Maks Tufa: Gjysma e këshilltarëve, janë debitorë tek OSHEE dhe Ujësjellësit nuk paguajnë prej vitesh

544
Prej qershorit 2016 atyre u bëhen paralajmërime, por përgjigja është “Ishalla Rama bën ndonjë amnisti para fushatës”
Gjysma e këshilltarëve debitorë tek OSHEE dhe Ujësjellësi
-Debitorë ata janë edhe tek pagesat e taksave pranë degës së Tatim-Taksave, e cila nuk dihet, sepse akoma vonon dhe nuk dyllos bizneset e këshilltarëve, që punojnë hapur në të zezë
– Duke abuzuar me kartonin e këshilltarit, ata kanë abuzuar edhe me personelin e punësuar në bizneset e tyre, pasi asnjërin prej tyre nuk e kanë siguruar në degën e Sigurimeve Shoqërore
Gjysma e këshilltarëve të Këshillit Bashkiak në Elbasan, të majtë, të djathtë dhe të qendrës, janë debitorë të hershëm të OSHEE dhe Ujësjellësit, madje edhe tek disa institucione të tjera të shtetit. Burime tepër të besueshme i thanë “Telegraf” se “këshilltarët debitorë kanë mundur të bien në ujdi me faturistët e OSHEE dhe Ujësjellësit, për të mos paguar faturat e prapambetura në bizneset e tyre deri në një afat të pacaktuar. Bëhet fjalë për lokale, kafene, baste-live, lavazhe apo edhe restorante dhe klinika private mjekësore, të cilat janë me pronar këshilltarë të pothuajse të gjitha krahëve politikë në Këshillin Bashkiak të Elbasanit, bëhet fjalë për fatura, të cilat edhe pse kanë kaluar mbi 7-8 muaj nuk janë paguar, as në sportelet e OSHEE dhe, as në sportelet e Ujësjellësit Elbasan”. Sipas të njëjtit burim mësohet se “debitë e faturave të papaguara nga këshilltarët e Këshillit Bashkiak Elbasan, kapin vlera e qindra mijëra lekë dhe, se nuk ka shanse që ata t’i paguajnë ato para deri në qershor 2017, duke i lënë ata me shpresën, se qeveria dhe Rama do të bëjnë ndonjë “amnisti” brenda muajit shkurt për t’i shpëtuar kështu pagesave”. Por gjithçka duket se është një zvarritje e qëllimshme nga vetë ata që qytetarët i quajnë “parlamentarët e qytetit”, të cilët, edhe pse në konflikt interesi, edhe pse me biznese dhe aktivitete private plus vendit të punës dhe rrogës që marrin në arkën e shtetit, krijojnë me dashje debi të pajustifikueshme, duke abuzuar hapur me detyrën. Edhe pse prej 8 muajsh OSHEE dhe Ujësjellësi, kanë paralajmëruar dhe lajmëruar me dhjetëra herë këshilltarët për të “paguar faturat e prapambetura të bizneseve të tyre”, duket se gjithçka ka rënë në veshin e shurdhër. Shumica e bizneseve ndodhen në zonat periferike, por edhe në lagjet e qytetit dhe kanë për pronarë këshilltarët e Këshillit Bashkiak. Debitorë ata janë edhe tek pagesat e taksave pranë degës së Tatim-Taksave, e cila nuk dihet, sepse akoma vonon dhe nuk dyllos bizneset e këshilltarëve, që punojnë hapur në të zezë. Duke abuzuar me kartonin e këshilltarit, ata kanë abuzuar edhe me personelin e punësuar në bizneset e tyre, pasi asnjërin prej tyre nuk e kanë siguruar në degën e Sigurimeve Shoqërore. Kjo e fundit dhe Inspektorati Punës të paktën në 5 raste kanë gjobitur disa prej bizneseve dhe aktiviteteve tregtare të tyre, pasi gjatë kontrolleve kanë gjetur shkelje dhe persona që punojnë mbi 8 orë dhe të pasiguruar. Njoftimin e fundit OSHEE, Ujësjellësi, Tatimet dhe Sigurimet Shoqërore e kanë bërë javën e parë të muajit janar 2017, duke paralajmëruar hapjen e proceseve penale ndaj këshilltarëve që fshihen pas kartonit dhe posteve që mbajnë në disa institucione e drejtori shtetërore, për ti detyruar ata të paguajnë faturat, ashtu siç paguajnë milionat për blerje apartamentesh, vilash, makinash dhe udhëtimesh jashtë shtetit. Madje njëri prej këshilltarëve debitorë që ka edhe biznes, u shpreh me humor se “shpresojmë që Rama të bëjë ndonjë amnisti para fushatës, që t’i shpëtojmë pagesave”. 
Sigal