Mallakastra nën terrorin e flakëve! Kryebashkiaku: Situata është e rëndë, dëmet janë kolosale

611
Mallakastra dhe konkretisht fshati Çorrush është në gjëndje kritike, zjarret vazhdojnë të djegin vendin ndërsa dëmet janë kolosale.
E gjithë kjo gjëndje që ka prekur jo pak pjesë të territorit, në fakt ka nisur si diçka krejt e vogël, nga një banor i cili ka djegur një pjesë të arës së tij dhe më pas nuk ka mundur t’i kontrollojë dot më flakët.
Për situatën ka folur edhe kryebashkiaku Agron Kapllanaj, i cili ka deklaruar se dëmet janë kolosale, jo vetëm ato në bujqësi. Kapllanaj shprehet se shumë banorë janë detyruar të lënë shtëpitë nga frika e zjarreve, ndërsa janë 3 shtëpitë, që flakët i kanë përpirë duke i bërë shkrumb.
Kapllanaj:Kemi mbajtur në kontroll dy lagje të cilat i kemi shpëtuar, por njërën prej tyre nuk mundëm, dhe zjarri ka djegur tre banesa. Banorët janë evakuuar të gjithë, por situata është e rëndë. Helikopteri ishte e pamundur të vinte, sepse Emergjencat disponojnë vetëm një dhe ai ishte në Dropull kështu që ne kemi punuar me mjete rrethanore dhe 2 zjarrfikëse nga Fieri dhe Mallakastra. Kanë marrë pjesë punonjës të bashkisë, të policisë që kanë punuar në terren. Dëmet janë kolosale, zjarri ka djegur mbi 100 hektare dhe brenda tyre ka të mbjella, djersa e banorëve, janë disa banesa, ka blektori, bletë që janë shkrumbuar.
Kapllanaj tha se zjarri është shkaktuar nga një banor i fshatit i cili ka djegur mbetjet e grurit në tokë dhe më pas situata i ka dalë jashtë kontrollit. 
Kapllanaj: Zjarri sipas policisë ka ardhur nga një banor i cili ka djegur një pjesë të arrës së vet dhe më pas i ka dalë jashtë kontrollit dhe ka bërë këtë katastrofë të cilën po e përjetojnë banorët dhe ne që jemi këtu. Personi i dyshuar është shoqëruar në polici dhe një tjetër është shpallur në kërkim. Nuk ka asnjë të lënduar nga zjarri.
Sigal