Makinat e deputetëve e ministrave, garë në qendër të qytetit

639
Sigal

DURRËS- Kujtdo që vjen në Durrës do t’i bjerë në sy diçka e pazakontë e vërejtur në qytete te tjera të vendit, është mungesa e Policisë Rrugore, nga e cila përfitojnë elementët e shkrehur kryesisht adoleshentët e shkrehur, duke i kthyer akset rrugore në arenë cirku. Mungesa e semaforit, shenjave sinjalizuese por më kryesorja e punonjësve të Policisë Rrugore, ka nisur prej disa javësh të ndjehet dhe kjo e pasqyruar me aksidentet dhe veprimet e tjera akrobatike të qytetareve të cilët nga momenti në moment mund të futen poshtë rrotave të “Benz”-ave që ecin me shpejtësi mbi 100 km/ore. Dhe kjo ndodh në akset rrugore stacioni trenit- porti detar, Muzeumi Dëshmoreve-Drejtoria e Policisë, tek ish-Danubi, ish-Vollga dhe pothuajse në qendër te qytetit para pallatit të Kulturës, duke terrorizuar nxënësit e shkollave, pensionistët dhe qytetaret e tjerë që megjithëse ecin mbi trotuare shprehen se “duke parë shpejtësinë e makinave mund të mos gjendesh i sigurt edhe atje“. Policia Rrugore në Durrës gjithmonë gjendet “në krye të detyrës“ sa herë vjen ndonjë ministër apo kryeministër, apo kur vjen kreu i shtetit, të cilin e shoqëron gjithë skalioni i motorëve dhe automjeteve të saj. Duke nisur nga ora 0830, deri 18.30, qyteti gjendet nën pushtetin e makinave që bëjnë cirk të vërtetë duke lëvizur me shpejtësi mbi 100 km/orë në akset kryesore, madje duke shpërfillur policinë, edhe para Drejtorisë Policisë nën hundën e uniformave blu. Fillimi i punimeve në disa akse rrugore , e ka spostuar totalisht Policinë Rrugore nga trafiku duke e lënë në mëshirën e fatit trafikun e rënduar, mes ankthit dhe aksidenteve. Durrësi ka sot numrin më të madh të aksidenteve në shkallë vendi, ku pasojat kanë qenë me vdekje dhe plagosje të rënda. Mungesa e semaforëve dhe sinjalistikës, duket sikur e rëndon situatën e trafikut edhe nga mos prania e Policisë Rrugore, e cila patrullon në akse të parëndësishëm, duke nxjerrë jashtë harte kryqëzimet, ku kalojnë çdo mëngjes dhe drekë qindra nxënës shkollash. Qytetarët e Durrësit dhe prindërit shprehen se, “policia qarkullimit rrugor vjen kur ndodh aksidenti, ajo nuk gjendet asnjëherë kur fëmijët shkojnë dhe dalin nga shkolla, duke u rrezikuar atyre jetën“. Spektaklin makinave me shpejtësi e bëjnë shpesh edhe nën hundën e uniformave blu të Policisë Rrugore, madje duke u bërë sfidë atyre. Por shpesh policët e qarkullimit rrugore shprehen se, “edhe kur ndalojmë apo bllokojmë dikë, ai jo vetëm na injoron por edhe na sfidon duke na treguar në celularë numrat e shefave dhe deputetëve, madje ka nga ana që kanë në aparatet e tyre edhe numrin e ministrit, duke na prerë krahët sepse na fluturon vendi i punës“. Kaosi dhe anarkia kanë përfshirë prej kohësh trafikun rrugor në Durrës, dhe kjo ka ardhur si pasojë e shkrehjes së punës edhe nga efektivi i cili i ruhet ndonjë rokadë pas ndryshimit politik. Hyrje-daljet në Durrës nga Ura e Dajlanit si e vetmja rrugë që funksionon për të shkelur qytetin bregdetar, veç punimeve të nisura nga firmat është bërë tepër e vështirë prej disa ditësh edhe nga mungesa e efektivitetit të punës së Policisë Rrugore, e cila nuk dihet se për çfarë misioni mbetet e tillë kur aksidentet nga janari 2014 vetëm janë rritur, duke marrë dhjetëra jetë të pafajshme njerëzish. Artur AJAZI