Lutja e pazakontë në “Fiks Fare”: Dua të shes veshkën!

589
Historia e nënës së një 15-vjeçareje, që në pamundësi ekonomike mori vendimin e vështirë
“Dua të shes veshkën!”. Këto janë fjalët e një nëne që i është drejtuar emisionit “Fiks Fare” me këtë kërkesë të pazakontë, për shkak të kushteve të vështira ekonomike. Ajo tregon se e ka menduar gjatë dhe pamundësia ekonomike e ka detyruar të vendosë për të kryer këtë veprim. “Burri im është i sëmurë dhe nuk ka mundësi të punojë, shtëpi nuk kemi, jetojmë te prindërit e mi. Ata nuk kanë pension. Të vetmet të ardhura janë rroga ime prej 220 mijë lekësh të vjetra”, tregon ajo historinë për të shpjeguar se çfarë e ka shtyrë të marrë vendimin për të shitur veshkën. Ajo tregon për “Fiks Fare”, se këtë e bën për vajzën e saj, e cila është vetëm 15 vjeçe dhe dëshiron që ajo të jetojë si adoleshentet e tjera. “Dua të bëj diçka për të, t’i lë të paktën një shtëpi, të tregoj se unë mund të bëj diçka për të, pasi për të do të jepja jetën”, rrëfen gruaja e re, e cila është rreth 40-ve dhe jeton në Tiranë. Nëna e re shpjegon se ka dy vjet që e mendon këtë gjë, por nuk i ka treguar askujt dhe dëshiron që, sidomos vajza e saj mos ta mësojë kurrë këtë fakt. Madje, ajo thotë se disa herë është drejtuar për të ardhur te “Fiksi”, por është kthyer rrugës. Edhe ditët e fundit është afruar dy-tre herë, derisa ka vendosur të hyjë në redaksi dhe të bëjë kërkesën e veçantë. “Kisha frikë se si do e merrnin njerëzit, se si do më gjykonin, si do më shihnin, se unë nuk kam frikë për jetën time. Këtë po e bëj për fëmijën tim dhe nuk druhem për asgjë, prandaj, ju lutem më ndihmoni!”, mbyll rrëfimin e saj nëna e re, teksa i dridhet zëri, me shrpesën se nëpërmjet emisionit, dikush do e dëgjojë dhe veç faktit, se ajo do i vijë në ndihmë familjes së saj, me këtë veprim do të ndihmojë edhe dikë që do e ketë të nevojshme transplantin e një veshke.
Sigal