Marinza e helmuar 100%, ministri Gjiknuri “orgji” me “Bankers”, prangosen rojet e karburanteve

631
Prej 3 ditësh ka nisur aksioni mediatiko-policor kundër abuzuesve të naftës, duke futur në pranga 14-15 shitës e roje karburantesh në periferi të Tiranës dhe në disa “katunde” të Shqipërisë, të “listuar” qëllimisht si “viktima presioni” prej policisë “Tahiri”, por që në fakt nuk janë as kontrabandistët, as prodhuesit ilegal të naftës, as importuesit e eksportuesit informalë të saj, as shkatërruesit e puseve ku nxirret naftë e gaz, as ata që bashkëpunojnë me krerët e shtetit për të pasur “shesh” abuzimi. Policia “Tahiri”, në vend që ta niste aksionin e urdhëruar nga kryeministri për prangosjen e abuzatorëve në sektorin e naftës sipas ligjit dhe provave konkrete të krimit, duke ndaluar abuzatorët e vërtetë në naftë, po bënë shoun propagandistik e demagogjik të rradhës. Buletini “Arrestime në naftë”, që ministria “Tahiri” po u dërgon mediave prej 3 ditësh, provon se policia nuk prangos shkatërruesit dhe zhvatësit e vërtetë të nëntokës së naftës dhe mbitokës financiare të hidrokarbureve, të cilët e kryejnë krimin në këtë sektor edhe me licenca koncesionare e nënkoncesionare. Nëse shteti dhe “”Xhandarmëria “Tahiri”, do të niste luftën e vërtetë kundër krimit të vërtetë në naftë, nuk ka përse “bredh natën ugarëve” nëpër pika karburantesh në fshatra, kur në mes të ditës, brenda në zyrën e ministrit Gjiknuri dhe në restorantet luksoze në mes të Tiranës e në mes të ditës, ka bosët e “Bankers”, duke bërë “orgji” e pazare me ministrin Gjiknuri dhe me sekserë vëllain e Gjiknurit, këshilltar të ministrisë “Cani”, ministri e cila edhe pas të dyzetave të krimit të “Bankers” në Marinzë dhe pas 20 muajsh në pushtet, nuk ka nisur asnjë proces për të sekuestruar këtë kompani për afro 700 milionë dollarë detyrime fiskale të pa papguara në dogana e tatime. Shteti ka përballë një kompani me emrin e ndërruar nga “Sanxon” në “Bankers”, kompani e cila me veprimtarinë e saj rrumpallë në shfrytëzimin e sektorit të naftës shqiptare, ka helmuar 312 hektarë dhe 160 familje të fshatit Marinzë, ndërkohë që 1 vit më parë, shkatërroi 120 banesa në Zharrës me kërkim e prodhim nafte me dinamit, helmoi 215 hektarë tokë bujqësore e 547 banorë të këtij fshati, duke i mashtruar se do tí dëmshpërblente 100%, por që pas pazareve me ministrin Gjiknuri, jo vetëm nuk u dha asnjë qindrakë, por vazhdoi masakrën mbi zonat e tjera, duke e finalizuar me shpërthimin e gazit e llumit mbytës prej puseve në Marinzë. Nuk e dimë, përse shteti nuk po vepron kundër bosëve të “Bankers”, kësaj kompanie koncensionare e cila prej 11 vitesh ka qenë dhe është “dora, simboli dhe epiqendra” e krimit teknologjik, ekonomik, pasuror, mjedisor e njerëzor që helmoi Marinzën e krejt zonën naftë-mbajtëse dhe 69 qendrat e banuara të pellgut naftë-mbajtës Fier-Patos-Ballsh-Kuçovë-Lushnjë, duke bërë masakër në 187 puse, në 132 prej të cilëve nxirrte naftë ilegalisht “nën hundën” e shtetit! Ndërsa “Bankers”, kapardiset në mes të Tiranës e Fierit dhe nuk përfill viktimat e tij në Marinzë as për t’í takuar formalisht, sepse mbrohet nga ministri Gjiknuri dhe qarqe të tjera shtetërore që vijnë “erë naftë”, nga nafta e nxjerrë prej “”Bankers”. Ndërkohë, ministri Tahiri deklaron me mburrje, se do të vazhdojnë arrestimet e… rojeve dhe shitësve të karburantëve, që nuk janë pjesë e pazareve të Gjiknurit dhe krimit të “Bankers”! Gazeta “Telegraf”, do publikoj në vazhdim fakte skandaloze nga pazaret që ka bërë ministri Gjiknuri me kompaninë “Bankers” dhe fakte nga skenari i qëllimshëm i arrestimeve mediatike, bërë me synimin për të shmangur vëmendjen nga krimi ekonomik, financiar, pasuror e mjedisor i “Bankers” në sektorin e naftës dhe në komunitetin ku ka ushtruar veprimtarinë shkatërruese të kërkimit e prodhimit të hidrokarbureve. 
——————————————————————–
Ekspertiza zyrtare pa koment, për helmimin e zonës në Marinzë: Uji, produktet, mjedisi dhe toka 100% të helmuara
Ekspertiza vërteton plotësisht, se shkaqet e shpërthimeve të ndodhura në zonën e Marinzës në Fier, janë krijuar nga veprimtaria e kompanisë “Bankers Petrolium” e cila ka qenë e pa përgatitur si nga ana teknike ashtu edhe organizative, për të përballuar situata të tilla. Ndërkohë, uji i ujësjellësit të fshatit Marinzë dhe i puseve në oborret e familjeve është totalisht i pa përdorshëm. Këto janë përgjigjet, që kanë mbërritur në prokurori, nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore , Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Ministria e Shëndetësisë. Këto institucione, kanë hartuar ekspertizën për atë që ndodhi ne zonën e Marinzës dhe për pasojat që vazhdojnë ende. Prej një muaji, një grup prokurorësh të Fierit, janë duke hetuar lidhur me shpërthimin. Krahas marrjes ne pyetje të administratoreve shqiptare dhe te huaj si dhe banorëve të fshatit ata u kishin dërguar shkresa zyrtare të gjitha agjencive për të përcaktuar saktësisht shkaqet dhe shkallën dëmit. Ndotja në zonën naftë-mbajtëse ku ushtron aktivitetin “Bankers” është shume e madhe, me prani të gazrave të dëmshëm. Vlera e matur e SO2, krahasuar me normën e OBSHE, tejkalon ndotjen në masën 56.1 %. Vlera e matur e NO2, krahasuar me normën e OBSHE, tejkalon normën në masën 49%. Ministria e Shëndetësisë ka nxjerr të papërdorshme të gjithë burimet natyrore. Uji i ujësjellësit të fshatit Marinëz, nuk mund të përdoret për furnizim publik (pirje, përgatitje ushqimesh, higjienë personale), por vetëm për përdorim komunal (tualeti), deri në përmbushjen e kërkesave të cilësisë së ujit, sipas standardit shqiptar në fuqi dhe direktivave të BE. Uji i puseve familjare është 100% jashtë standardit për përdorim, dhe rekomandohet të mos përdoret.
———————————————-
Ja deklarata e ministrit Gjiknuri, bërë në datën 1 prill 2015, përballë banorëve të Marinzës
Përsa i takon situatës në fshatin Marinzë të Fierit, dekalroj nën përgjegjësinë time dhe të qeverisë që përfaqësoj, se çdo gjë është nën kontroll dhe se rëndësi ka jeta e banorëve e cila ju konfirmoj se nuk ka asnjë rrezik. Gazi që është çliruar nuk është helmues, dhe lidhur me këtë situatë kaotike, po punohet për të gjetur përgjegjësitë që ka firma “Bankers”” e cila do të përgjigjet ligjërisht. Ju garantoj këtu se bashku me drejtuesit e firmës, se për çdo dëmtim dhe pasojë shëndetësore, ju do të dëmshpërbleheni 100% brenda javës. Prandaj, qëndroni të qetë mbasi jeta juaj nuk ka rrezik, sepse nga matjet që kanë bërë ekspertët tanë, rezulton se gazi që ka dalë nga puset nuk është helmues as për shëndetin tuja as për tokën , as për bagëtitë e kafshët. Paniku që është përhapur për helmim të ujit, produkteve dhe mjedisit është falsitet. Mos dëgjoni zërat e rrugëve që krijojnë kaos em panik, por besoni këtë që them unë si ministër: gazi nuk është helmues, prandaj vazhdoni jetën normalisht, për dëmtimet e shkaktuara në banesa, prona e të mbjella do të dëmshpërbleheni 100%. 
——————————————————–
Ja elozhet e ministrit Damian Gjiknuri, bërë për “Bankers” në Forumin e CEO-ve, të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, zhvilluar në datën 12 qershor 2014 në qytetin e Fierit, në zyrat e kompanisë “Bankers”
“Bankers”, modeli i investitorëve të huaj në sektorin e naftës në Shqipëri e falenderoj për kontributin e dhënë…”
“… Patëm kënaqësinë të vizitojmë ambientet e punës së “Bankers Petrolium”, kompania më e madhe e naftës, investitori më i madh i huaj në Shqipëri dhe që realisht ka investuar shumë para që kanë transformuar një pjesë të mirë të pasurive të naftës shqiptare. Ka shumë rëndësi serioziteti i investitorëve të cilët i mbajnë këto licenca, pasi kemi qenë dëshmitarë se jo të gjithë ata që i mbajnë këto licenca kanë dashur t’i shfrytëzojnë siç duhet, kanë bërë investimet e duhura dhe si rezultat kanë dhënë atë të mirë që pret publiku nga nafta. Ashtu siç vepron “Bankers”, do të kërkonim nga të gjitha kompanitë që të jenë serioze në investimet e tyre, bashkëpunuese me autoritetet shqiptare që së bashku, atë që unë vazhdimisht e them dhe që dua ta them përsëri, që shteti dhe privati duhet të ecin dorë për dore e të bashkëpunojnë. Në këtë formë, shteti të marrë pjesën e duhur, por njëkohësisht edhe kompanive t’ju krijohet klima e duhur e investimit, në mënyrë që sektori i naftës apo çdo lloj pasurie tjetër nëntokësore të zhvillohet. Ne si qeveri, duam të zhvillojmë jo vetëm nxjerrjen e naftës, por edhe përpunimin e saj në vend. Fatkeqësisht, privatizime jo të mirëmenduara në të kaluarën kanë sjellën dështimin e kësaj industrie. Jemi duke bërë të gjitha përpjekjet që të krijojmë të gjitha mundësitë që prodhimi i naftës të kombinohet dhe me këtë vlerë të shtuar të rafinimit të naftës në vend, prandaj kemi kërkuar bashkëpunimin e shoqërive që edhe ky proces të shkojë përpara. Kjo, në mënyrë që jo vetëm zona e Fierit, por edhe zona të tjera përreth Fierit të kenë mundësi që të mbajnë një punësim konstant, të shtojnë punësimin, ashtu siç ka bërë Bankers, por edhe investitorë të tjerë janë të interesuar. Ka një gjë të mirë, që sektori i naftës është i mirëpaguar, pra janë nga ato lloj punësh që çdo shqiptar do të dëshironte për të ardhurat e tij dhe realisht sa më shumë investitorë të huaj të kemi në këtë drejtim, do të jetë shumë më mirë për vendin. Së fundi, kemi paraqitur ndryshimet e reja në ligjin për sektorin minerar. Kemi lajme të mira që kompani serioze, siç është “Bankers” edhe një nga kompanitë më të mëdha në botë dhe më e madhja në Kinë e cila ka blerë gjysmën e aksioneve të kompanisë që operon në fushën e bakrit në Shqipëri. Ky është një lajm i mirë dhe që ka garantuar një investim të vazhdueshëm në këtë sektor. Ashtu siç shpresojmë t’i jepet fund gjendjes kaotike me fragmentim të licencave që kanë ndodhur do të thoja, për shkak të politikave jo të mirëmenduara. Fragmentimi i të drejtave minerare ka sjellë kaos dhe ka sjellë pengesë për investitorët seriozë. Ne duam që investitorët seriozë si “Bankers”, të kenë garanci tek licenca e tyre, të investojnë për një kohë të gjatë dhe të zhvillojnë zinxhirin e vlerës së shtuar nga minerali. Me zbulimet e reja që kanë ndodhur nga “Shell-Petromanas”, ka një interes të madh nga shumë kompani ndërkombëtare ku “Bankers” dhe kushdo tjetër, është i ftuar që të konkurojë tek blloqet e reja pasi është mënyra më e mirë kur ka shumë kërkesa për të njëjtin bllok. Dikur gjërat bëheshin me lidhje të shkurta, por lidhjet e shkurta nuk krijojnë siguri dhe jetëgjatësi në kontrata. Ajo që krijon siguri është mënyra transparente e marrjes së një kontrate, bërja e kësaj transparence dhe patjetër kjo sjell qëndrueshmëri të kontratës, pavarësisht nga ndryshimet politike që mund të ndodhin në Shqipëri dhe që është gjë normale në çdo lloj demokracie. Edhe njëherë më jepet rasti t’ju falënderoj për punën e bërë, për organizmin e këtij aktiviteti. Falënderoj “Bankers” dhe të gjithë investitorët e tjerë që janë në këtë tavolinë. Ju faleminderit edhe njëherë.
Sigal