MAS jep “çeqet” e pagave të fituara me gjyq nga punonjësit e shkarkuar nga detyrat

732
Përparim HALILI
Shteti të bllokojë praktikat që shkaktojnë pagesa për 2-3 punonjës në 1 vend pune, janë miliarda lekë nga taksat publike
Janë shumë institucione e shërbime publike, që nuk zbatojnë vendimet e gjykatave, lidhur me pagesat që përfitojnë punonjësit e administratës, të cilët fitojnë proceset dhe të drejtën për t’u rikthyer në vendet e punës ose në pozicione pune paralele, shoqëruar me numrin e pagave të periudhës së largimit. Por ka edhe institucione, të cilët respektojnë këto vendime, duke shlyer çdo detyrim të punonjësve që kanë fituar këtë të drejtë pagese me procese gjyqësore. Provën e parë po e jep Ministria e Arsimit, e cila me një Udhëzim të ministres Nikolla, të publikuar në “Fletore Zyrtare”, për të shlyer çdo qindarkë pagesë, të punonjësve të larguar deri në vitin 2013, duke i klasifikuar si “detyrime të prapambetura”. Shteti, pothuajse ka humbur afro 75% të gjyqeve me punonjësit që ka larguar nga puna. Forcat politike që vijnë në pushtet, deklarojnë se nuk janë largime politike e klienteliste, por largime ligjore në emër të reformimit të administratës dhe cilësisë së punëve në zyra. Opozita, denoncon se janë largime politike dhe nxit ish-punonjësit, t’i drejtohen gjyqeve për të kërkuar pagat dhe për t’u rikthyer në vendet e punës. Edhe Ministria e Arsimit ka një bilanc të tillë detyrimesh. Por është e vetmja ministri, që disa ditë më parë, ka publikuar tabelat e pagave të dhëna pas vendimeve gjyqësore që kanë fituar punonjësit, duke deklaruar edhe vlerat që ata kanë marrë, numrin e pagave mujore. Po kështu, ka publikuar listën me emrat e punonjësve të larguar nga puna, të cilët janë në proces gjyqësor për pagat, si dhe ata që kanë fituar gjyqet e u është rikthyer çështja në nivele të tjera gjykimi, pas apelimeve e rekurseve që kanë bërë institucionet, kundër vendimeve të shkallës së parë e të dytë, të formës së prerë! 
Gjyqet vazhdojnë, pagesat e 2 punonjësve për 1 vend pune shkojnë 40 milionë euro
Qysh prej vitit 2014 deri më sot kemi të bëjmë me 78 vendime të formës së prerë nga Gjykata për të kthyer nëpunësit e administratës në punë apo dëmshpërblyer ata për largim të padrejtë. Gjykata e Apelit llogarit një detyrim të shtetit ndaj administratës së larguar prej 40 milionë euro. Vetëm gjatë vitit 2016, janë zbatuar 32 vendime të formës së prerë të gjykatave në institucionet e administratës shtetërore. Aktualisht që flasim jemi në shqyrtim të vendimeve që kemi të depozituara pranë Departamentit dhe së bashku me institucionet të cilat i kanë prodhuar këto vendime kemi ngritur strukturat e posaçme të cilat do të duhet të shqyrtojnë kërkesat, kriteret që kanë këta gjyq-fitues dhe vendet vakante që janë në dispozicion nga këto institucione me qëllim që të gjejnë zbatim. Zbatimi i një vendimi gjyqësor është kompleks, nuk është kaq i thjeshtë. Kjo për shkak të faktit që struktura në institucion ka pësuar ndryshime, kriteret e vendeve të punës janë të ndryshme nga kriteret që kanë gjyq-fituesit, për këtë arsye dhe procedura që do të duhet të ndiqet nga Departamenti së bashku me institucionin kërkon kohën e saj për të gjetur sistemimin më të mirë të mundshëm. Sipas portalit jo qeveritar “Open-Data.Albania”, i cili përmbledh shpenzimet e buxhetit shqiptar në vite, vetëm gjatë viteve 2015-2016, numri i transaksioneve financiare për të shlyer detyrimet që kanë buruar nga vendimet gjyqësore për largimet e padrejta nga puna ka arritur në 7.200 transaksione, ndërsa vlera e transaksioneve në mbi 4,4 miliardë lekë (gati 40 milionë dollarë).

Periudha e kryerjes së transaksioneve financiare përfshin nga janari i vitit 2015 deri në nëntor të vitit 2016 dhe mbulon procese gjyqësore të kryera në pjesën dërrmuese deri në vitin 2014. Kjo pasi, sipas të dhënave të Gjykatës Administrative të Apelit, Tiranë vendimet e së cilës marrin formë të prerë për t`u zbatuar në këto raste, proceset e deritanishme përfshijnë vendime për paditë gjyqësore të bëra deri në dhjetor të vitit 2014. Kostoja financiare pritet të rritet sërish edhe gjatë vitit 2016 pasi për jo pak vendime është dhënë vetëm kësti i parë i pagesës, ndërsa për shumë vendime të tjera të dhëna nga Gjykata Administrative e Apelit për vitin 2014 nuk ka nisur nga Agjencitë përmbarimore zbatimi pranë institucioneve që kanë humbur gjyqet. Padi të reja janë depozituar ndërkohë edhe gjatë vitit 2015. Sipas një raporti të Avokatit të Popullit 4093 punonjës janë larguar në mënyrë të paligjshme nga administrata publike në periudhën shtator 2013-maj 2015 nga të cilët 1021 kishin statusin e nëpunësit civil ndërsa 3072 të tjerët trajtoheshin sipas dispozitave të Kodit të Punës. Nëse kostos financiare të paguar nga Buxheti i shtetit gjatë dy viteve të fundit për largimet e padrejta nga puna i shtohet edhe kostoja e vitit 2014, (ku numri i transaksioneve ishte 5200 dhe vlera financiare e paguar 3,5 miliardë -gati 30 milionë dollarë ) shuma totale shkon në 7.9 miliardë lekë, ose rreth 70 milionë dollarë për tre vite. Kjo shumë sipas përllogaritjeve të pagës minimale (që në Shqipëri është 22.000 lekë ) do t’i shërbente Buxhetit të Shtetit të mbante rreth 10.000 punonjës në punë për tre vite apo gati 10% të numrit total të punonjësve në administratën publike në Shqipëri. Sipas Buxhetit për vitin 2017 Administrata qendrore shqiptare do të përbëhet nga 81. 617 punonjës me një rritje të lehtë prej 677 nëpunësish, krahasuar me vitin 2016.
Sigal