Maratona e një projekti të suksesshëm dhe Poliklinika e Laprakës

1231
Halil RAMA

Konkurrimi me projekte dinjitoze është çelësi i suksesit të një institucioni. Për këtë ka dhjetëra raste suksesesh, ose dështimesh. Fjala është për projekte nga të cilët institucione publike ose jo publike mund të përftojnë fonde apo investime nga grantet e qeverisë, por dhe nga donatorë të ndryshëm vendas apo të huaj. Kërkesa për projekte të mirë përgatitura, me argumente që rrjedhin prej studimesh të mirëfillta është përsëritur disa herë nga kryeministri Rama, nga ministrat e kësaj qeverie apo dhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Nga konsiderimi i kësaj kërkese me seriozitetin e duhur kanë përfituar dhjetëra institucione, ndërkohë që ka të tjerë që presin ç’ju bjerë nga qielli. Shembulli më domethënës është Poliklinika e Njësisë Administrative Nr.11 (Laprakë) në kryeqytet. Deri para katër vitesh ajo ishte një godinë që në sytë e publikut linte shumë për të dëshiruar. Madje, i ngjante një gërmadhe, ku në vend që të merrje prej saj përkujdesjen e duhur shëndetësore, rrezikoje të sëmureshe edhe më keq. Në këtë gjendje mjerane e mori drejtimin e saj Dr. Ramazan Buci, një pediatër me mjaft reputacion për përgatitjen profesionale dhe mbi të gjitha për shpirtin human, të dëshmuar prej afro katër dekada në shërbimin ndaj pacientëve, në vendlindjen e tij Fushë Çidhën, në spitalin e Peshkopisë dhe që nga viti 2000 mjek pediatër në Qendrën Shëndetësore të Laprakës. E nisi drejtimin e Poliklinikës me evidentimin e problematikës që konsistonte në: largimin e qytetarit nga oborri i pasmë i Qendrës Shëndetësore, i cili kishte një dekadë që e kishte “pushtuar”; rehabilitimin e oborrit të mbjellë me perime e hardhi, të mbushur me mbeturina e hekurishte që përbënin vatër infeksioni si dhe rikonstruksionin e kanaleve të ujërave të bardha e të zeza, të cilat bashkoheshin dhe, që prej dhjetë vitesh, grumbulloheshin në bodrumin e kaldajës. Për një mjek emër mirë si Ramazan Buci, i cili në janar 2014 fitoi gradën “Doktor i Shkencave Mjekësore”, pasi përgatiti dhe mbrojti temën: “Aspekte epidemiologjike dhe klinike mbi astmën bronkiale te fëmijët” dhe që vijon si pedagog i jashtëm në Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike të Universitetit Mjekësor të Tiranës, gjendja ishte e patolerueshme. Ia prezantoi për herë të parë, në fillim të 2014-s, ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja, këtë tablo të gjendjes së mjerueshme të Qendrës Shëndetësore që iu shërbente dhe iu shërben afro 70 mijë qytetarëve, bashkë me projekt-preventivin për rikonstruksionin dhe ndërtimin e një kati shtesë të Qendrës Shëndetësore. E përsëriti këtë kërkesë po atë vit edhe në Ministrinë e Financave (ish-ministrit Shkëlqim Cani), por gjendja sa vinte e përkeqësohej. Veçanërisht bodrumi i mbushur me ujëra të ndotura, rrezikonte shembjen e gjithë godinës së Poliklinikës. Ndërkohë, Drejtori i saj. Dr. Ramazan Buci , “Qytetar Nderi i Bashkisë Dibër” dhe që nga viti 2015 anëtar i Këshillit Bashkiak të Bashkisë së Tiranës nuk nguroi për të trokitur në të gjitha dyert, nga mund të garantohej implementimi i projektit të tij. Dhe më në fund, bashkëpunimi i frytshëm me “Save the children” dhe Ministrinë e Shëndetësisë mundësoi transformimin rrënjësor, rikonstruksionin tërësor, shtesën e një kati dhe ndërtimin kësisoj të Poliklinikës model të Laprakës. Në vetëm katër vite të drejtimit të saj, duke zbatuar edhe përvojën si ish-Drejtor i Kujdesit Shëndetësor Parësor të Dibrës, Dr. Ramazan Buci ia ka dalë ta shndërrojë atë në një institucion të standardeve evropiane. Implementimi i këtij projekti mundësoi zëvendësimin e pajisjeve të vjetra laboratorike me pajisje të reja bashkëkohore, duke u zgjidhur definitivisht problematika e pacientëve me laboratorin. Dhe jo vetëm kaq. Me shtesën e katit dhe rikonstruksionin tërësor iu dha zgjidhje problemit të recepsionit, i cili kishte në dispozicion vetëm një metër katror; u stabilizua definitivisht konsultoria i fëmijës ku në të kaluarën shërbenin tre mjekë dhe shtatë infermiere vetëm në një dhomë me një aneks si dhe shërbimi i konsultorit të gruas. Në tërësinë e tij, ky investim krijoi akses për perfeksionimin dhe ngritjen e shërbimit shëndetësor në Njësinë Administrative të Laprakës në nivele bashkëkohore. Këtu tashmë kryhen shërbime të pothuajse të të gjitha specialiteteve mjekësore nga një staf mjekësh me përkushtim dhe kompetencë profesionale. Dhe ata nderohen e respektohen nga pacientët e nga komuniteti. Kështu, vlerat njerëzore çmohen nga njerëzit e mençur. Kjo sentencë, bashkudhëtare e historisë së njerëzimit, gjen mishërim të plotë në këtë institucion të kujdesit shëndetësor që drejtohet me kompetencë e profesionalizëm nga Dr. Ramazan Buci, i cili në përditshmërinë e tij mbetet një nga figurat më interesante si përfaqësues i elitës intelektuale shqiptare. Thelbi i mendimit dhe veprimit të tij qe rezultativ edhe që në këtë projekt dëshmoi se parësore është konkurrenca në vlera. Ai besoi dhe dëshmoi, se njeriun në jetë e mban vetëm dija. Një miqësi me dijen nuk ka moshë, por mbetet e përjetshme. I qetë, i pjekur, shumë i kulturuar, nuk pajtohet me asnjë devijim nga parimet e virtytshme dhe njerëzore. Kuptohet, në këtë nismë ai ishte individi dhe jo institucioni, por idetë, projekti dhe praktika e tij i shërbyen shumë një institucioni, një misioni kaq fisnik.
Sigal