Mark Frroku refuzon të flasë para drejtësisë shqiptare, kërkon ekstradim në Belgjikë

521
Deputeti kristiandemokrat, Mark Frroku aktualisht i arrestuar i akuzuar për një vrasje në Belgjikë, nuk ka pranuar të flasë për prokurorët shqiptarë. Gjatë ditës së djeshme gjatë kohës që prokurorët e çështjes do e merrnin në pyetje, ai ka shfaqur interes të transferohet në Belgjikë, duke mos pranuar të flasë. Bëhet e ditur se ai nuk ka pranuar të japë deklarime për llogari të palës shqiptare, duke pohuar se të gjitha pretendimet e kryera do ja tregojë gjykatës në Bruksel. 
Sipas burimeve nga seanca hetimore në burg, Mark Frroku është shprehur se për ngjarjen e ndodhur në Belgjikë, do të flasë vetëm para gjykatave apo prokurorisë së këtij vendi. Kjo duket një manovër e Frrokut për të kërkuar ekstradim në Belgjikë në një kohë kur Shqipëria nuk ka marrëveshje ekstradimi me këtë vend. Mark Frroku u arrestua në fund të marsit 2015 me akuzën e vrasjes pasi njoftimi i Interpolit belg mbërriti në Prokurorinë e Përgjithshme më 27 mars 2015. 
Sipas dosjes që erdhi më pas në Shqipëri, deputeti shqiptar i shpallur në kërkim nga Belgjika që nga dhjetori 2014, akuzohet për ngjarjen e ndodhur më datë 05.03.1999, ku viktima Aleksandër Kurti, lindur më 03.01.1975, u qëllua me thikë për vdekje nga katër persona autorë, mes të cilëve shtetasi Besnik Vuka, në hyrje të stacionit “Midi” në Saint-Gilles, Bruksel. Sipas drejtësisë belge, autor i kësaj ngjarjeje besohet të jetë shtetasi Mark Frroku, i njohur ndryshe si Besnik Morina, i njohur ndryshe si Frroku Dritan, i njohur si Piro Sfrani (SOFRANI). 
Sigal