullit shqiptar, të cilat në mënyrë antikushtetuese u janë dhënë sindikatave, ose “sindikakave” siç i quajnë punëtorët, prej 23 vitesh janë marrë peng e janë kthyer në plaçkë tregu, si burim fitimi personal vetëm për drejtuesit e BSPSH, KSSH e të një sindikate fantazmë me “tatuazhin” abuziv SPMSH. Pas “monarkëve” të sindikatave, bëjnë “rreshtore” një “çeta” injorantësh, me mision firmaxhinj, servilë e sahan-lëpirës që vetë-gradohen e vetë-prezantohen si “kryesi”, të cilët i bëjnë “amin” abuzimeve që bëjnë shefat me pronat e sindikatave, në shkëmbim të ndonjë “kocke” (page) mujore, të ndonjë tollone karburanti, të ndonjë diete, apo udhëtimi jashtë shtetit e të ndonjë makine që i merr në mëngjes nga shtëpia dhe i çon pasdite, sa për t’i parë lagja që janë… “udhëheqës sindikal”! Pronat që kanë mbetur “gjallë” dhe që gjenden ende nën “thonjtë e pisët” të “kopesë së ujqërve” të BSPSH e KSSH, janë përdorur në 23 vite e po vazhdojnë të përdoren për biznese, për të ardhura nga dhëniet me qira, nga shitjet, tjetërsimet dhe kthimin e tyre në troje ndërtimi pallatesh, madje pronat janë dhënë edhe si pasuri për ish-firmat piramidale. Shumë prona të tjera, janë rrafshuar me bekimin e krerëve të BSPSH e KSSH, duke iu falur trojet gjoja ish-pronarëve fals për troje ndërtimesh, prej të cilave krerët e sindikatave (thonë gojët e liga) kanë marrë “thelën” e tyre në vlerë e në natyrë! Ku kanë shkuar miliardat e siguruara nga këto prona, që janë dhënë me qira e janë shitur? Bosët e BSPSH-KSSH e të asaj fantazmës SPMSH, kanë zhdukur dosjet e administrimit të pronave të sindikatave, me qëllim fshehjen e gjurmëve të krimit që kanë bërë me to. Sot, po publikojmë “dosjen e zezë” të krimit, që krerët e sindikatave kanë bërë dhe po vazhdojnë të bëjnë me pronat e sindikatave në qarkun Shkodër dhe në rrethet Vlorë e Sarandë.
Pronat e sindikatës në Qarkun Shkodër
Shtëpia e Pushimit të Punëtorëve dhe Pionierëve në Shirokë
Nga të dhënat e ZVRPP, Shkodër rezulton se kjo pronë ka sip totale 9620 m2 dhe ndërtesa me sip. 846 m2 është regjistruar në pronësi të BSPSH. Kjo pronë është ndarë në vitin 1994 mes palëve BSPSH-KSSH, ku 2/3 i merr BSPSH dhe 1/3 KSSH. Sipërfaqja totale e pronës, së bashku me objektin i është dhënë me qira deri në vitin 2020, shtetasit Ndue Maracaj. Nuk ka inventar për sendet e luajtshme.
Shtëpia e Pushimit të Punëtorëve e Pionierëve në Razëm
Nga verifikimi rezulton, se shtëpia e pushimit të punëtorëve është privatizuar dhe regjistruar në hipotekë me Nr. hipotekor 198, datë 18.10.2002 nga qytetari Lulëzim Nik Pacaj, me Nr. pasurie 196/2, zona kadastrale 3834. Njëkohësisht shtëpia e pushimit të pionierëve është në përdorim nga Valentin Gjetja. Nuk ka inventar të sendeve të luajtshme.
Shtëpia e Pushimit të Punëtorëve në Theth
Nuk ka informacion as hipoteka Shkodër, nuk japin informacion as BSPSH e KSSH, nuk dihet nëse prona ekziston fizikisht apo jo, sindikata nuk paraqesin asnjë dokument qeraja, ose shitjeje.
Salla e Lojrave qyteti Shkodër
ZVRPP nuk ka informacion. Nga verifikimi fizik, rezulton se kjo pronë është privatizuar dhe regjistruar me Vërtetimin Hipotekor nr.112, datë 11.8.2006, me nr. pasurie 4/287, zonë kadastrale 8594, sip.302 m2 dhe Vërtetimi Hipotekor nr. 215, datë 18.7.2007 për pasurinë nr. 4/559, zonë kadastrale 8594, me sipërfaqe. 313 m2 në favor të disa bashkëpronarëve, për të cilat nuk jepet informacion as nga sindikatat as nga hipetoka. Nuk ka inventar për sendet e luajtshme.

Salla e Kulturës në Velipojë
ZVRPP nuk ka informacion. Nga verifikimi fizik rezulton, se ndërtesa është e banuar nga familjarë, thuhet se paguajnë qira nën dorë në sindikatë. Nuk ka inventar për sendet e luajtshme.
Salla e Kulturës në ish-NB Shtoj-Komuna Rrethina
ZVRPP nuk ka asnjë informacion. Nga verifikimi fizik rezulton, se ndërtesa është transformuar në objekt kulti (xhami), shitur pa asnjë dokument zyrtar prej sindikatave. Nga ka inventar për sendet e luajtshme.
Pallati i Kulturës Fushë-Arrëz (Salla e shfaqjeve)
Nga të dhënat e dërguara nga ZVRPP Pukë, konfirmohet se kjo pronë është e regjistruar në pronësi të qytetarit Nikoll Ndue Ndoka, pas aktit të shitjes së kryer nga BSPSH, ku ky i fundit është në cilësinë e pronarit të truallit.
Salla e Lojërave, qyteti Pukë
ZVRPP, konfirmon se nuk disponon asnjë informacion në regjistrat hipotekor. Nga verifikimi fizik rezulton, se objekti është privatizuar nga Zyra Dunga, por as sindikata e as hipoteka nuk kanë dokument zyrtar për këtë shitje. 
—————————–
Pronat e Sindikatave në Vlorë
Kampi Punëtorëve “Pallati i Ri” në Vlorë
Nga ZVRPP e Vlorës, nuk disponohen të dhëna për këtë pasuri. Nga verifikimi fizik, rezulton se KSSH i ja ka shitur objektin pronarit të truallit Fatos Konomi. Kjo pronë përdorej nga Fatos Konomi, por nuk u bë i mundur sigurimi i dokumentacionit ligjor të pronësisë.
Shtëpia e Pushimit të Punëtorëve, 4 vilat në Vlorë
ZVRPP në Vlorë nuk ka të dhëna për këtë pasuri. Nga verifikimi fizik, rezulton se KSSH kishte në pronësi 3 vila, të cilat ishin në gjendje të mirë dhe funksiononin. Vila e katërt është privatizuar nga pronari i truallit. Nuk u arrit të evidentohet pronari si dhe dokumentacioni i privatizimit.
Kampi i Pionierëve në Vlorë
ZVRPP në Vlorë, nuk ka të dhëna për këtë pasuri. Nga verifikimi fizik, rezultoi se objekti është “pushtuar” nga Forcat e Rendit dhe përdoret prej tyre. Kjo pronë nuk ka asnjë dokumentacion ligjor as në hipotekë, as në sindikatë.
Salla e Kulturës e ish-NB në Vlorë
ZVRPP në Vlorë, nuk ka të dhëna për këtë pasuri. Nga interesimi pranë zyrave të komunës, nuk u arrit identifikimi i pronës, sindikata nuk japin informacio9n se ku gjendet kjo pronë, thuhet se është rrafshuar dhe e shitur prej sindikatës. 
Kinoklubi “Perlat Rexhepi” në Vlorë
ZVRPP në Vlorë, nuk ka të dhëna për këtë pasuri. Nga verifikimi fizik, rezultoi se objekti nuk ekzistonte, mbasi thuhet se ishte shitur nga sindikatat dhe mbi truallin është ndërtuar bllok pallatesh, ku kanë disa hyrje edhe drejtuesit e sindikatave në Vlorë e në Tiranë. Nuk ka dokumentacion për përcaktimin e statusit juridik të kësaj pasurie.
Salla e kulturës ish-NB “Rinia”, Vlorë
ZVRPP në Vlorë, nuk ka të dhëna për këtë pasuri. Nga verifikimi fizik, rezulton se objekti ishte zënë nga familjarët, janë bërë ndërtime shtesë. 
Kampi punëtorëve Godina e Re-Dhërmi, Bashkia Himarë. 
ZVRPP në Vlorë, nuk ka të dhëna për këtë pasuri. Nga verifikimi fizik, rezulton se objekti është jashtë funksionit, si pronë e Sindikatave. 
Kampi punëtorëve Godina të tjera në Dhërmi Bashkia Himarë
Nga ZVRPP Vlorë nuk ka të dhëna për këtë pasuri. Nga verifikimi fizik, rezulton se objektet janë dhënë me qira nga sindikatat dhe investuar nga qiramarrësit. Nuk u arrit të sigurohej dokumentacioni ligjor.
Pallati i Kulturës në Selenicë
ZVRPP në Vlorë nuk ka të dhëna për këtë pasuri. Nga verifikimi fizik, rezultoi se objekti përdorej nga Mihal Çapi dhe Arjan Çaushi, të cilët e kishin blerë nga Sindikatat. Nuk u arrit të sigurohej dokumentacioni ligjor.
Kinoklubi Llakatund, Komuna Shushicë
Nga ZVRPP Vlorë nuk ka të dhëna për këtë pasuri. Nga komuna ka ardhur informacion se është prishur objekti në vitin 2001 dhe trualli është miratuar për shesh ndërtimi dhe mbi të është ndërtuar një objekt i ri i hipotekuar. Nuk ka informacion se kush e zotëron objektin.
———————————————————–
Pronat e Sindikatave në Sarandë
Kampi i Punëtorëve e Pionierëve, në Sarandë
ZVRPP në Sarandë nuk ka të dhëna për këto pasuri. Nga verifikimi fizik, rezultoi se objekti ‘’Shtëpi Pushimi e Punëtorëve‘’ ishte jashtë funksioni. Nga dokumentacioni i siguruar, figuron se objekti është i regjistruar në ZVRPP, Sarandë në emër të Sindikatës së Pavarur të Ushqimit të përfaqësuar nga shtetasi Maksim Reshat Mebelli. Objekti “Kampi i Pioniereve”, rezulton i tjetërsuar në bllok pallatesh.
Sallë lojërash, qyteti Sarandë 
ZVRPP nuk ka të dhëna për këtë pasuri. Nuk u arrit identifikimi i kësaj prone edhe pas bashkëpunimit me bashkinë Sarandë.
Shtëpia e Kulturës në Xarë
ZVRPP nuk ka të dhëna për këtë pasuri. Nga verifikimi fizik, rezulton se objekti është shitur nga BSPSH, blerë dhe hipotekuar nga Feruz Shabani dhe Selim Shabani. 
Salla e shfaqjeve në Lukovë
ZVRPP nuk ka të dhëna për këtë pasuri. Nga verifikimi fizik, rezulton se objekti ishte jashtë funksionit.
Shtëpia e Kulturës në Ksamil
ZVRPP e Sarandës konfirmon, se kjo pronë është regjistruar 60% e kapitalit në favor të ish-firmës piramidale “Silva shpk” dhe 40% në pronësi të BSPSH. Pjesa prej 60% e shoqërisë “Silva shpk”, iu shit shtetasit Flamur Bime, me kontratën e shitjes nr. 278 rep. nr. 48 kol, datë 26.01.2001. Me Vendimin e Gjykatës së Tiranës nr. 1656, datë 22.04.2002 është vendosur kthimi në gjendjen e mëparshme të pronës duke e shpallur të pavlefshme kontratën e shitjes (përmendur më lart). Pasuria është e regjistruar në favor të BSPSH dhe KSSH. Dokumenti nuk gjendet në praktikën e regjistrimit të kësaj pasurie. Kjo pasuri i është dhënë me qira deri në vitin 2020 Agjencisë Artistike “DEA”, nga KSSH me vërtetimin noterial nr. 1597 rep. datë 5.4.2003.
——————————————-
Ja 5 drejtuesit e BSPSH-KSSH, që duhet të përgjigjen ligjërisht për pronat e sindikatave
1. Valer Xheka
2. Kastriot Muço
3. Xhevdet Lubani
4. Kol Nikollaj
5. Gëzim Kalaja 
—————————————— 
Sindikatat nuk janë pronare ligjore të objekteve
Sipas ligjit, sindikatat i kanë marrë pronat në vitin 1992 me Dekret Presidencial nr. 204, datë 05. 05. 1992, që rezulton dekret antikushtetues, mbasi nuk pa kaluar për votim në parlament, por është një dokument shkresor i lëshuar personalisht nga ish-presidenti Sali Berisha, sit ë ishte një medalje e jo një dekret për administrimin e një pasurie kombëtare që në atë kohë ishte e vlerësuar si investim shtetëror e “popullor” në vlerën e afro 97 milionë dollarëve. Sindikatat edhe me këtë dekret, kishin të drejtë të administronin pasuritë shtetërore deri në vitin 2020, por pa qenë pronare të tyre, sepse sindikatave si shoqata u mungonte një prej “tagrave” të pronësisë, që është e drejta e disponimit/tjetërsimit, parashikuar e përcaktuar në tekstin e Nenit 6 të Ligjit Nr. 8340/1, datë 06. 05. 1998, ku përdoret shprehimisht termi “administrimi i pasurive”, Sipas ligjit, shteti është pronar i vetëm i pasurive të administruara nga sindikatat, të cilat përgjatë kohës së administrimit, kapërcyen në mënyrë abuzive “tagrat” e të drejtave reale të dhëna. Ligji Nr. 8340/1, datë 06. 05. 1998, shpreh qartë dhe pa ekuivok, përcaktimin kushtetues, për mos kalimin e pronësisë mbi këto pasuri nëpërmjet mosmiratimit të dekretit Nr. 204, datë 05. 06. 1992.
Sigal