Manjani sulmon kryeministrin Rama: Protesta e opozitës legjitime, zgjedhjet të rrezikuara nga kanabisi

496
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka bërë një deklaratë të fortë, teksa ka komentuar protestën e opozitës, e nisur prej ditës së djeshme. Ai e ka quajtur tërësisht legjitime protestën e opozitës dhe kërkesën e saj kryesore, që më 18 qershor të mbahen zgjedhje të lira dhe demokratike. I ftuar në “Ora News”, Manjani theksoi, se kaq mjafton, që opozita të ftohet nga mazhoranca për t’u ulur në një tavolinë dhe të diskutojnë për të zgjidhur ngërçin politik. “Ka shumë socialistë sot që nuk janë me “Rilindjen”, por janë të detyruar të bashkëjetojnë me të. Të ulemi në tryezë politike, ndërpartiake. Duhet të ulemi. Opozita kërkon garanci për zgjedhje. Çfarë na duhet më shumë se kaq. Duhet të ulemi në tryezë. Nuk ka faj opozita që qeveria qeveris keq. E dëgjova dhe kryeministrin, krahasohemi me të shkuarën. Nuk është normale kjo”, u shpreh ish-ministri i Drejtësisë. Ylli Manjani komentoi edhe deklaratën e Kryeministrit Edi Rama, që sot tha se protesta e opozitës është për shkak të frikës nga reforma në drejtësi. Këtë tezë të Kryeministrit, Manjani e quajti, një alibi të Ramës për t’iu shmangur realitetit dhe që përdor justifikime që nuk janë normale. “Pretendimet e opozitës duhen marrë seriozisht, duhen trajtuar një e nga një. Duke filluar nga kanabizimi i shoqërisë deri te reforma zgjedhore. Mos të ngatërrojmë temat. Se nuk ka faj reforma në drejtësi, përse opozita nuk hyn në Parlament. Ka ikur frika e reformës në drejtësi. Është turp e faqja e zezë! Duhet ta pranojmë këtë gjë. Kjo është arrogancë, nuk është teori. Reforma në drejtësi ka filluar dhe nuk kthehet. Të ulemi në tryezë politike dhe të shpëtojmë opozitën nga bojkoti i parlamentit. A jemi të shqetësuar për reformën në drejtësi? Po si do ta bëjmë, pa opozitën? Po jo mo, duhet ta ftojmë dhe opozitën”, deklaroi ish-ministri Ylli Manjani.
Sigal