Majlinda Keta: Me sa duket Rama është zënë Rob…

634
Intervistë me Majlinda Ketën
“Nëse do të kapesha rob ndonjëherë, nuk dua bisedime – dhe nëse do të kërkoja bisedime me pengmarrësit, ata do ta shikonin këtë si një shenjë shtrëngimi”. 
Dje, Z.Rama, nga Vlora, në një takim elektoral është shprehur se koalicioni me Metën ishte pengmarrje. Si e vlerësoni këtë pohim?
Unë nuk dua të besoj që Kryeministri i vendit tim ka pohuar publikisht se shteti i shqiptarëve paskësh qenë 4 vite peng i dashurisë për pushtet i Kryetarit të Rilindjes! Nuk dua dhe nuk duhet të besojmë se pikërisht për këtë pengmarrje të “suksesshme” pengmarrësi u votua për President me bekimin total të “viktimës”. Nuk duhet të dëgjohet më e artikuluar kjo frazë minimalisht për 1 milion votuesit pro së majtës në 2013-n por edhe për votuesit e djathtë dhe Kryeministrin e vendit. Në rrafshin ndërkombëtar ky është një pohim tronditës për cilësinë e shtet-bërjes së shqiptarëve dhe moralin e pushtetarëve dhe politikanëve tanë. Në paskemi qenë peng i të marrit peng! Kam bindjen që sot edhe vetë Kryetari I Rilindjes, po aq sa Kryeministri i vendit ndjehet I turpëruar publikisht nga ky pohim publikisht. Z. Rama duhet t’i kërkojë ndjesë shqiptarëve për këtë deklaratë por një gjë është e sigurt që kjo ndjesë nuk i krijon dot një alibi pozitiviste qeverisjes rilindëse të marrë peng ndërsa 3 javë para zgjedhjeve në Portin e Durrësit, Ministri EXTRA i Rendit, godet një sasi 705 kg kanabis sativa të një shtetasi të huaj, pjesë e trafikut ndërkombëtar të drogës. E trafiku apo sasia e drogës për trafik nuk bëhet brenda 3 javëve që kemi ministra extra Basha Rama, por as me 2 muajt e Z. Xhafaj që shprehu vullnet për luftën kundër tij. Por, hashashizimi i vendit nuk është përgjegjësi vetëm e ish ministrit Tahiri. Kontrolli mbi territorin dhe kufijtë është bashkëpërgjegjësi ministrish dhe agjencish kombëtare, POR, në krye është KRYMINISTRI në përgjegjësi. Më vjen keq që Rama është marrë peng nga ato që e këshillojnë dhe ende e bindin se je në drejtimin e duhur. Ramën po e fusin në kurth ideatorët e kësaj taktike elektorale. Vendi i Kryeministrit dhe i ekipit të tij qeverisës duhet të jetë tek LLOGARIDHËNIA para shtetasve shqiptarë, këtu e përtej kufirit shtetëror, po aq sa edhe ofrimi i sigurisë përmes premtimeve jo tek vetëvrasja politike. Do t’i kujtoja Ramës një shprehje të Henri Kisingerit për cilësitë e udhëheqësve: “Nëse do të kapesha rob ndonjëherë, nuk dua bisedime – dhe nëse do të kërkoja bisedime me pengmarrësit, ata do ta shikonin këtë si një shenjë shtrëngimi”. Me sa duket Rama është zënë ROB. Nga kush? Më mirë se z. Meta nuk e di askush, le të presim ta dëshmojë publikisht. Kjo është nga ato dëshmitë publike që duhet bërë e ditur menjëherë, ndërsa votuesit e majtë janë para vendimmarrjes për votën ndaj së majtës.

Nga Laçi Kryetari i Rilindjes fton votuesit: “ Na duhet një votë që PS ta mbajë timonin vetëm”. Ndërkohë edhe Basha pretendon fitoren dhe marrjen e përgjegjësisë për një qeverisje të djathtë të vendit. Në media dhe korridoret e eminencave të kryetarëve të partive të mëdhaja flitet për një projekt qeverisës Basha Rama me qëllim eleminimin e LSI nga arena politike. Si i vlerësoni këto pretendime?
Një gjë më bën përshtypje tek diskursi publik i dy kryetarëve të partive të mëdha. 

Së pari: Mënyra orientale e të ndërtuarit të diskursit, mungesa e përgjegjshmërisë dhe ndjenjës së detyrës që duhet të kenë ndaj shqiptarëve ku e ndryshmja në besimin politik nuk duhet të jetë shkak për armiqësi dhe konflikte mes njëri tjetrit. 

Së dyti, prirja për ta parë komunitetin e votuesve si feud, pronë të tyre, apo për qasur ato vetëm përmes anketave të paguara prej tyre për opinionin publik ndërkohë që ato duhet të mbajnë përgjegjësi publike për veprimet e tyre pikë së pari, si kryesuese maxhorancash bazuar në kompromis. 

Së treti dhe mbase më e rrezikshmja, është prirja e shfaqur këto muajt e fundit që përveç se pronarë të partive dhe listave të partive po shfaqen edhe si pronarë të pluralizmit të “demokracisë’ shqiptarë. Kështu janë ato që në fjalimet e fundit (më i theksuar është Rama), pas pazarit Basha- Rama, po vendosin edhe fatet e partive të tjera në spektrin politik! Them Pazar, pasi po të ishte marrëveshje kompromisi për të mirën e progresit të vendit duhet të ishte bërë publike edhe për faktin se e kërkon shkrimi i historisë këtë standard, dokumentin. Ne mbajmë pasojat ndërsa shkaktarët kalojnë në pazarin e radhës. Absurde në një vend me demokraci si kusht për anëtarësim në BE! 

Është për të qarë dhe qeshur bashkë që 2 partitë e mëdha janë kthyer në aktorë komedie që 4 vite përpara rivalizonin edhe me numrin e partive në koalicion, ndërsa tashmë po na “bindin” publikisht, që vendi dhe jeta politike e demokracisë shqiptare duhet të kalojë përmes sistemit të 2 partive dhe rotacioneve të tyre.

Së pari, do të doja të shprehja shqetësimin tim, që ne ende nuk e kemi kuptuar çfarë është pluralizmi politik dhe roli i tij në demokraci e për shtet-bërjen, kjo falë shmangieve radikale në ideologji, program e burime njerëzore nga 2 partitë e mëdha, sidomos pas 2005-s. Ndërsa nuk e kemi kuptuar ende do të thotë, që jemi të mangët në kulturë demokratike themelore. Kjo është e patolerueshme pas 27 vitesh pretendimi për rrugëtim demokratik të jetës politike në vend. Për këtë por edhe për më shumë argument nuk duhet të tentohet të asgjësohet edhe si mundësi edukimi demokratik. Së dyti, vendi po shket drejt një autoritarizmi të rrezikshëm më bazë autoritarizmin e kryetarëve të partive pas Gërdec-Kushtetutës dhe efekteve të saj mbi jetën e jurisprudencës shqiptare nga Berisha Rama. Së treti, kryetarët dhe 2 partitë e mëdha janë askushi për të vendosur mbi spektrin politik në vend. Ato janë askushi edhe përballë votuesit shqiptar dhe votës së tij. Në demokraci vendos ligji dhe vota për atë që vlen dhe ka moral të qëndrojë edhe në merkaton politike. Mbi të gjitha vota bart moral, edhe kur hidhet në kuti dhe kur refuzohet të hidhet në kuti. Morali për votën nis me të drejtat dhe dinjitetin që qeverisja i krijon çdo individi e mbaron tek cilësia qeverisëse në mbrojtje të dinjitetit dhe të drejtave të emigrantëve shqiptarë; motivohet nga morali i familjes së udhëheqësit për t’i dhuruar e mbrojtur moralin e çdo familje shqiptare në të mirë e në të keq; ushqehet nga cilësia e mirëqenies së siguruar nga qeverisja për fëmijët së pari për t’u vlerësuar si ndjenjë e të ndjerit në progres për mirëqenien e çdo shqiptari. Partitë e mëdha po kanë një sjellje pa identitet. Atyre iu mungon thellësisht vetja politike e në do t’i sillja përsëri këshillën e Kisingerit: Pranoje veten (politike) tënde në tërësi – absolutisht në tërësi. Ti je TI, fillim dhe mbarim, mos u shfajëso, mos të të vijë keq”.
Të kthehemi tek arsimi, fusha juaj e ekspertizës. Si po e ndjeni referencën gjatë fushatës që ka ngritur pozita dhe opozita ndaj tij? Besoni se vota do sjellë shanse edhe më të mira për progres në këtë sektor për shqiptarët, rininë në veçanti?
Nuk e kisha besuar kurrë që e majta do të dështonte kaq keq me arsimin. Nuk e besoja kurrë që qeverisja zgjodhi buxhetet për qendrat e qyteteve përpara se të shtonte nivelin kritik të shpenzimeve në arsim. Nuk e kisha çuar nëpër mend që politizimi do kapte gjithë kapilarët e funksionimit të sistemit. Nuk mund të perceptoja dot që e majta do ishte “dhunuese” përmes ngarkesave në letër e dokumentacion për mësuesit në sistemin parauniversitar. Nuk do e kisha menduar kaq shpejt asfiksimin e lëvizjes sindikaliste në të. E paimagjinueshme ishte shitja e interesit publik tek porositësit e ligjit për arsimin e lartë që kishin 2 mandate qeverisëse të së djathtës që luftonin me akademizmin dhe fituan me këtë soj të majte. E tmerrshme për të menduar shkallën e centralizmit që u ushqye 4 vite. E neveritshme shkalla e mediokritetit në drejtim të institucioneve të zhvillimit të politikave arsimore dhe atij politikë-bërës. Pas pothuaj 2 vitesh ende nuk janë plotësuar aktet nënligjore të Ligjit të arsimit të Lartë, me pasoja shumë për jetën akademike . E përbindshme shkalla e nepotizmit dhe konfliktit te interesit në grupet “reformatore” dhe agjencitë e përfshira në të. E frikshme aftësia për të reaguar jo në sensin dhe etikën e duhur ndaj mendimit kritik dhe mendimit intelektual të shprehur publikisht për elementë të ndryshëm të qeverisjes në arsim. Tronditëse mungesa e aftësive për matrica progresi dhe analiza kombëtare. Fatkeqe mungesa e aftësive për të shfrytëzuar kapacitetet humane të ekspertizës. Tronditëse politika ndaj kulturës me librin dhe shkencës. Mbytëse rrjeta e merimangës për të shuar dhe mbytur mendimin kritik përmes udhëheqësve me filtër oborri politik dhe shërbëtori ndaj eprorit politik dhe porositësit në tregun e shërbimit. Arsimi në katër vite vijoi të jetësojë filozofinë e të trajtuarit si shërbim ndërkohë që për sot e dhjetëra vite pas këtij për këtë shtet të brishtë në ekonomi e demokraci duhet të trajtohet me përkushtimin si një e mirë publike.

Po pritet opozita e Bashës t’i denoncojë këto gjendje por edhe reflektimin publik të së majtës si koalicion. 2 nga 3 partitë e mëdha kanë premtuar zhbërjen e Ligjit të Arsimit të Lartë por edhe ndryshimet në parauniversitar. 

Po ju sjell atë çfarë ndjeva, ndërsa dëgjova ballazi vlerësimin e një ish nxënëseje të shkëlqyer të shkollave të Tiranës që prej 8 vitesh jeton në Kanada me një protagonizëm sot në fushën e kërkimit shkencor dhe të vlerësimit të politikave arsimore ndërkombëtare: 

“Kur kam shkuar për studime në 2009 profesorët e mi habiteshin për aftësitë dhe kompetencat e mija në matematikë dhe aftësi sociale e udhëheqëse. Pas kësaj kam asistuar shumë studentë me 10-a nga gjimnazet e Tiranës që nuk arrinin të merrnin notë kaluese në po atë matematikë që kisha bërë edhe unë si zgjedhje në fakultet. Pasi i prishët programet dhe tekstet: Ku ikën mësuesit cilësorë që unë kisha, p.sh Gafrinën tek Qemali (Gjimnazi: “Qemal Stafa”)? Po pse zgjodhët modelin anglo sakson edhe në arsimin e lartë? A e dini se Australia dhe Finlanda janë për t’u huazuar si modele suksesi si sistem?”

Ky është një vlerësim për atë çfarë i bëmë arsimit edhe këto 4 vite…..si ato 4 më para këtyre. Pa dalluar me njëri tjetrin, bile më saktë duke kontribuar tek njëri tjetri ndërsa fëmijët tanë vijojnë rrjedhin rrugëve të botës, ndonëse Zeusat e politikës vijojnë: “Reforma në arsim ishte më e shkëlqyera në 27 vite”. Kam bindjen se këto nuk i besojnë vetë as ekzekutuesit e letrave të porositësit. Veç një gjëje i shpëtuam, faktit që sistemi arsimor mund të jepej i tëri me koncesion … Nga kjo shpëtuam dhe me votë mund të ndreqim edhe shumë gabime në vite.

Rëndë, shumë rëndë për të eksperimentuar sërish me të njëjtën formulë dhe nga “pengje” politikë. 

Unë besoj ende tek reflektimi nga politika në këtë konkurrim të radhës, sikurse ndjej që ka një “rebelim” publik ndër auditorë dhe intelektualë publikë. Mos harrojmë EDHE forcën e studentëve dhe të rinjve për ndryshime të mëdha. 
Sigal