Makinat e përdorura uzurpojnë rrugët dhe bulevardet e Durrësit

1004

Tregtarët nuk kanë lënë lulishte dhe rrethrrotullime pa i kthyer në tregje të ekspozitave për automjetet

Durrësi po kthehet në një varrezë të madhe makinash të përdorura. Pas heqjes së taksave doganore rreth një vit më parë, efektet janë dukshëm negative në të gjithë qytetin. Tregtarët e makinave nuk kanë lënë vend, lulishte dhe rreth rrotullime pa i kthyer në tregje të ekspozitave dhe tregtimit të automjeteve të përdorura, të cilat futen në vendin tonë me ritme shumë të larta.

Situata

 Nga 2500 deri në 3 mijë makina të përdorura, po hyjnë çdo muaj nëpërmjet Doganës së Durrësit, pas heqjes së tarifave  doganore, duke bërë që vetëm pas një viti nga zbatimi i këtij ligji qyteti bregdetar dhe i gjithë vendi të kthehet në një varrezë të madhe hekurishtesh. Nëse deri një vit më parë nga Dogana e Durrësit, hynin 485 autovetura, këtë vit numri është deri në 2 mijë automjete në muaj, si pasojë e heqjes së taksës doganore. Këto të dhëna vijnë nga Dogana e Durrësit, e cila bën me dije se pavarësisht se numri i automjeteve të përdorura që hyjnë në vendin tonë është 7 herë më i madh, se vitin e shkuar, për shkak se makinat e përdorura që importohen nga jashtë pa paguar tarifë doganore kanë ulur të ardhurat në masën 70%. Janë 2 tragete që 2 herë në javë mbërrijnë në Portin e Durrësit të ngarkuar me automjete të përdorura, ku mesatarisht për çdo ditë zhdoganohen jo më pak se 130 autovetura, me një vjetërsi mesatare rreth 15-vjeçare në Doganën e Durrësit, të cilat blihen me çmime shumë të lira në vendet europiane, ndërsa në Shqipëri paguhet vetëm vlera prej 20% e TVSH-së. Pas hyrjes në fuqi të ligjit për heqjen e taksës doganore, tregu i makinave të përdorura nisi të lulëzonte, aq sa për 10 muaj numri i makinave të përdorura që kanë hyrë vetëm nga pika Doganore e Durrësit është mbi 25 mijë të tilla, bëjnë me dije burimet zyrtare.

 Bllokohet lëvizja

Në të gjitha rrugët e Durrësit, janë me qindra automjete që qëndrojnë nëpër rrugë, në qendër të qytetit dhe buzë rrugëve kryesore me pusullën “shitet”. Madje në ditët e fundit tregtarët e makinave kanë pushtuar edhe bulevardet, me makinat që nxjerrin në shitje, duke bllokuar qarkullimin e mjeteve. Në zonën e plazhit të Durrësit afër shkollës “Bajram Curri”, është ngritur një treg i ri makinash të përdorura. Në lulishtet pranë qendrës së Durrësit me dhjetëra automjete kanë zënë vendparkimet, madje nuk paguajnë asnjë taksë. Në rreth-rrotullimin e Urës së Dajlanit në fillim të autostradës Durrës- Tiranë, dhjetëra automjete kanë zënë hapësirën midis dy senseve të rrugës.

Shqipëria mbledh vjetërsirat e Botës

Me ecurinë e deritanishme, vendi ynë kërcënohet të kthehet në “varrezë” për mjetet e vjetra, të cilat nuk mund të qëndrojnë në Europë për shkak të taksave të larta nga ndotja e madhe që shkaktojnë. Ligji i ri nuk përcakton kufizime mbi moshën e mjetit, por vendos koeficientë që rriten në varësi të vitit të prodhimit, duke e ngarkuar me një lloj takse, deri-diku të përballueshme për makina me vite prodhimi edhe 15-vjeçare dhe motor me cilindrat normal. Në fund të vitit të shkuar me një ligj të posaçëm qeveria  kërkoi të bllokonte disi fenomenin e hyrjes së mjeteve të përdorura nga jashtë, duke rritur referencën doganore, me 10 për qind, por rezultati i deritanishëm nuk tregon për shenja pozitive.

Ulet kërkesa për makina të reja

Të dhënat tregojnë se tregu i makinave të reja po vëren rënie të fortë. Nëse mesatarisht çdo vit janë shitur rreth 3500 makina të reja, fundi i vitit 2011 e gjen me nën 2000 të tregtuara. Në relacionin që shoqëron ligjin, hartuar nga Ministria e Financave, pranohet nën rreshta se, projekti për heqjen e taksës së importit dhe vendosjes së formulës së re, nuk do ta frenojë importin e makinave të përdorura.

  Shëtitoret e Durrësit kthehen në pazare ambulantësh

Në pikun e sezonit veror, ku Durrësi është mbipopulluar nga turistët vendas dhe të huaj, me qindra ambulantë kanë mësyrë rrugët e qytetit dhe kryesisht bulevardet e parqet. Të gjithë bulevardet, rrugët dhe shëtitoret e Durrësit janë mbytur nga ambulantët, të cilët kanë vërshuar nga të gjithë qytetet e vendit në bregdetin e Durrësit. Në plazhin e Durrësit, në të dy krahët e rrugëve ambulantët kanë zbarkuar nga të gjithë rrethet e vendit, ku me tezga dhe karroca tregtojnë çfarë do lloj malli. Kanë bllokuar të gjithë kalimet e pushuesve saqë këta të fundit janë detyruar të zbresin e të kalojnë në rrugët e makinave. Shqetësimi në këtë zonë është i madh, sepse bllokimi i trotuareve sjell edhe aksidente për këmbësorët, të cilët nuk kanë asnjë mjet kalimi. Rruga nacionale është bllokuar tërësisht në të dy krahët, ku me qindra ambulantë në këtë zonë tregtojnë deri në orët e vona të natës, ndërsa në morinë e shumtë të pushuesve që shëtisin janë edhe hajdutët që vjedhin sendet personale të pushuesve, të favorizuar nga mungesa e vëmendjes dhe rrugës së mbipopulluar. “Shëtitoret janë kthyer në pazare ambulantësh, bashkia duhet të hapë një treg për këto lloj shërbimesh, është e pafalshme që ndër probleme imediate është edhe bllokimi i trotuareve për njerëzit”, u drejtua prefekti  Policisë Bashkiake të qytetit. Prefekti Alizoti , tha se mungesa e bashkëpunimit midis pushtetit lokal dhe institucioneve vendore, ka sjellë përplasje, e cila më së shumti u faturohet pushuesve dhe qytetarëve. Policia Bashkiake e Durrësit është edhe institucioni përgjegjës, i cili duhet të ndërhyjë në këtë lloj situatash problematike.

Rrezikshmëria në shëtitoren “Taulantia”

Në mbrëmje pjesa më e madhe e qyfterëve durrsakë i drejtohen për shëtitje buzë detit, shëtitores “Taulantia”. Në këtë shëtitore ushtrojnë një numër shumë i madh ambulantësh aktivitetin e tyre, që nga tregtarët e lodrave të fëmijëve, ambulantët me ushqime ata me rroba dhe mallra industrialë. Është një numër shumë i madh i ambulantëve aq sa edhe fëmijët është vështirë të luajnë dhe të gjenden, mes rrëmujës që krijohet. Midis ambulantëve janë me dhjetëra lypës dhe hajdutë minoren, të cilët në çdo moment, mund të grabisin çantat dhe sendet personale të pushuesve.