Marcio Sampaio: “Vllaznia, Sfidë vendimtare për ne”

542
Sigal

Trajneri portugez i Partizanit: “I respektojmë shkodranët, por na kënaq vetëm fitorja”

Partizani është në prag të një prove të vështirë, atë ndaj Vllaznisë në “Loro Boriçi”, e para nga tri sfidat e ferrit duke përfshirë këtu edhe përballjet e mëpasshme me Skënderbeun (në Tiranë) dhe Teutën (në Durrës). Trajneri i komanduar i të kuqve, portugezi Marcio Sampio, është i vetëdijshme për rëndësinë e takimit, ndaj një Vllaznie që ka nevojë urgjente për pikë të plota, kjo nisur edhe nga fakti se, shkodranët ndodhen aktualisht në zonën e rënies. “Vllaznia rezulton një përballje tepër e rëndësishme për ecurinë tonë në këtë moment të kampionatit. Jemi të qetë dhe po punojmë fort këto ditë për të përballuar me sukses transfertën e Shkodrës”, – tha pasuesi i Likës në stolin e kuq, në konferencën e tij për mediat. Partizani vjen pas fitores me Lushnjën (dy gola të Memellit), ndërkohë që Vllaznia pas humbjes 3-2 me Kastriotin në Krujë. “Çdo ndeshje është e rëndësishme për vetë ngjeshjen e ekipeve në tabelën e renditjes, shpresoj që edhe këtë javë të ruajmë ritmin duke dalë me një rezultat pozitiv nga ky 90-minutësh. Respektojmë Vllazninë, por ne jemi Partizani dhe do të luajmë të gjitha shanset tona për ta fituar ndeshjen”.

 – Sampaio, pas fitores me Lushnjën në “Qemal Stafa”, Partizanin e pret një ndeshje e vështirë në Shkodër. Sa është e përgatitur skuadra për ta përballuar këtë takim?

 – Po punojmë fort për ta fituar këtë përballje. E respektojmë edhe kundërshtarin, i cili gjithashtu, ka nevojë për pikë. Ne respektojmë këdo, por duhet të fitojmë se jemi Partizani.

– A njihni kundërshtarin e radhës?

– Normal që e njoh, pasi kam e kam vëzhguar kundërshtarin. Kjo është puna ime tani, të kem ide të qarta për çdo skuadër. Kam parë disa ndeshje dhe kështu që e kam të qartë se si luan Vllaznia. Në varësi të kundërshtarit përgatitet skuadra, gjë të cilën kemi bërë gjatë këtyre ditëve.

A mund të themi se në Shkodër do të shikojmë Partizanin e Marcio Sampaios?

– Është e pamundur të bësh ndryshime të mëdha në një apo dy javë. Nevojitet tre muaj kohë për të krijuar një skuadër sipas ideve të trajnerit. Unë kam rreth dy javë në këtë detyrë, kështu nuk priten ndryshime të mëdha, por duhet të fillojmë ndryshimin e kërkuar. Pra duhet të përmirësohemi në çdo kohë.

– A priten ndryshime në formacion për takimin me Vllazninë?

– Është e vërtetë ajo që kam thënë se kur fiton nuk ka arsye të ndryshon formacionin, por lëvizje mund të ketë, pasi këto varen nga shkaqe të ndryshme.

– Cila do të jetë strategjia?

– Strategjia, nga kundërshtari që ke përballë, nga paraqitja e lojtarëve në stërvitje, si dhe nga gjendja fizike dhe shëndetësore e futbollistëve. Pra këto janë rastet kur bëhen ndryshime në formacionin fitues.

– A do të shohim një Partizan sulmues, apo do të luani me kundërsulm?

– Ajo që mund të them, është se në Shkodër do të shikoni Partizanin. Për mua ai është agresiv, një skuadër që duhet të luaj mirë, të ushtroj presion ndaj kundërshtarit. Një skuadër që duhet të luftojë për çdo top dhe që të fitojë ndeshjen. Nuk e konceptoj ndryshe një skuadër fituese pa këto komponentë.

– Ju nuk keni qenë në takimet e para kundër Vllaznisë, në kampionat dhe në kupë,

– Mund të themi se Vllaznia është një provim për trajnerin Marcio Sampaio?

– Kam kryer shumë provime, të cilat i kam mbaruar në shkollë. Kështu që nuk dua të studioj më dhe kështu që te Partizani nuk jam për provime, pasi i kam mbaruar me kohë. Dëshiroj që të mos flisni më për çështjen time si trajner, pasi nuk do të përgjigjem më rreth të ardhmes sime që ka të bëjë me detyrën që ushtroj. Presidenti, bordi, lojtarët dhe tifozët ma japin mbështetjen që më duhet për të qenë këtu.

– Ndaj Lushnjës, Memelli ishte pikë referimi, a do të jetë kështu edhe në Shkodër ku gjithçka do të fokusohet tek ai?

– Kur luan si grup dhe ke pikë referimi, padyshim që është normal për tu fokusuar te ai. Por nuk e stërvit ekipin që të luaj vetëm për Memellin. Partizani ka treguar se ka disa lojtarë që mund të referohet, por ndaj Lushnjës më me fat ishte Memelli që shënoi 4 gola. Gjithsesi, Memelli mbetet pikë reference në sulmin e Partizanit.

Tri ndeshjet e fundit mund të jenë jetike për Partizanin, pasi keni mundësinë që të hapni kampionatin dhe të jeni pretendent real për titullin?

– Këto tre ndeshje, Vllaznia, Skënderbeu dhe Teuta vërtetë janë ndeshje të vështira, që mund të hapin kampionatin. Por nëse fitojmë këto tre takime dhe mundemi në tre ndeshjet pasuese, kampionati mbyllet sërish. Ne mendojmë rreth këtyre tre ndeshjeve, por duhet që t’i marrim me radhë dhe së pari duhet të fitojmë ndaj Vllaznisë, më pas të mendojmë për Skënderbeun e me radhë.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA XX

Të shtunën, 22 mars

Laçi-Teuta   14:00

Lushnja-Bylis 14:00

Kukësi-Flamurtari 14:00

Skënderbeu-Kastrioti 17:00

Të dielën, 23 mars

Vllaznia-Partizani 13:00

Tirana-Besa 18:00

RENDITJA

Ekipi                          DG P

1     Skënderbeu +13 38

2     Partizani             +4   30

3     Teuta                  +4   29

4     Laçi                     +3   28

5     Besa                    +2   28

6     Kukësi         -1    27

7     Flamurtari           +1   26

8     Bylis                   +1   23

9     Vllaznia       -1    22

10   Kastrioti             -5    21

11   Tirana          -9    19

12   Lushnja        -12  19

Projekti i kuq

 Trajneri portugez, Marcio Sampaio, është afruar te Partizani gjatë merkatos dimërore dhe ka punuar me skuadrën duke nisur nga faza përgatitore ne Antalia të Turqisë, si ndihmës i Hasan Likës. Tani, prej më shumë se dhjetë ditësh ai është trajneri i parë i ekipit. “Jam përpjekur të transmetoj idetë e mia tek lojtarët, por jam i vetëdijshëm që 2 javë janë të pamjaftueshme për të arritur shumë shpejt te ajo paraqitje që presin të gjithë. Kam gjetur një atmosferë tepër pozitive këtu dhe kam mbështetjen e duhur nga të gjithë. Unë besoj tek projekti i Klubit dhe ky fakt më bën mjaft optimist dhe më motivon edhe më shumë të jap maksimumin tim në këtë skuadër”.

 Kalendar “ferri”

 Vllaznia, Skënderbeu, Teuta. Ky është kalendari i Partizanit deri në përfundim të fazës së dytë, i konsideruar edhe si një kalendar “ferri” për të kuqtë. Partizani pozicionohet pas Skënderbeut kryesues me tetë pikë diferencë. “Demat” kanë mundësi që në këto javë të mbetura të ballafaqohen me dy pretendentët kryesorë, kampionët korçarë dhe Teuta, e cila ka një pikë më pak. Nëse Partizani do t’i kalonte me sukses këto tri sfida të radhës, pa dyshim që skuadra do të bënte një hap të madh drejt realizimit të ëndrrës, fitimi i titullit kampion. Të dielën të kuqtë janë mysafirë në Shkodër, ku përballë kanë Vllazninë, e cila ndodhet buzë “greminës” dhe luan vetëm për fitore. Një javë më pas Partizani pret në kryeqytet Skënderbeun, ndërsa fazën e dytë e mbyll në transfertën e Durrësit. Këto tri ndeshje kanë rëndësi edhe në përcaktimin e kalendarit të Partizanit për fazën e tretë.

  Edmond Gëzdari, drejtor teknik i Kukësit

 Edmond Gëzdari është drejtori i ri teknik i Kukësit, duke zënë vendin e lëne bosh nga Sulejman Starova bëri qe Kukësi të gjente dhe drejtorin teknik që do të drejtojë ekipin verior në të ardhmen. Kujtojmë se, ish-trajner i portierëve tek Kukësi ka qenë vëllai i tij, Dashamir Gëzdari, i ndarë nga jeta vetëm pak javë më parë si pasojë e një ataku kardiak. Kështu Kukësi kompleton dhe stafin teknik dhe me shumë mundësi do të jetë ky staf deri në përfundim të sezonit. Kukësi ndodhet në vendin e 6-të në renditjen e Superligës dhe objektiv është pjesëmarrja në Kupat e Europës.