Majlinda Keta: A po qeveriset Tirana si një qytet “Smart”?

597
Ndërsa lexoja dhe ndiqja lajme nga Konferenca e Donatorëve e titulluar “Smart City, Go Tirana”, ku merrte pjesë kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj,vërejta se qëllimi i saj ishte ndërgjegjësimi i donatorëve për të mbështetur 112 projekte, që presin financim për t’u vënë në jetë. E për më tepër Kryebashkiaku vijon: “Kjo konferencë nuk është seminari i radhës i strategjive të radhës, por një punëtori praktike, ku kërkojmë mbështetje për projektet tona, pasi buxheti ynë është i pamjaftueshëm. Do të prezantojmë 112 projekte dhe kërkojmë bashkëpunimin publik-privat për t’i vënë në jetë ato”. 
Një gjë e kanë harruar 2 bashkorganizatorët e saj, atë që Tirana në këto 25 vite, ka përjetuar kaq shumë ndryshime dramatike në mjedis, histori, marrëdhënie sociale, arsim, ekonomi,transport, tregti në të njëjtën kohë, sa do të ishte e moralshme që të fillohej nga një NDJESË, përkundrejt parametrave kritikë që ajo bart sot, thënë qartë dhe saktë nga përfaqësuesja e Bankës botërore. Ndjesë, pasi më shumë se gjysma e viteve të qeverisjes së saj postkomuniste i takon Kryeministrit aktual dhe mbështetësit të tij, me projekte në 13 vitet e fundit, kryebashkiakut Veliaj. Kjo pasi informacioni, teknologjia, projektet dhe politikat duhet të shkojnë drejt një ideje: E ardhmja është e garantuar, nëse ka rrënjë të forta tek e sotmja dhe e djeshmja, e parë në mënyrë kritike. E parealizuar publikisht kjo ndjesë, më ul besimin se qyteti im po konceptohet si “smart” e jo më të besoj se do qeveriset si i tillë.
Tiranës i duhet ende të mbështetet për projekte, për standarde minimale të qyteteve, si ajo e uljes së normës së një qyteti 3 herë më të ndotur, se standardet normale të pranuara për mjedisin apo furnizimi 24 orë i banorëve me ujë të pijshëm, siguria e ushqimeve të tregtuara në shitoret publike dhe private etj. E këto nuk qasen fare me cilësinë “Smart” të pretenduar. Për më tepër projekti i ndërtimit të parkingjeve të nëndheshme, si ai i menduar në Parkun “Rinia” është kundërshtia publikisht e farsës “Smart”. 
Tirana e betonit dhe minimizimit të hapësirave të gjelbra e ka të pamundur të rekreatohet nga Agjencia e krijuar pranë Bashkisë Tiranë, nëse me guxim Kryebashkiaku nuk pranon dhe bën transparent, në faqe dixhitale dhe të përditësuara, informacionet mbi kuotat mjedisore të megaTiranës së dhuruar Veliajt nga Reforma territoriale dhe administrative, e cila ende nuk ka kompetenca dhe përgjegjësi të shkruara nën ligj që do prodhojnë demokracinë mjedisore, por edhe hedhin premisa për një qytet që njeh dhe bën funksionale qytetarinë e shekullit 21.
Tirana ‘smart” duhet të tentojë drejt përmbushjes së kërkesave të larta të shoqërisë së shekullit të 21, ato për arsim më të mirë , shërbime më të mira, shëndet më të mirë, në transparencë qeverisëse dhe pa korrupsion. Premtimet gjatë fushatës së Veliajt për kryebashkiak për moratorium të ndërtimeve në qytet dhe rrjedhat ndryshe të ngjarjeve në qytet, iniciativat për “birësime” të çerdheve nga biznesi nuk më lejnë të besoj, se ky politikan i ri vjen për të qeverisur ndryshe, i pakapur nga “korrupsioni” që jetësohet kur shkel moralin e premtimeve në raport me votuesin dhe zgjedhësit apo kur “detyron” birësime në vend të kërkimit të përgjegjësive, deri edhe ato penale, për çmendurinë në betonizim, që ju bë qytetit në 25 vite dhe denoncimin e kësaj mafieje të ndërtimit në vend që ka shkaktuar pasoja fatale për cilësinë e jetës për sot dhe brazat e ardhshëm. Vetëm kështu do t’i thosha Kryebashkiakut “Go on!” në moralitetin tënd qeverisës. Kjo sjellje qeverisëse mbase do të bënte sens përballë një dukurie tashmë të mirëpranuar nga shqiptarët, fakti që kjo klasë politike e 25 viteve(më saktë pjesa më e madhe e saj) është klasa me besimi më të ulët publik dhe me plot gojën mund të pohohet që i kanë sjellë dëmin më të madh demokracisë shqiptare. Sot, në 21 janar, 4 jetë njerëzore, akuzojnë këtë klasë politike që maksimizoi nivelin e së keqes ndaj këtij populli kur deshi t’i tregonte, se çfarë ishte e aftë të bënte për të marrë dhe për të mbrojtur pushtetin, aty, në shesh, ku në vend të AGORËS zgjodhi plumba për tekat dhe manitë e saj ndaj pushtetit. Ju zotërinj politikë, organizatorë folët si qytetarë dixhitalë dhe të kuruar në performancë, folët në emër të institucioneve, por harruat që ju nuk do qeverisni, nëse nuk keni kuptuar konceptin e qytetarisë së shekullit 21, atë që përtej kuptimit të rëndësisë që ka votimi 1 herë në 4 vjet, më tepër rëndësi ka kuptimi, se ju duhet të ndërveproni me ne qytetarët çdo ditë dhe për çdo gjë në mënyrë transparente. Ne nuk jemi vetëm konsumatorë të shërbimeve publike të ofruara prej jush. Pashë tek Ju zotërinj politikë, se keni të dhëna, të dhëna që mendoni se fillojnë dhe mbarojnë me Ju, por keni pak ide dhe besim për projektet e Tiranës tonë “Smart”, kjo, pasi juve ju mungojnë ekspertët lëndorë, që i kanë artikuluar problemet e saj më parë, guximshëm dhe me kompetencë; juve ju mungon CV akademike dhe civile e konceptit “Smart” për të kuptuar Tiranën tonë “crazy-të çmendur”, sepse nuk u mirëqeverisë, por u pa si një lopë për t’u mjelë nga qeveritarët lokalë, nga më së shumti prej tyre, gjatë karrierës së tyre qeverisëse. Për ta kuptuar Tiranën tonë të shek 21, ne kemi nevojë për të realizuar kuptimin e saj, kemi nevojë të pranojmë historinë e saj 25-vjeçare “crazy”, që më pas të fillojmë të ndërtojmë atë “Smart”. Uroj që donatorët e ftuar në atë Konferencë, pasi vijnë nga demokraci më të stabilizuara dhe të qëndrueshme se kjo e jona, të kenë pranuar se ato që përdorin sheshet e Tiranës, duke lënë peng jetë qytetarësh nën ndotje, mungesë uji dhe ngrohje, të papunë dhe në emigrim masiv drejt botës, nuk mund të bëjnë Tiranën “Smart”, agorë për qytetarë dhe ekspertë lëndorë, që do siguronin zbatimin e zhvillimit të qëndrueshëm në vend, përmes qyteteve “Smart”. Filozofia “Smart” nuk mund të ngrihet mbi pushtete, ku keqpërdoret, injorohet dhe harrohet drejtësia për jetët njerëzore të humbura në sheshe qytetesh.

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 21.01.2016
Sigal