Lungomare, zgjidhja e propozuar nga projektuesit do të krijojë probleme më të mëdha se sa ato ekzistuese

609
Sigal

 Qytetarët e Vlorës refuzojnë zgjidhjen e profilit të rrugës, nuk merr në konsideratë qarkullimin në periudhë piku të sezonit turistik kombëtar

 Qytetarët e Vlorës, grupet e interesit dhe komuniteti i biznesit kanë pritur me gëzim të madh, krenari të veçantë dhe padurim fillimin e punës për Shëtitoren Bregdetare të Vlorës.

Qeveria Shqiptare me konkursin ndërkombëtar, organizimin e tij dhe premtimin për t i dhënë Vlorës shëtitoren Bregdetare e bën qytetin tonë një qytet të hapur kundrejt detit dhe e rankon atë, jo vetëm për bukuritë natyrore si një nga më të bukurit e Mesdheut, por me shëtitoren e gjatë 6.5 km, ajo do të qëndrojë denjësisht përballë shembujve më të mirë të rajonit dhe ndoshta më gjerë, duke shtuar në të njëjtën kohë në inventarin e qytetit gati 125 ha hapësirë publike për pushim, shplodhje, argëtim e rekreacion gjithëvjetor. Kjo i bën qytetaret e Vlorës, bizneset dhe të gjithë të interesuarit të jenë mjaft të vëmendshëm, në procesin e vështirë të vendimmarrjes e të realizimit të shëtitores. Por në të gjithë këtë proces të hapur diskutimi, projektimi dhe realizimi, ne shikojmë mjaft probleme të cilat nga njëra ane nuk besojmë se na çojnë drejt maksimalizimit të rezultateve dhe nga ana tjetër tani është momenti për të shprehur gjithçka e për të dialoguar, me qëllim që nëpërmjet komunikimit, rrahjes së mendimeve profesionale dhe sugjerimeve mund të shpëtojmë një proces i cili në mënyrën sesi po ecën mund të deformojë në mënyrë të pakthyeshme të ardhmen urbane, ekonomike e turistike të qytetit dhe të krejt rajonit.
Disa nga shqetësimet janë:
1- Mungesa e një detyre projektimi të precizuar e të miratuar, ka krijuar një hapësirë të madhe lirie e voluntarizmi tek autorët e projektit, tek të cilët vështirësia rritet gjithashtu nga mungesa e njohjes së specifikave të terrenit dhe bashkëpunimit me faktor lokal, distanca e grupit të projektimit prej vendit ku zbatohet projekti dhe nga njëherë komplekset që lidhen me vendin apo traditën ndërtimore të cilat mishërohen në zgjidhjet e dhëna, skemën funksionale, apo elementët e detajet të cilat do ta bënin unike Shëtitoren Bregdetare të Vlorës. Ky rezulton të jetë një projekt që mund të ketë kapacitet të lartë konceptual, por që nuk i përgjigjet kërkesave imediate e perspektive të qytetit të zonës të banorëve apo të turizmit. 2-Rruga bregdetare e cila është elementi kryesor formulues por edhe funksional, në lidhje me qarkullimin e mjeteve nisur nga reduktimi i lëvizjes së tyre pa krijuar asnjë zgjidhje alternative, është zgjidhur në mënyrë skandaloze e jo funksionale, ndoshta mbështetur në studime fizibiliteti, të cilat nuk përkojnë me momentet e pikut. Një zgjidhje e mirë e adekuate i jep përgjigje problemeve në momente më të vështira. Ne refuzojmë zgjidhjen e dhënë nga grupi projektimit të profilit të rrugës, e cila jo vetëm nuk zhbllokon problemet e vjetra të qarkullimit të 35 mije automjeteve lokale në këtë segment, por nuk merr në konsideratë qarkullimin në periudhë piku të sezonit turistik kombëtar. Zgjidhja e propozuar nga grupi i projektimit do të krijojë probleme edhe më të shumta, edhe më të mëdha se sa ato ekzistuese, të cilat në këto 20 vitet e fundit e kanë kthyer Vlorën nga në një destinacion të merituar për potencialet e pafundme turistike e natyrore në një ” ferr” sidomos në muajt korrik dhe gusht. Zgjidhja me një kalim vajtje = 3.5 m dhe një ardhje = 3.5 m ku rruga ekzistuese prej 11.0 m tkurret në 7.0 m duke përmendur efektin “by-pass” apo pretendimin e një shëtitoreje në shërbim të këmbësorëve, është një zgjidhje e përkeqësuar, aspak me vizion, që jo vetëm nuk merr në konsideratë trafikun publik në rritje, linjat emergjente apo hyrje-daljet, por e kthen segmentin Skele-Tunel në një “stenozë kombëtare” sidomos gjatë sezonit të lartë turistik. Ky është problemi më i madh i ofertës aktuale që paraqet grupi i projektimit në kushtet kur nuk janë dhënë zgjidhje alternative për trafikun në segmentin Skele-Tunel dhe kur historikisht Vlora ka rrugët urbane me prurje dhe profile mjaft të gjera që janë ideuar, projektuar e ndërtuar para viteve 90. Zgjerimi i korsive të makinave mund të konsiderohet si një kërkesë e pakontestueshme dhe e pa negociueshme nga të gjithë ata që kanë përdorur këtë rrugë, e cila edhe në momente jo piku prezanton probleme qarkullimi.
3- Korsia e biçikletave është projektuar të jetë në anën e zonës së banimit. Ky është një nonsens i madh i projektit. Ajo edhe në konsultë me shembujt e vlerësuar mesdhetar, duhet të jetë në anën e detit, sepse që aty ka më pak intersektime, është pranë pedonales e këmbësorëve e mund të shijohet zona panoramike që lidhet me bregdetin.
4-Rrjeti i KUZ me gjithë investimet që janë bërë, sot nuk paraqitet funksional, bile është me probleme të mëdha. Sot janë rreth 27 pika te ujërave të zeza që derdhen në det, e që e kthejnë bregdetin, në zonën e parashikuar të shëtitores, në një nga hot-spotet kombëtare, sepse sistemi i KUZ-se nuk funksionon. Zgjidhja urbano-arkitektonike e shëtitores është një projekt integral ku fillimisht konsolidohet në mënyrë finale infrastruktura nëntokësore, në radhë të parë zgjidhja e problemeve të ujërave të zeza, e cila ende nuk duket e përfshirë në projektin e ri. Bashkë me këtë duhet realizuar edhe zgjidhja e KUZ-se të zonës së re të banimit pas tunelit (zona e vilave) e cila me zhvillimin intensive që ka marrë vitet e fundit duhet të lidhet me sistemin e KUZ-se së qytetit e jo të funksionojë me gropa septike.
5- Rrjeti i KUB në projektin e shëtitores Bregdetare, duhet t u jap zgjidhje problemeve të ujërave të shiut, të cilat sipas kushteve teknike duhet të jenë të ndara nga ato të ujërave të zeza dhe të përballojnë fluksin e madh të ujerave të shiut në moment piku. Por edhe kjo nuk duket të jetë e parashikuar në projektin e ri të shëtitores. Realiteti ka treguar se shkatërrimi dhe bllokimi i kanalizimeve të ujërave të bardha ekzistuese në vitet e tranzicionit ka sjellë emergjencën e planifikimit, projektimit dhe ndërtimit të rrjetit të ri të ujërave të bardha sidomos në zonën ku parashikohet të ndërtohet shëtitorja.
6-Trajtimi i vijës bregdetare dhe vija ndarëse e tokës me detin paraqitet e paargumentuar shkencërisht dhe e pa zgjidhur teknikisht kryesisht në zgjerimin e kapaciteteve të plazheve, si dhe në ndryshimin dhe mobilimin e vijës ndarëse midis tokës dhe ujit në zonat e tjera. Duket sikur projekti është i papërfunduar në drejtim të zgjidhjes së pontileve dhe strukturave në drejtim të detit të cilët do të shërbenin për akostimin dhe parkimin e mjeteve lundruese dhe jahteve. Kjo është një mangësi që do të ndëshkonte në mënyrë të drejtpërdrejtë të ardhmen turistike të qytetit dhe të rajonit.
7-Përzgjedhja, mbjellja dhe mirëmbajtja e gjelbërimit si një nga elementët lidhës volumor, funksional e estetik ka një rëndësi mjaftë të veçante. Nga diskutimet me specialistë të gjelbërimit dhe njohës të mirë të dendrologjisë së zonës ka rezerva për mbjelljen e një sasie kaq të madhe të pishave të Alepusë në këtë zonë, sepse mund të krijojë monotoni, në ngjyrë dhe volumetri, ndotje dhe kosto në mirëmbajtje dhe më kryesorja i largohet traditës urbane. Ndoshta do të ishte e këshillueshme alternimi sidomos me palmën, por edhe me bimë të tjera mesdhetare. Për ne ky projekt është i një rëndësie të veçantë, është jetik dhe ne besojmë se vetëm nëpërmjet dialogut, përpjekjeve të mëdha projektuese e transparencës mund të arrijmë rezultatet e pritura dhe të realizojmë ëndrrën e mijëra qytetarëve vlonjatë për t’i dhënë një impakt të ri qytetit. Se si do të përfundojë ai dhe se si do të jetë shëtitorja nesër, ashtu do të jetë vetë qyteti. Ka shembuj në histori që gabimet njerëzore i kanë bërë të vdesin qytetet, siç ka shembuj që shanset i kanë  kthyer në një jetë të re, pra i kanë rivitalizuar. Shëtitorja bregdetare e Vlorës është një shans i madh për Vlorën e për të gjithë Shqipërinë për sot e përgjithmonë.

“SOM”

Zgjidhja e propozuar nga grupi i projektimit do të krijojë probleme edhe më të shumta, edhe më të mëdha se sa ato ekzistuese, të cilat në këto 20 vitet e fundit e kanë kthyer Vlorën nga në një destinacion të merituar për potencialet e pafundme turistike e natyrore në një ” ferr” sidomos në muajt korrik dhe gusht. Zgjidhja me një kalim vajtje = 3.5 m dhe një ardhje = 3.5 m, ku rruga ekzistuese prej 11.0 m tkurret në 7.0 m duke përmendur efektin “by-pass” apo pretendimin e një shëtitoreje në shërbim të këmbësorëve, është një zgjidhje e përkeqësuar, aspak me vizion.