Maratona e martesave të një burri 66 vjeç… rimartohet me gruan e 20-të

715
Nën këmbët e malit të Çervenakës, pranë një përroi ndodhet një ish- ndërtesë e kapanonit të aksionistëve, gjatë ndërtimit të Hekurudhës Librazhd –Guri i Kuq. Kjo ndërtesë njëkatëshe prej shumë vitesh është përshtatur në një banesë të thjeshtë, ku jeton një burrë rreth 66 vjeç, Nevrus Demollari, i martuar dhe i ndarë 20 herë dhe para pak ditësh rivuri kurorën me një nga 20 gratë e ndara. Një miku im që është fqinj me Nevruzin më thotë: – Eja dëgjoje Lulën se ka një jetë interesante. U ulëm në një lokal buzë liqenit. Nevruz Demollari është një burrë i zakonshëm me një trup të drejtë muskuloz dhe shikim të mprehtë, i cili tymoste cigare njëra pas tjetrës. E veçanta e këtij burri qëndronte se të gjithë në fshatin e tij, Memëlisht flisnin me respekt për punën e tij, por njëherazi shpreheshin “sa keq e ka dënuar jeta Lulën”, siç e thërrisnin bashkëfshatarët e tij. Nevrus Demollari jetonte në këmbët e malit të Çervenakës në një ndërtesë njëkatëshe që dikur është ngritur si kapanon ku banonin aksionistët gjatë ndërtimit të hekurudhës Përrenjas–Pogradec. Për jetën e tij krejt të veçantë ai vendosi të rrëfehet. 

Për mua, thotë Lula, kush mendon se është i lumtur në këtë jetë, unë them se gabohet. Jeta e vërtetë nuk është një telenovelë, mua që më sheh përballë teje jam goditur nga kjo jetë si askush tjetër. Më ka shkuar jeta rrokullimë. Jam martuar plot 20 herë dhe vetëm me celebrim kam plot 15 gra, ndërsa për 5 të tjera që i kam mbajtur nga 5-6 muaj nuk kam bërë celebrim. Natyrshëm do të pyesësh ti: pse kaq shumë gra në jetën tënde? 
Ja, po ia fillojmë me radhë, shton Lula. Sapo kam mbaruar ushtrinë siç e kemi zakon ne nga fshati në vitin 1971, u martova me një vajzë nga Lushnja, e quanin Violeta. Ishte vërtet vajzë e mirë dhe filluam ta donim njëri – tjetrin. Madje lindëm edhe një vajzë, por ajo fatkeqësisht na vdiq pak muaj pas lindjes. Kaluam gati mbi një vit e gjysmë jetë të qetë. Unë atëherë punoja në kooperativë si karrocier. Krejt papritur një natë vjen vjehrri, babai i Violetës më thotë: do të më japësh lekë për vajzën time që të kam dhënë apo jo? Çfarë lekë, i them unë! Kur unë ika në punë në mëngjes e merr të bijën me vete në Lushnjë. Më pas më dërgon haber se vajzën nuk e sjell tek ty. Shkova ta kërkoj në Lushnjë, por më thanë se e kishte shitur të bijën me lekë në një fshat të Lushnjës duke ia dhënë një burri që i kishte dhënë para. Më thanë në Lushnjë, se babai i Violetës njihej si batakçi. 

Pas kësaj goditje që pësova, me miqësi më rekomanduan një grua që i kishte vdekur burri nga Pogradeci. E quanin Leni dhe ishte me tri vajza. U josha ta marr që me anën e saj të bëja pasaportizimin në qytetin e Pogradecit. Por pas dy vjetësh edhe nga ajo u ndava: ishte tekanjoze dhe nuk na piqej gjëkundi karakteri. Edhe tri vajza të vogla që kishte i mori me vete…
Më thanë të afërmit të marrim një vajzë nga fshati se ato janë të vuajtura dhe janë për shtëpi. Mora një vajzë nga Trebinja e Mokrës, quhej Nebije, por edhe me Nebijen pas një viti u ndamë nuk piqeshim gjëkundi. 

Pa kaluar disa muaj më rekomanduan një grua nga një fshat i thellë i Hondishtit. E quanin Hilmie dhe tek unë erdhi shtatzënë. Lindi një djalë dhe ia vumë emrin Flamur. Pa kaluar një vit e gjysmë për grindje të vogla iku edhe Hilmia. 
Në vitin 1978 një shok nga Cërriku më rekomandon një vajzë. E quanin Shpresa, kjo më ka sjellë jo pak telashe, madje bëra dhe 6 vjet burg. Me Shpresën filluam të kalojmë mirë më shumë se një vit. Në vitin 1979 fare pranë shtëpisë sonë kalonte hekurudha dhe Shpresa na plekset me një teknik ndërtimi të hekurudhës dhe fillon aventurat me të. Fillova të dyshoj. Një ditë e kapa me teknikun duke bërë dashuri. Tradhtinë nuk e duroja. Bëra një thikë me majë tek kovaçi dhe vendosa të hakmerresha duke i prerë veshët dhe buzët. Duke u përleshur me Shpresën, nuk munda t’i pres veshët dhe buzët. E qëllova 5 herë me thikë në shpatull, shpëtoi mrekullisht nga vdekja për 1 cm thika i kapte organe jetike. Desha të shtoj se Shpresa atëherë ishte shtatzënë dhe e dështoi fëmijën. Dhe vajta tek fija e perit. Nëse mamia dhe doktori do të lëshonin raportin që fëmija vdiq nga plagët, atëherë për mua kishte ose dënim me burg të përjetshëm dhe më e pakta ishte 25 vjet. Gjyqi më dënoi vetëm 7 vjet burg duke e quajtur veprimin tim në kushtet e një krize nervore të kapjes në flagrancë. Fillimisht më çuan në Bulqizë, aty qëndrova një vit e gjysmë dhe më pas më transferuan në Papër të Elbasanit. Në Papër erdhi më pa Shpresa. E penduar më kërkoi falje dhe pas burgut ta rifillonim jetën përsëri por nuk e honepsa dot. Ik, qërohu, i thashë, tradhtinë nuk e fal unë. Ajo qau, por lotët e saj mu dukën si prej krokodili. Më pas më çuan në Përparim të Sarandës. Unë punoja në burg si kafshë pune dhe bëja normën 225 % dhe nga kjo mu ulën 11 muaj burg. Pas 6 vjet burg dola i traumatizuar. Iu përvesha punës. Fillova të punoj në stacionin e trenit si hamall. 
Një i njohur nga Tirana që m’i dinte hallet më premton se do të më gjejë një grua për të qenë. Dhe vërtet më gjeti një tiranase që e quanin Vjollca. Ishte e përkryer. Kaluam gati dy vjet shumë të lumtur. I kisha treguar edhe për burgun dhe ajo m’i fali të gjitha. Krejt papritur na vjen një vajzë e dajës së Vjollcës dhe e merr Vjollcën me vete. Ajo iu thotë të afërmve të saj se unë kam qenë në burg. Vëllai i saj ishte oficer në Ministrinë e Brendshme dhe ma hoqën nga duart Vjollcën. Më ka ardhur shumë keq për të dhe kam qarë me dhimbje; ishte e përkryer nga të gjitha anët, e bukur, nikoqire, kishte një fisnikëri që më kishte munguar.

Pas Vjollcës fati më çoi tek një cigane nga Elbasani që e quanin Natasha. Ajo erdhi me dy vajza. Ngeli shtatzënë me mua dhe lindi një djalë. Emrin ia vumë Oliver. Çuditërisht nuk ma donte djalin, ia theu me dorën e saj dy gishtat e dorës. E përzura nga shtëpia. Fillova të kujdesem vetë për djalin që ma la një vit. Pas një viti e rimora Natashën, vinte më lutej, por ajo nuk kishte ndryshuar, vazhdonte ta rrihte djalin sistematikisht. Në gjendje të rëndë kur djali ishte katër vjeç e çojmë në spital, ku iu nënshtrua një operacioni, mjekët dyshonin për ngatërrim zorrësh, por nga dhuna e Natashës fëmijës i kishte rënë gjaku në mushkëri. Kështu më thanë kirurgët e spitalit te Pogradecit Qirici dhe Xhevahiri që e operuan. Jeta ime shkonte nga skëterra në skëterrë, një rrokullimë që nuk kishte fund.

Pas pak muaj martohem me një Ismete, punonte fatorino treni dhe me Ismeten ende pa kaluar një vit edhe nga ajo u ndava, nuk na poqi karakteri.
Nga viti 1997 kam marrë një grua tjetër nga Tirana, quhet Mimoza ka qenë e martuar në Pogradec me një marangoz, por pas vdekjes të së shoqit e mora unë. Ishte me dy fëmijë: një djalë dhe një vajzë. Me Mimozën e shtyva më gjatë, gati 12 vjet. Sapo djali i saj mbaroi ushtrinë dhe vajza shkollën e mesme në Hudënisht ata u larguan të tre pa më pyetur fare në drejtim të Tiranës. Moza ishte e stresuar, para dy vjetësh tentoi të varej, por e shpëtoi i biri… Moza gjithë ditën shikonte telenovelat në televizor, gjithsesi Mimoza ka qenë më jetëgjata me mua. Plot 12 vjet jetesë të shtyrë me stëngza siç themi ne këtej nga fshati. Dhe erdhi një ditë që pas ushtrisë djali u martua në Tiranë dhe së bashku me Mozën dhe të motrën u larguan në Tiranë duke më lënë vetëm fotografinë. Ndërkohë që Nevruzi nuk e duron vetminë dhe një shoku i tij i gjen gruan e 20, një grua nga Korça. Nuk e di si do të eci fati im. Ndërkohë që Nevruzi është prekur, boll tregova o gazetar, thotë ai dhe ndez një cigare tjetër. Ky është fat dhe me fatin nuk hahesh dot, pse thonë bashkëshortë, hedhin short dy veta të jetojnë bashkë, të poqi mirë, s’të poqi do të hedhësh përsëri short. Por, thotë Lul, siç i thonë bashkëfshatarët. shorti im ka qenë i gabuar dhe me rreth 20 gra që kam pasur marrëdhënie 15 kanë qenë të celebruara, 5 pa celebrim, vetëm dy kam në mendje dhe i kam plagë në shpirt: për të parën Violetën nga Lushnja dhe për Vjollcën nga Tirana, ndërsa të tjerat kanë qenë si fishekzjarrë, janë shuar dhe janë harruar menjëherë. Kur krejt papritur një buzë mbrëmje shoh në oborrin e shtëpisë Mimozën. Nuk e di, por u fut brenda në shtëpi dhe më tha se kam ardhur të jetoj me ty. E pranova, pra rimora njërën nga 20 gratë e jetës sime.

Jeta ime ka qenë e zezë ore miku im, thotë Lula. Kam punuar me ndershmëri dhe gjithçka e kam krijuar me djersën e ballit. Rrjedh nga një familje fshatarësh me tetë fëmijë. Kisha tre dynym tokë, e shita një pjesë dhe rregullova shtëpinë, kam dhe 1800 m. Punoj nga mëngjesi deri në darkë. Marr çdo pranverë një tufë me dele dhe i shes në dimër. Fitoj goxha, madje bëj dhe dru në mal me mushka dhe i shes. Më shikon mua, 66 vjeç burrë udhëtoj tre orë deri në Jam të Homezhit që bëj dru. Vetëm në mes të pyllit ndjehem mirë, atje, i vetmuar. Ato çaste që jam në pyll jam i lumtur, kuvendoj me fëshfërimën e erës dhe me këngët e zogjve, vetëm aty nuk më prishet gjaku. Lula thonë bashkëfshatarët e tij ka qenë i pari në shkollë, sidomos në matematikë, gjithë shokëve iu zgjidhte problemat. Ishte këngëtar e valltar i dalluar e merrnin në grupin artistik të rrethit që konkurronte në festivalin folklorik të Gjirokastrës. Lula, thonë ata, është punëtor dhe jeton me djersën e ballit pa i pasur borxh askujt. Vetëm për një gjë, thotë Lula, i jam borxhli zotit, më ka dhënë shëndetin dhe nuk kam vuajtur asnjëherë nga shëndeti nuk kam pirë asnjë hapje në jetën time.

Por thotë Lula në mbyllje të bisedës, mua vërtet më ka goditur jeta, por nuk do të thotë se nuk ekzistojnë dashuritë e vërteta se nga dashuria lind jeta …Por, thotë Lula, ky vrull që ecet sot për mbijetesë nuk të le kohë për t`u dashuruar…Si i thoshin një fjale që ka mbetur nga të moçmit “dashuria e vërtetë është pronë e të varfërve se të pasurit e blejnë me para …”.
Sigal