Mallakastra në kryengritjet anti osmane të shek. XIX

1550
Prof. Dr. Bardhosh Gaçe
Në vargun e luftërave dhe përpjekjeve për çlirimin kombëtar në shek. XIX-XX Greshica dhe Mallakastra zënë një vend të veçantë në historinë shqiptare. Kryengritja e madhe fshatare e vitit 1847, është njëra prej qëndresave të mëdha të shqiptarëve kundër pushtuesve turq, pasi kronikanët osmanë, por edhe konsujt e ndryshëm të Anglisë, Francës, Austro-Hungarisë, Rusisë etj. nxjerrin në dritë në relacionet e tyre se gati në të gjithë trojet shqiptare në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Gash, Dibër, Bytyç, Krasniqe, Çamëri, Kurvelesh, Lumin e Vlorës, Tepelenë, , Gjirokastër, Kolonjë, Berat, Mallakastër, Myzeqe etj., me zgjerimin e vendosjes së Tanzimatit, u nxit lufta çlirimtare e shqiptarëve. Kjo valë e gjerë e lëvizjes çlirimtare, siç vë në dukje edhe Engelhardti: “u shkaktua nga politika centraliste dhe e verbër e Portës së Lartë. Këtë mendim e mbështeste edhe Dora D’Istria (Elena Gjika), e cila në veprën e vet vë në dukje se: “Pa dyshim, në Shqipëri është ndezur lufta midis sundimit të huaj dhe frymës së kombësisë në rrethana veçanërisht të vështira…”. Pas rënies së Pashallëkut të Janinës dhe Luanit të Epirit Ali Pashë Tepelena, mjaft prijës popullorë si: Abdyl bej Koka, Shahin bej Delvina, Zylyftar aga Poda, Tafil Buzi, Zenel Gjoleka, Cane Myftar Smokthina, Rrapo Hekali, Çelo Picari, Latif Elmazi, Muharrem Kolonja, Sulo Zeneli e mjaft të tjerë, u vunë në krye të qëndresës antiturke, duke kundërshtuar reformat e tyre cetralizuese. Si rezultat i kësaj qëndrese, më 7 nëntor 1828, përfaqësuesit e krahinave të: Vlorës, Delvinës, Çamërisë, Mallakastrës së Sipërme dhe asaj të Poshtme, Kolonjës, Leskovikut, Skraparit, Tomorricës, Dëshnicës, Himarës organizuan në Berat një kuvend ndërkrahinor nën emrin “Lidhja Shqiptare”. Ndër veprimet e këtij kuvendi ishin: Të mos i jepeshin ushtarë Turqisë, të dëboheshin qeveritarët turq nga krahinat e tyre dhe vendin ta qeverisnin vetë shqiptarët, Krahinat ndërmorën përsipër t’i mbronin vetë trojet e tyre në rast sulmi. Në krye të kësaj Besëlidhjeje ishin shqiptarë të njohur të kohës si: Ismail bej Vlora, Zylyftar Poda, Shahin bej Delvina, Zyber Hoxha, Sheh Hasani, Abaz bej Lushnja, Tafil Buzi, Sulejman bej Konica, Spiro Gjika, Tahir Abaz Dragoti, por edhe Sulo Zeneli i Greshicës, Veiz Cakrani dhe Alush bej Frakulla. Nga mjaft relacione dërguar Portës së Lartë, si dhe ato të konsujve të huaj mësojmë se: “mbledhja e fshehtë e Beratit”, si dhe takimi i krerëve shqiptarë në shtëpinë e Ismail Pashë Vlorës në Velabisht e tronditën thellë serasqerin e Rumelisë Mehmed Reshid Pasha dhe Portën e Lartë. Konsulli i Anglisë Majer, në raportin e tij dërguar ambasadës angleze në Stamboll shkruante: “Kongresi i shqiptarëve në Berat mbaroi. Përgjigjja që iu dha serasqerit të Rumelisë ishte e pakënaqshme për Portën e Lartë. Shumica e komandantëve shqiptarë kanë ruajtur për veten e tyre njëfarë pavarësie. Shqiptarët nuk iu përgjigjën thirrjes së serasqerit për t’i dhënë ushtarë Turqisë…”. Duhet të vëmë në dukje, se pas rënies së pashallëkut të Ali Pashë Tepelenës dhe masakrës së Manastirit me parësinë shqiptare, mjaft prej luftëtarëve të shquar edhe nga Mallakastra, Berati, Skrapari, Tepelena. Vlora, Kurveleshi e Himara kanë marrë pjesë në luftën çlirimtare të popullit grek, si dhe në shërbim të Mehmet Aliut të Egjiptit. 

Midis këtyre luftëtarëve, krahas Tafil Buzit, Cane Miftar Smokthinës, Rrapo Hekalit, në Kretë dhe Egjipt morën pjesë edhe Sulo Zeneli, Luman Elmazi, Luto Shehu, Orhan Bardhanji e Zenel Xhafoja. Jehona e luftës së Mehmet Aliut të Egjiptit i bëri me krahë shqiptarët për të ngritur krye kundër reformave centralizuese otomane. Konsulli anglez Mejer, në një prej relacioneve të tij shënon se, krijimi i Mbretërisë së Greqisë, si dhe i principatave të Serbisë, Moldavisë e Vllahisë, si dhe fitoret e Egjiptit, u kishin dhënë zemër shqiptarëve, për të realizuar kërkesat e tyre. Disa herë Abdyl bej Koka, Shahin bej Delvina, Zylyftar aga Poda, Cane bej Smokthina si dhe kapedanët Tafil Buzi, Zenel Gjoleka, Latif Elmazi, Muharrem Kolonja, Sulo Zeneli, Shako Xhaka, Orhan Bardhanji e Luto Shehu kishin biseduar me guvernatorin Mustafa Pashë Gjiritliu dhe kërkonin ndihmë nga Mehmet Aliu i Egjiptit për çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha turke. Pas marrëveshjes turko-egjiptiane të Kytakijes dhe shpalljes së amnistisë për shqiptarët nga Porta e Lartë, krerët shqiptarë në Kretë u kthyen në vendet e tyre. Pas luftimeve në Konia nën udhëheqjen e Ibrahim Pashës, luftëtarët shqiptarë u kthyen përsëri në Kretë. Nën frymën e “Lidhjes Shqiptare” të Beratit, në vitet 1829-1837 u organizuan disa kuvende zakonore për bashkimin e shqiptarëve. Ndër këto kuvende, Thimi Mitko përmend edhe këngët e mbledhura për kuvendin e Taroninës në Zhulat të Gjirokastrës, Senicë të Delvinës, por edhe atë të Hekalit në Mallakastër dhe Mesaplikut në Lumin e Vlorës. Në këto kushte, kur kryengritja antiturke ishte shtrirë në mjaft vise shqiptare si: Çamëri, Kurvelesh, Tepelenë, Vlorë, Skrapar, Tomorricë, dy Mallakastrat dhe Dëshnicën. është për t’u përmendur këtu vjeshta e vitit 1834, ku shqiptarët u mblodhën në një besëlidhje të re në Berat dhe shpërthyen në kryengritjen e njohur, ku greshiciotët, në krah të luftëtarëve të Mallakastrës dhe krahinave të tjera, luftuan me trimëri të rrallë në betejat e përgjakshme përballë mureve të kalasë së Beratit. Në luftimet e ashpra për marrjen e kalasë së Berati, greshiciotët, hekalasit, aranitasit e kutiotët ishin në krah të Mete Jazos nga Dukati dhe Cane Miftarit nga Smokthina. Pas disa luftimesh, në ditët e para të dhjetoritn1834, atyre u erdhën në ndihmë luftëtarët e Tomorricës dhe të Skraparit me kapedanët Pasho Koka nga Kapinova dhe Selfo Jaskëllari e Kajo Hasa nga Backa. Fillimisht, forcat luftarake të Greshicës e Mallkastrës u vendosën në kodrat e Velabishtit, në krah të luftëtarëve të Çamërisë, Lumit të Vlorës dhe të Delvinës. Kënga popullore, si një kronikë e gjallë e kohës, na jep një pamje epike të saktë: “Berati me Toskërinë,/Delvina me Çamërinë,/Mallakastra me Delvinë,/Velabisht ngritën hordhinë…”. Por pas kryengritjes së vitit 1834 dhe asaj të Myzeqesë në vitin 1835, si dhe reprezaljeve të Portës së Lartë ndaj prijësve të lëvizjes çlirimtare në viset shqiptare, reformat centralizuese të Tanzimatit nisën të vepronin më me ashpërsi si në fushën ushtarake, ekonomike dhe administrative. Në këto kushte edhe “Besëlidhja” shprehu nevojën e riorganizimit të saj. Në kuvendin e Picarit në Gjirokastër 1846, krahas Rrapo Hekalit morën pjesë edhe mjaft nga parësia e Beratit dhe e fshatrave të Mallakastrës. Në kronikat e kohës midis 15 përfaqësuesve të Mallakastrës përmenden edhe: Rrapo Hekali, Zenel Xhafoja, Orhan Bardhanji, Lulo Duranji, Sulo Zeneli, Luto Shehu, Veis Cakrani, Luman Elmazi, Alush Frakulla, Shaban Peshtani, Muço Zeneli, Dule Kalivaçi, Sulejman Toçi, Skëndo Qesarati, Sadik Luftinja etj. Pas takimit të Rrapo Hekalit, Sulo Zenelit dhe Zenel Xhafos me kapedanët e Labërisë Zenel Gjoleka, Lulo Abaz Mehmeti, Dule Zoto dhe Dervish Ali Dukati, më 12 qershor 1847, në fshatin Mavrovë të Vlorës, një tjetër kuvend u organizua në ditët e fundit të qershorit në Mesaplik, ku morën pjesë përfaqësuesit e nëntë krahinave të Jugut. Midis tyre ishin edhe dyzet e dy përfaqësuesit e Mallakastrës me në krye Rrapo Hekalin, Zenel Xhafon, Luto Shehun e Sulo Zenelin. Pushtuesit turq, duke ndjerë organizimin e lëvizjes së fuqishme çlirimtare, pesë ditë pas Kuvendit të Mesaplikut thirrën midis krerëve të tjerë edhe Rrapo Hekalin, Zenel Xhafon, Sulo Zenelin dhe Veiz Cakranin në Berat, ku Hysen Pashë Vrionin u kërkoi të mbështetnin Portën e Lartë me zbatimin e Reformave. Por përgjigjja e Rrapo Hekalit ishte e prerë: “Populli është i varfër, nuk i pranojmë bisedat e Portës së Lartë…”. Edhe qeveritari i Beratit, Hysen Pashë Vrioni e kërcënoi Rrapo Hekalin dhe përfaqësuesit e tij të Mallkastrës, Tomorricës, Skraparit dhe Myzeqesë, fshat më fshat të Mallakastrës u lëshua thirrja për t’u mbledhur në kuvendin e Sinjës më 22 korrik 1847. në krah të tij qëndronin kapedanët e shquar: Skënder Zeqo nga Kuta, Orhan Bazo nga Bardhanji, Zenel Xhafo nga Aranitasi, Alush Frakulla nga Myzeqeja, Veiz Cakrani nga Kalenja, Lulo Duranji e Yzeir Mahmutaj nga Cakrani, Sulo Zeneli e Muço Zeneli nga Greshica, Sulejman Çelo nga Toçi, Muhamet Hodo nga Çorrushi, Luman Elmazi nga Drizari, Skëndo Hyso nga Qestorati, Dule Malo nga Kalivaçi, Sadik Luftinja. Krahas tyre Rrapo Hekali në këtë kuvend thirri edhe përfaqësues nga Labëria si: Haxhi Hoxha, Dule Zoto e Tartar Memushi nga Smokthina, Dervish Aliu nga Dukati, Hadër Resuli dhe Beqir Velo nga Kanina, Zeqo Xhafo nga Karbunara, Pasho Koculi nga Treblova, Lulo Abaz Mehmeti nga Tërbaçi, Ymer Aliu nga Kudhësi etj. Shtabi i kapedanëve të kryengritjes u vendos në fshatin Rovel, përballë ushtrisë turke që kishte rënë brigjet e Greshicës, në Therabejaj, Muçaj, Sallakaj dhe përbëhej nga 2700 ushtarë e oficerë. Luftëtarët e Greshicës, me të mbërritur forcat turke të garnizonit të Beratit organizuan qëndresën e tyre të rreptë për një ditë e një natë. Më pas, forcat luftarake të Rrapo Hekalit zunë frontet e luftimeve në Muçaj, Zotaj e Ferrobejaj, ndërsa ato të komanduara nga Tartar Memushaj, Dule Zoto e Haxhi Hoxha nga Smokthina, Hadër Resuli e Beqir Velo nga Kanina dhe Dervish Aliu nga Dukati, në lindje të Greshicës. Siç vënë në dukje kronikat e kohës dhe muza popullore, beteja e Greshicës kundër ushtrisë turke zgjati tre ditë e tri net. Në vendin që edhe sot thirret “Varret e labërve” në Ferobehaj, në këto luftime u vranë 60 smokthinjotë, duke i shkaktuar turqve humbje të mëdha, mbi 230 të vrarë e 315 të plagosur dhe mbi 800 u zunë robër. Nga fshati Greshicë u vranë 34 luftëtarë dhe u plagosën 79 banorë. Me urdhër të Rrapo Hekalit, kapedanët Zenel Xhafo, Haxhi Hoxha, Sulo Zeneli dhe dukatasi Dervish Aliu, me 150 luftëtarë ndoqën pas Hysen Pashë Vrionin në Cakran, Levan e Myzeqe, por ai e kishte mbajtur vrapin në Berat. Me kthimin e tyre nga Levani, shtabi i kryengritësve ngriti gjykatës zakonore në Qafën e Sinjës për dënimin e Isuf beut, Lamçe beut dhe Sulçe beut, të cilët ishin zënë rob. Në këtë gjykatë popullore bënin pjesë: Zenel Xhafo, Sulo Zeneli, Dervish Ali Dukati, Ymer Ali Kudhësi dhe Orhan Bardhanji, të cilët pas gjykimit urdhëruan pushkatimin e tyre. Një pjesë e taborëve turke që ishin shpartalluar në betejën e Greshicës, kishin marrë rrugën për në Berat. Më 24 korrik 1847 kryengritësit iu afruan Beratit; kudhësiotët me Ymer Aliun sulmuan nga ana e Brezhdanit, Dervish Ali Dukati me labët nga Veriu, Shaban Peshtani me forcat e Mallakastrës në Butë sulmuan lagjen “Murat Çelepi”, ndërsa Rrapo Hekali me kapedanët e shquar: Zenel Xhafon, Orhan Bardhanjin, Lulo Duranjin e Sulo Zenelin u përqendruan në Velabisht. Luftimet e kryengritësve kundër ushtrisë turke u përqendruan në kalanë e Beratit. Kronikat e kohës na thonë se, trimi Zenel Xhafo e ngriti flamurin e kryengritjes në Kishën e Kuqe pranë kalasë. Ai u vra trimërisht te porta e kalasë e pas tij u vra edhe Orhan Bardhanji, por flamurin e mori kapedani Sulo Zeneli me greshiciotët, të cilët u përleshën ashpër me turqit. Sipas shtypit evropian të kohës, gazeta “Lajmet e Sankt Peterburgut”, kryengritësit nuk mundën ta marrin kalanë e Beratit me sulmin e parë: “Natën midis 24-25 korrikut, duke qenë në numër 3000 veta, shpërthyen në qytetin e Beratit, por u sprapsën aty nga forcat turke të komanduara nga Sadik beu. Pas një përledhjeje të përgjakshme nëpër rrugë ata (turqit) humbën 200 ushtarë të vrarë dhe 600 të zënë robër”. Më 1 gusht 1847, sipas Aravantinos, kryengritësit organizuan sulmin e dytë mbi kalanë e Beratit dhe e shtinë atë në dorë. Garnizoni turk, i mbyllur në kala, në këto luftime përdori armatime të rënda: “artileria turke hodhi kundër kryengritësve 16 varele me barut, rreth 2250 gjyle të kalibreve të ndryshme dhe materiale të tjera luftarake…”. Rënia e Beratit në duart e kryengritësve të udhëhequr nga Rrapo Hekali dhe kapedanët e tjerë të Mallakastrës, Myzeqesë dhe Labërisë, shënoi një fitore të veçantë të kryengritjes shqiptare në jug të vendit, pasi Berati ishte një nga qytetet mjaft të rëndësishme të Shqipërisë së Jugut. Ajo e nxiti edhe më tej kryengritjen fshatare të Shqipërisë së Jugut.


Sigal