Mali i Tomorrit, mes vargut të pelegrinëve bektashinj

1917
Sigal

SPECIALE/ Festimet do të zgjasin deri ditën e shtunë. Mijëra vetë shkojnë në këtë ritual të përvitshëm

Mëngjesi i 20 gushtit i gjeti plot me njerëz rrugët që të çojnë në malin e Tomorrit, duke i thënë kështu, start pelegrinazhit, ku besimtarët bektashinj kremtojnë Festën e Kulmakut. Dhjetëra automjete kanë udhëtuar që me natë drejt vendit të shenjtë. Teqeja e Kulmakut ka gjithçka gati për të pritur pelegrinët, të cilët do të mbyllin festimet në datën 25 gusht, ditën e shtunë. Gjatë pesë ditëve mijëra pelegrinë do të bëhen pjesë e kësaj feste fetare, jo vetëm për besimtarët bektashinj. Pelegrinët falen në Teqe për shëndet, dashuri dhe mbarësi. Të mbërriturit në Tomorr, fillimisht ndjekin ritet fetare pranë Teqesë së Kulmakut dhe më pas sipas traditës bëjnë kurban një qengj ose më shumë, kjo e varur sipas dëshirës, ku simbolike është lyerja e gishtave me gjak. Më pas ata hedhin në vendin e shenjtë lekë për mirësi familjare. Me qindra çadra janë ngritur nga pelegrinët nëpër kodrat e malit të Tomorrit, ku vizitorët po shijojnë hijeshinë e malit dhe ushqimet e freskëta. Të parët që janë vendosur në malin e shenjtë të bektashinjve kanë qenë barinjtë e fshatrave të Skraparit, Korçës dhe Vlorës, të cilët këtë vit do të shesin më shumë, pasi sipas të dhënave numri i pelegrinëve mund të kapë shifrën 10 mijë.

Ngjitja në lartësi

Të ngjitesh lartësinë e malit të Tomorrit është një sakrificë e madhe dhe në asnjë çast nuk duhet të tërhiqesh nga dëshira për të shkuar në vendin e shenjtë ose e thënë ndryshe në festën e Abaz Aliut. Pavarësisht kilometrave me një makinë të duhet jo më pak se katër orë rrugë nga Berati drejt Tomorrit, gjatë rrugës do të kalosh Bogovën, fshatin Kakrukë, Çorovodën, Grykën e Devrisë për të mbërritur më pas në Kulmak. Por nuk është i pakët numri i personave që preferojnë degëzimin nga Poliçani, ku kalon në Novaj, ku për të shkuar në Gjerbës duhet të kalosh në Guhakun, burimin që rrjedh nga Tomorri, duhet të kalosh të përpjetmen e fshatrave Radësh e Mollas, duke lënë djathtas shpellën e Piragoshit dhe Grykën e Devrisë me pamje alpine që të çon në Leshnje për të shkuar më pas në Ujanik.

Në vendin e shenjtë

Nga Gjerbësi drejt Ujanikut, kur mbërrin në vendin e shenjtë do të shikosh të sistemuar në kampingje të gjithë të mbërriturit, ku rreth e rrotull nuk mungojnë as uniformat blu, të cilët merren me mbikëqyrjen e vargut të gjatë të pelegrinëve. Drejtuesit e Teqesë pohojnë se “feja nuk bashkëjeton me koburen dhe se besimtarët e gjejnë vetë rrugën për te shtëpia e Zotit”. Në festën e këtij viti kanë marrë pjesë vendas dhe të huaj, të cilët u përkasin edhe besimeve të ndryshme fetare. Dy ndërtesat e shenjta janë të rrethuara me një mur të lartë, ndërsa çadrat e pelegrinëve janë të sajuara me plastmasë, ndërsa automjetet janë parkuar nga baxhoja e Ujanikut deri në majën, ku gjendet varri i Abaz Aliut. Në gjithë këtë festë pija e preferuar është rakia e Skraparit, e cila derdhet lumë pa asnjë kursim.

 

 

Rituali

Ndryshe nga vitet e kaluara këtë herë festa tradicionale e bektashinjve ka ndryshuar ritualin e therjes së gjësë së gjallë, tanimë kurbani kryhet në një thertore të madhe me kushte të mira dhe uji të bollshëm. Njerëzit sipas zakonit taksin qengjin dhe nëse nuk e therin vetë ndihmohen nga kasapët. Për kuriozitet në këtë festë përdoren për therje vetëm qengja të bardhë. Një kilogram mish qengji i pjekur shkon deri në 10 mijë lekë të vjetra. Territori përreth është kthyer në një fushë gjigande panairi, ku gjendjen të gjitha asortimentet simbolike fetare dhe kulturore të krahinave të ndryshme.

Festa

Festa e Tomorrit është me origjinë pagane. Ky vend ka filluar të përkujtohet si epiqendra e bektashinjve në vitin 1600 kur Haxhi Babai ngriti varrin kenotof në Çukan të Tomorrit. Rituali i festimeve u ndalua gjatë 50 viteve të diktaturës komuniste dhe rifilloi sërish pas viteve 1992. Ndërsa sipas mitologjisë Tomorri ka qenë fron i Perëndive para helene. Një legjendë e lashtë flet për mrekullinë e Tomorrit, sipas të cilës, kur Perëndia krijoji këtë mal, mbeti e mahnitur aq shumë teksa e sodiste nga larg, saqë nuk arriti të krijonte një tjetër bukuri të krahasueshme me të.

Terrorizohen me breshëri automatiku pelegrinët

SKRAPAR- Tre të rinj nën efektin e alkoolit kanë terrorizuar me breshëri automatiku pelegrinët që ishin duke festuar në malin e Tomorrit. Burime zyrtare të policisë bënë të ditur se janë arrestuar në flagrancë shtetasit, Erges Brahimi, 25 vjeç, Ervin Brahimi, 24 vjeç dhe Marsel Gropa, 24 vjeç, të tre banorë në qytetin e Çorovodës. Sipas të dhënave tre të rinjtë gjatë rrugës Kulmak-Bronovik, në çastin që po niseshin kanë gjuajtur me breshëri automatiku duke përhapur panik tek të pranishmit. Në cilësinë e provës është sekuestruar arma tip “Kallashnikov”, dy karikatorë dhe 150 fishekë.