Manaxhimi i ujit në Tiranë apo propaganda e rradhës. Kujt i mungon uji?

1039
DR: Vladimir Mici

Problemi i ujit në kryeqëndrën e Shqipërisë Tiranën është ende pa zgjidhje. Pa dashur të përfshihem në politikën e ditës që lidhet me fushatën dhe për t’iu shmangur ngjyrimeve politike po jap opinionet e mia për manxhimin e fondeve publike të bashkisë së Tiranës në lidhje me ujin e pijshëm. Jetojmë në kryeqëndrën e Shqipërise, Tiranë. Tirana për ne është si Londra për anglezët, New Yorku për amerikanët. Parisi për francezët, Berlini për gjermanët, Athina për grekët, Roma për italianët. Këto qytete mbi 5 milionë banorë e vuajnë edhe ato thatësirën e verës ndoshta edhe pak më keq se ne, por ata kanë ujë, nuk u ndërpritet uji dhe, aq më shumë, të mendojnë të furnizohen me bote. Kjo ndodh në Tiranën e shekullit të 21-të. Krahasimet në media janë një turp. Deklarimi, të themi sot se ka zona në Tiranë që nuk u shkon uji për 24 orë ose të deklarohet se e kemi të pamundur, duke renditur 1000 arsye nga ato më qesharaket deri në ato më seriozet, kjo është mungesë kulture pune deri në paaftësi profesionale. E thënë shkoqur, s’dimë të të manaxhojmë. Po përse? Ujë duhet të ketë çdo shtëpi në çdo skaj të Shqipërisë, pasi natyra e ka bekuar këtë vënd, këtë popull me ujëra nga të gjitha anët dhe janë të gjitha mundësitë siç edhe kanë qenë edhe më parë që në çdo orë të ditës apo natës në rubinetat e çdo shtetasi të kishte ujë. Por ujë s’kishte dje, s’ka as sot. Por pyetja më e pakuptimtë lind për Tiranën; përse s’ka ujë në Tiranë. Ҫfarë i mungon Tiranës? Uji. Jo. Tubacionet jo. Paratë jo. Ngelet vetëm administrimi i këtij uji. 

Arsyet janë të shumta por po e nis nga ato që të paktën lançohen nga mediat e shkruara dhe digjitale, 

1- Se burimet janë kufizuar, burimet kanë rënë, thatësira ka përpirë dheun. Po mund të jenë të vërteta, por ne jemi brezi i shekullit të 21-të. Nuk jemi të varur nga moti për ujë, nuk jemi të varur nga thatësira për bukë. Njerëzimi ka zhvilluar shkencën e programimit, ka zhvilluar dhe thelluar dijet për të parandaluar dhe eleminuar apo zbutur efektet natyrore. Po përse në Bashkinë e Tiranës dhe UKT Tiranë këto shkenca nuk zbatohen. Përse lejohet të vidhet dhe shpërdorohet uji?
Nëse u hedh një sy fushave apo kodrinave ajo thatësira e trumbetuar është një mashtrim i madh. Pra kemi të bëjmë thjesht me një metodë për t’iu shmangur problematikave që vijnë nga disa arsye. Arsyeja themelore është se ky ujë nuk është administruar si duhet. Zona Unaza e re e KMY-ja ka dy muaj, që më datën 3 maj që uji nuk u vjen. Biles mund të thuhet se tani pas vënies dorë vjen me shumë ujë se sa në 3 maj e pas edhe pse burimet janë më të vogla. Mos duhet të themi që s’kishte ujë që më 3 Maj, kur niveli i hidrocentraleve dhe digave paraqitet me gjëndjen maksimale dhe prilli dhe maji përfaqësonin muajt e shirave të pranverës. A ka rënë shi në Prill dhe Maj. Plot sa të duash. Ajo që ka ndodhur është se strategjia dhe taktika e ndjekur për garantimin e një furnizim i me ujë të pandërprerë, të pastër cilësisht dhe i shtuar në periudhat e pikut nuk ka funksionuar për të mos thënë nuk është e zbatuar. Po përse?

Sipas strategjise së zhvillimit për ujë për Tiranën për vitet 2013-2018 qëllimi strategjik ka synuar në vitin 2018 me 20 orë ujë pa ndërprerje, ndërsa UKT në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës do të arrinte këtë objektiv që gjatë vitit 2017 me kusht synimin e një furnizimi të pandërprerë për 24 orë. Nga të dhënat e disponueshme për vitet e kaluara rezulton se kjo do të arihej nëpër një rrjeti masash të mirë organizuara dhe në vitin 2015, 2016 dhe jo më në 2017.

Duke vërejtur tendencën e zhvillimit strategjik, e cila ka nisur nga viti 2011 rezulton se popullsia ka pasur një mesatare prej 11-12 orë ujë në ditë mesatarisht, pasi ka zona ku mbulimi ka qenë inekzistent. Po kaq është edhe sot. Kështu që ka pasur zona pa ujë dhe zona me bollëk uji. Zona më bollëk uji kanë qënë ato sa më pranë burimeve të mëdha dhe sa më larg burimeve dhe qendrave të bizneseve aq më të vogla kanë qenë oraret dhe furnizimim me ujë i popullatës. Zona e Unazës së re, KMY-s apo Misto Mames janë zonat ku problemi ka vite që buçet në veshët e Bashkisë, Ujësjellësit si një zonë problemtatike me ujë jo cilësor dhe i pamjaftueshëm. Kjo është një zonë në proces zhvillimi, ku numri i banorëve ka kaluar mbi 60 mijë, pavarësisht regjistrimit në zonë për shkak të regjistrimit të pronave, pallateve me furnizim me puse, të cilët janë të ndotur dhe që përbëjnë shkaqje të mundshme të shpërthimit të epidemive dhe për më tepër kjo zonë ka një plan zhvillimi të miratuar në KKRT e Republikës. Situata me puse jashtë kontrollit higjeno-sanitar me cilësi uji jo normale me kufizime te theksuara uji, me furnizime me bote, të cilat sjellin llum dhe një ujë që krijon problem në lëkurën e fëmijëve dhe alergji dhe duhet të kishte alarmuar Bashkinë dhe qeverinë (së cilës, për hir të së vërtetës, nuk ia ndien për shëndetin e qytetarëve për cilësinë e ujit në këtë zonë). Ajo nëpërmjet Drejtorisë së shëndetit publik duhet të analizonte në çdo qoshe të kësaj zone pallatet që furnizohen me ujë pusi, të kryente kontrollin e cilësisës së ujit në rubinetat e qytetarëve për ujin e shkarkuar nga autobotet e vendosura nga Bashkia, pasi uji në një pjesë të madhe mbushtet në puset e hapura nga mjediset e zjarrfikëseve pranë Inxhinierisë së ndërtimit dhe se zjarfikset nuk plotësojnë kushtet minimale higjeno sanitare për furnizimimin me ujë. Drejtoria e shëndetit publik duhet të ishte në terren për të kryer disinfektimet e zonës nga plasja e epidemive që vijnë nga mungesa e ujit, nëpërmjet transmetuesve të tillë si insektet dhe fluturat e mushkonjat që gjallojnë në zonë. Në këtë zonë i vetmi koncept shteti është policia, si mjet force dhe sigurie dhe jo mjetet e shërbimit, si arsimi, shëndetsia dhe uji, të cilat përbëjnë nevojat bazike të kësaj zone pa shkolla, çerdhe dhe ujë. Zona është pranë epidemisë. Parada e boteve dhe ujit të Dajtit që shitet me lekë është motoja e ditës që i bën fresk Drejtuesve të Ujësjellësit, Bashkisë dhe nën hundën e Policisë, e cila mban duart lidhur përballë kërkesës për ujë dhe paaftësisë qeveritare dhe vendore. Këto situta të rënduara dhe që përsëriten vit pas viti prej vitesh nuk janë rastësi. Si për çudi, çdo vit investimet e UKT kalojnë 500 milionë lekë në vit, por sasia e ujit në rubineta pakësohet. Sipas raportit të Rregullator të Ujit për vitin 2016 shtetasit që jetojnë në Tiranë kanë përfituar 113 litra ujë, kur duhet minimalisht që kjo shifër të ishte 250 litra ujë në ditë për banor. Normalisht që këto norma duhet të ishin më të larta edhe për shkak të rritjes së kërkesës që vjen nga rritja e kulturës dhe tendencës së europianizimit për një popullatë, por gjasat e sivjetme tregojnë se këto norma të vjetshme, jo vetëm që nuk realizohen, por do të përkeqësohen. Nëse analiza e furnizimit me ujë për vitin 2016 rezulton me një tendencëë negative (kur numri i lidhjeve për abonent shtohet, për shkak të hyrjeve të reja në rrjet; bizneseve të reja, futjes në skemë të të paligjshmëve etj), të humbjeve të ujit të prodhuar, UKT gjithmonë këtë shifer e ka pasur mbi 67%, duke arritur në vitin 2016 në 69%. Ose e thënë më saktë nga 100 m3, 69 m3 nuk faturohet, por humbet në formën e humbjeve teknike dhe vjedhjeve shpërdorimeve, nënfaturimeve dhe difekteve të pa argumentuara në rrjet. Këto humbje duhet të ishin në nivelin prej 30%-40% duke shënuar kështu një shpërdorim publik prej 30-40 % të sasisë së ujit të prodhuar. Aksioni në kohën e pikut vetëm se shfaq hapur problemin, sepse problemi ka ekzistuar. Por rënia e nivelit të burimeve dhe rritja e kërkesës nuk mund të mbulojnë keq manaxhimin e burimeve ujore dhe të shpenzimeve të kryera për to. Task Forca ngrihet çdo herë sa vjen behari. Policia vihet e tëra në shërbim, por uji s’vjen, se s’ka nga vjen. Problemi nuk zgjidhet, as me burg ,as me polici, por me manaxhim. Të dhënat e mesatarizuara, nga ana tjetër, vetëm sa fshehin problemin. Ndërsa një pjesë nuk e vuan orarin, për 1000 arsye duke nisur që nga afërsia me burimet apo depot dhe magjistralët kryesore, me qëndrat e biznesit që duan ujë 24 orë pa ndërprerje, deri tek rastet e vilave apo shtëpive të drejtuesve të pushtetit, qëndrat e reja, ato më periferike, ato që kanë sistemuar hyrjet e reja në Tiranë nxjerrin në evidencë pikërisht paaftësinë për të manaxhuar qytetin, për t’i shërbyer qytetarit më shpejt. Nuk jam dakord fare me kryebashkiakun në lidhje me ujin në zonën KMY-së apo të Unazës së re, sepse në mes tyre ndodhet i ashtuquajturi dikur Kombinati “Ali Kelmendi”, i cili furnizohej me ujë nga uji i selitës, ashtu siç furnizohet sot Fabrika e birrës “Tirana”, “Uji Selita”, “Fabrika e miellit dhe e bukës Tirana”, “Spitali amerikan” etj. Por këto biznese uji është 24 orë, non stop. Nuk duhen më tubacione, duhet ujë. Duhen burimet shtesë. Ku janë?

2- Faktori i dytë është kostoja. Nga raportet financiare niveli i arkëtimeve në UKT Tiranë për këto vite është mbi 100% e ujit të faturuar dhe përsëri banorët nuk marrin ujë. Rezultatet financiare tregojnë se çmimi i vendosur i ujit nuk është i ulët, përderisa fitimi neto i UKT Tiranë është 17.5% e të ardhurave bruto ose 463,464 mijë lekë. 
Duhet kujtuar këtu se këtij fitimi neto i janë zbritur shpenzimet për interesa, shpenzimet e amortizimit dhe tatimi i fitimit. Nëse do të mernim parasysh këta faktorë, atëhere fitimi bruto (EBITDA) do të ishte 940,684 mijë lekë ose norma bruto e fitimit do të ishte 35%. Nëse e gjithe sasia e ujit të humbur prej 35% do të faturohej, kjo do të thoshte që të ardhurat e kompanisë UKT të rriteshin me 2,000,000 mijë lekë. Ҫfarë tregon kjo?. Vallë qytetarët paguajnë pak për një litër ujë? Absolutisht jo. Qytetarët po paguajnë keqmanaxhimin e kompanisë UKT Tiranë që administrohet nga Bashkia Tiranë. Shifrat e çmimeve të Bashkisë Tiranë duhet të ishin më të ulta në raport me bashkitë e tjera të vendit për shkak të numrit më të madh të lidhjeve dhe abonentëve dhe normave më të larta që duhet të kishte çdo abonent. Por edhe këtu qytetarët e Tiranës janë privuar dhe kësaj herë edhe me lejen e gardianit të “pavarur ERRU”. UKT e Tiranës ka mbi 200 mijë abonentë, e cila përfaqëson trefishin e abonentëve të Durrësit, dhjetëfishin e abonentëve të Korçës, njëqindfishin e abonentëve të Delvinës dhe, vetëm efektin e kostove fikse të kishte në konsideratë, duhet të prezantonte realisht një çmim më të ulët, ashtu sikurse edhe është. Por ka të tjerë UKT që kanë po këta raporte që përbëjnë shumicë kanë tarifa dhe mjaft më të ulta. Ajo që dallon ato që kanë tarfiat më të larta është, se ato ose garantojnë ujë 24 orë (UKT Korçë) ose kanë distancë transporti mjaft të lartë të magjistralit (UKT Fier). UKT e Tiranës hyn në grupin e atyre UKT-ve që kanë tarifa të larta shërbimi. Ajo renditet e nënta në rangun e 57 kompanive simotra që operojnë në Shqipëri. Duke pasur parasysh këto parametra dhe normën e lartë të humbjeve dhe fitimit aktual kompania operon në kushtet e monopolit duke garantuar fitimet e saj pavarësisht kënaqjes së kërkesës së konsumatorit. Kjo sjell që në rrjet të kemi edhe shtim të humbjeve dhe vjedhjeve dhe nga ana tjetër humbjen e vigjilencës për administrim agresiv të kompanisë UKT. Është e habitshme që burimi i Laknasit apo i Bërxullit futen në rrjet pa impante filtrimi dhe kontrolli, në kushtet e çmimit të njëjtë? Atyre që u mungon uji, janë ata që e paguajnë ujin pavarësisht si iu vjen ai, i pastër ose jo i pastër me bot apo pa bot. 

Po çfarë masash duhet të marrë UKT-ja dhe nëpërmjet kësaj edhe Bashkia?
E para dhe themelorja, duhet të përmirësojë administrimin e burimit duke rritur sasine e ujit të faturuar. Kjo nuk bëhet me aksion në kohën e pikut kur UKT del zbuluar, por gjatë gjithë vitit. Ajo bëhet, jo duke kërkuar polici, por duke rritur dhe garantuar kontroll solid të gjithëkohshëm e përvitshëm të asaj që është prodhuar dhe që duhet të shitet. Konkretisht emergjente është eleminimi i vjedhjes. Eleminimi i vjedhjes në magjistrale dhe rrjet të dytë dhe të tretë bëhet nëpërmjet kontrollit të ujit në tubacione. Tubacionet qofshin magjistrale apo nën magjistralë janë enë që punojnë nën një presion të caktuar. Vendosja e sistemit të kontrollit të presionit, në çdo moment të ndërhyrjes jep sinjale që në X apo Y linjë ka ndërhyrje, në veçanti terminalet kryesorë të qytetit ku edhe dëmi është kolosal. 

Së dyti, kontrolli i sasisë nëpërmjet presionit për të derivuar rritjen e kërkesës apo rënien e kërkesës në një drejtim të caktuar për të bërë të mundshëm, se në cilat drejtime kërkesa për ujë ka ndryshuar dhe gjetjen e shkaqjeve përse kjo ka ndryshuar. A është një shkak i rastit apo një rritje që kërkon projektim apo skemë të re. Vendosja e manometrave të presionit dhe aparateve matës në hyrje të çdo subjekti industrial, pallat dhe zonë duke nxjerrë edhe bilancin e humbjeve dhe analizimin e shkaqjeve për ndryshimet në nivelin e humbjeve dhe presionit në kushte të caktuara. Kështu do të evidentohen rrjedhjet apo firot që vijnë nga matjet, pajisjet e dëmtuara, lidhjet e paligjshme dhe jashtë aparateve dhe njëkohësisht edhe të gjobave dhe procedurave ndëshkuese. Nëse do të uleshin humbjet në nivelin e projektuar nga ERRU, atëhere çmimi i ujit me pagat aktuale do të binte, jo pak, por mbi 50% dhe me dyfishim të pagave jo më pak se 25%. Faktori i dytë ka të bëjë me shtimin e burimeve. Shtimi i burimeve është aksion i dytë që duhet të marrë parasysh:

o riskun e thatësirës, 
o -tendecat e konsumit të ujit që vijnë nga shtimi i popullsise, 
o -rritja e normës së konsumit të ujit për person, 
o -shtimit të prodhimeve dhe shërbimeve për qytetarët shtesë të vëndit, 
o -shtimit të turizmit sipas strategjisë afat shkurtës dhe afatgjate. 
o -Shtimi i burimeve kërkon edhe rikonceptim të linjave duke e pasur Tiranën jo vetëm sheshin Skëndërbej por edhe më gjërë. 
Tirana duhet konceptuar edhe Tirana e Krrabës edhe Tirana e Vorës edhe Tirana e Pezës edhe Tirana e Yzberishtit. Pa ujë nuk ka zhvillim, nuk ka rritje të vlerës së qytetit nuk ka rritje të cilësisë së jetës, nuk ka rritje të shërbimeve, nuk ka joshje për të vizituar, shijuar dhe jetuar Tiranën. Ky është apel për bashkinë, apel për qeverinë.

Shënim: Të dhënat janë marrë nga:
1- Raportet e performances së ERRU 2013,2015 dhe 2016, 
2- Faqja zyrtare e UKT Tiranë, (strategjia)
3- Nga pasqyrat financiare të vitit 2015. Pasqyrat financiare të vitit 2016 nuk janë afishuar, sepse nuk janë certifikuar ende.
Sigal