Marrja peng e dy gazetarëve/ AMA: Organet kompetente të zbardhin rrethanat e plota

502
Autoriteti i Mediave Audiovizive ka reaguar sot lidhur me mbajtjen peng të dy reporterëve televizivë, Agim Blloshmi dhe Kristaq Binjaku nga persona të armatosur në zonën rurale të rrethit të Librazhdit. Përmes një deklarate për media, AMA thekson se dy reporterët jo vteëm që janë penguar për kryerjen e detyrës, por dhe janë mbajtur peng. 
“Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, ka përcjellë me shqetësim ngjarjen e fundit të dy reporterëve televizivë, Agim Blloshmi dhe Kristaq Binjaku, të cilët në mbrëmjen e datës 19 maj 2015, jo vetëm janë penguar në kryerjen e detyrës së tyre, por dhe janë qëlluar dhe janë mbajtur peng nga persona të armatosur, në zonën rurale të rrethit të Librazhdit, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre. 
Dy gazetarët kanë qenë në përmbushje të detyrës duke investiguar mbi një rast të shkeljes së ligjit dhe goditja ndaj tyre është një akt i dënueshëm kundër fjalës së lirë dhe angazhimit profesional të komunitetit të medias për informimin e publikut. 
AMA kërkon nga organet kompetente që sa më parë të zbardhen rrethanat e plota të ngjarjes dhe të përgjigjen para drejtësisë personat e përfshirë direkt ose indirekt”, përfundon deklarata e AMA.
Sigal