Masakër ekologjike, minierat e guroret shkatërrojnë mjedisin

659
Sigal

Librazhd/ Firmat e kromit dhe guroret, dëmtojnë pyjet dhe mjedisin, duke sjellë dëme të konsiderueshme

LIBRAZHD- Firmat e licencuara, por dhe të pa licencuara të kromit, hekur nikelit dhe guroret, që punojnë në rrethin e Librazhdit,janë të shumta. Por këto firma nuk po investojnë për rehabilitimin e sipërfaqes së dëmtuar gjatë procesit të punës, ç’ka po sjell dëmtime të pasurisë pyjore. Madje, një pjesë prej tyre bëjnë gërmime pa i’u dridhur dora fare dhe në zona të tjera të këtij rrethi, madje e në ato të mbrojtura. Rrethi i Librazhdit është një nga rrethet, që janë dyndur shumë firma private, të cilat merren me gërmimin, kërkimin dhe nxjerrjen e mineralit të hekurit dhe kromit, ku ato veprojnë kryesisht në Malin e Shebenikut, Skroskë, Pishkash, Përrenjas e Katjel. Gjithashtu, në Mirakë ka gurore e çdo ditë punojnë qytetarë që thithin ndotjen e saj. Sipas shefit të Policisë Pyjore Librazhd, Viktor Allko, ka shumë probleme në dëmtimin e pyjeve, madje, janë bërë dhe procesverbale ndaj tyre, por ka problem në vjeljen e gjobave dhe zvarritje të gjyqeve. Pas kontrolleve, Policia Pyjore ka mbajtur procesverbale dhe ka gjobitur e dërguar për ndjekje penale, mjaft subjekte private çdo vit. Gjobat, deri tani nuk janë zhdëmtuar nga firmat për dëmin ekonomik të kryer në masivet pyjore të rrethit. Ndonëse, disa prej tyre janë dërguar edhe për ndjekje penale, organet e drejtësisë ose i kanë mbyllur çështjet, ose i kanë kthyer, duke dhënë masa administrative me gjobë. Për pasojë, vlera e dëmit të shkaktuar rritet nga viti në vit, në miliona lekë. Aktualisht në rrethin e Librazhdit punojnë 39 firma private të grumbullimit të kromit dhe hekurit, që më së shumti shfrytëzojnë frontet e hapura ose shfrytëzojnë karrierat, që kanë pak shpenzime për përgatitjen e fronteve të punës. Ato pothuajse nuk investojnë për hapjen e fronteve të reja të punës në sektorin e nëntokës, apo të eliminojnë pasojat negative në mjedis që lënë pas punën për grumbullimin e kromit. Nga 64  firma që veprojnë në Qarkun e Elbasanit, numrin rekord të këtyre subjekteve e ka Librazhdi me 39, Elbasani me 22, Peqini, Gramshi e Cërriku nga 1 firme. Madje, ka një numër firmash që kanë lidhur kontrata me komunat, por që me ligj nuk lejohet që të lidhen kontrata për shfrytëzim parcelash pyjore, ku firmat nga lejet minerare ekzistuese që kanë marrë nga Ministria, ju është përcaktuar zona e shfrytëzimit. Me një leje të marrë nga komuna shfrytëzojnë në parcela të tjera,duke gërmuar në territore të tjera. Sipas informacioneve të marra ka shfrytëzime në Fushë të Madhe të Komunës Rrajcë, në Skroskë, Përroi i Govatave, Hotolisht, Shebenik, Katjel etj.. Gjithashtu, dëmtime për zonat pyjore kanë bërë edhe  mjaft firma qe merren me nxjerrjen e guroreve, ndërtimin e hidrocentraleve, ku janë me dhjetëra të tillë. Ekziston një ligj nga qeveria shqiptare, që në njësitë vendore, ku punojnë këto subjekte  duhet të derdhin një kontribut në arkën e tyre. Deri tani komuniteti ka përfituar pak, ndërsa mjedisi përreth është dëmtuar ndjeshëm. Ndaj edhe specialistët po kërkojnë që pushteti vendor të jetë bashkëpronar i kësaj pasurie, për ta vënë në shërbim të banorëve taksën vendore që paguajnë firmat e licencuara. Nëntoka e rrethit të Librazhdit është një ndër më të pasurat në të gjithë  zonën verilindore, madje ka edhe kërkime të reja për minerale zona të tjera e të pazbuluara por që kanë qenë rezerva. Librazhdi është i pasur me krom, hekur, bokside etj.. Kontrollet duhet të jenë më të ashpra ndaj këtyre subjekteve që po bëjnë kërdinë në mes të diellit dhe askush nuk i ndëshkon.