Makinat e policisë, tender i paracaktuar për 2.5 milionë USD!?

2267
Kriteret teknike për automjetet e kërkuara me qira mund të përjashtojnë konkurrentët dhe të preferojnë një model të vetëm. Flasin ekspertët
Një tjetër tender, me vlerë 2.5 milionë USD, për dhënien me qira të disa makinave për Policinë e Shtetit, mund të jetë i paracaktuar. Media ka publikuar dokumentet e këtij tenderi të Policisë së Shtetit, ku kreu i ri i Policisë, Ardi Veliu, ka kërkuar marrjen me qira të 134 automjeteve për një periudhë prej 4 vitesh. Sipas specifikimeve teknike, rezulton se policia i kërkon automjetet me një cilindratë 1550 cc. Makina duhet të jetë me naftë dhe numri i cilindrave minimumi 4. Kutia e shpejtësisë 5/6+1 marshe, shpejtësia maksimale e mjetit 180 km/orë dhe numri i dyerve 4. Norma e konsumit e kombinuar e mjetit që do të ofrohet duhet të mos e kalojë vlerën 5.5 litër për 100 km. Gjithashtu kërkohen makina me disa aksesorë shtesë si, me sistem drejtimi në krahun e majtë, me asistence hidraulike ose elektrike. Frenat me sistem ABS. Të ketë E.S.P (Sistemi Kontrollit Trajektores), airbag për shoferin dhe pasagjerin. Sipas kërkesave, xhamat duhet të jenë 10 % errësim në xhamat e dyerve të pasme dhe xhami i madh i pasmë. Në kritere përcaktohet se automjetet duhet të kenë mbyllje të centralizuar të dyerve, komandim në distancë. Të ketë sistem kondicionimi në kabinë, ndërsa kërkohen që mjetet të jenë prodhim i 2 viteve të fundit. Në relacion nuk është argumentuar përse Policia e Shtetit për herë të parë në historinë e saj po tenderon makina me qira, në vend që t’i blejë ato. Sipas medias, kryepolici Ardi Veliu po tenton të përmirësojë infrastrukturën e Policisë së Shtetit, por ai duhet të marrë parasysh kostot e këtij tenderi që është realisht tepër i lartë dhe dëmton buxhetin e shtetit. Nëse do të bëjmë një përllogaritje të thjeshtë, një makinë në koncesionar me këto parametra bazë që kërkohen nga Policia e Shtetit, nuk i kalon 13 mijë dollarë. Pra, në total për 134 makina, vlera e tyre do të shkonte 1.75 milionë dollarë dhe automjetet do të mbeteshin në pronësi të shtetit. Sipas medias, Policia e Shtetit jo vetëm që s’do të ketë në pronësi automjetet pas 4 vitesh përdorimi, por nga ana tjetër po shpenzon rreth 750 mijë dollarë më tepër nga buxheti i shtetit, nga taksat e shqiptarëve. Policia e Shtetit lidhi para 9 muajsh kontratën për blerjen e makinave me vlerë 1.1 miliard lekë dhe në 2015 lidhi kontratë me vlerë 1.4 miliardë lekë me “Hyundai”. Sipas tpz.al, ky nuk është i vetmi problem, edhe fituesi i këtij tenderi mund të jetë i paracaktuar.

Lidhur me këtë tender, “Telegraf” ia drejtua ekspertëve, të cilët shpjeguan problematikën që rezulton, të paktën deri në fazën aktuale të procedurave. “Në përgjithësi janë kritere gjeneraliste dhe kanë vënë vetëm një kriter që i nxjerrë të gjithë të tjerët jashtë loje, që janë “kuajt fuqi”. Kriteret i plotëson “Hyundai” me vetëm një model i-30”, tha një nga ekspertët. Sipas tij, e gjithë kleçka është te “kuajt fuqi”, që e kanë vënë në kufirin 100 kw. “Policia e ka shënuar në kriteret e tenderit dhe të gjithë automjetet e tjera, si “Ford”, i gjithë grupi “Porsche”, me “Wolswagen”, “Seat”, “Skoda”, “Fiat” po ashtu, i kanë dimensionet të gjitha, por kur vjen puna te kuajt fuqi, ky është i vetmi model që ka këto kuaj fuqi”, u shpreh eksperti. Ai shpjegoi se niveli 100 kw është mbi gjithë të tjerat dhe është i lartë. “Raporti i kw me “kuajt fuqi” është 1 me 1.34, që do të thotë 100 kw janë 134 kuaj fuqi. Zakonisht të gjithë automjetet e tjerë shkojnë te 120 kuaj. Pra fillojnë nga 95-100 deri te 120 kuaj. Këta e kanë kapërcyer dhe shkojnë 134 kuaj fuqi. Në të gjithë gjërat e tjera janë treguar korrekt, me dimensionet, etj, hyjnë që të gjithë në garë”, nënvizoi eksperti. Sipas tij, të gjitha markat evropiane “Renault”, “Wolswagen”, “Ford” e “Fiat” janë me dimensione në rregull, e vetmja gjë që nuk kapin është me “kuajt fuqi”. Në të njëjtë kohë, policia u është drejtuar disa kompanive me një kërkesë paraprake për kuotim, ndërsa mësohet se disa prej tyre e kanë refuzuar.


Sigal