Lumturimi i 38 martirëve, Papa: Pranuan torturat e vdekjen, por nga Zoti nuk hoqën dorë

494
Sigal

Martirët e lumturuar të shtunën në Shkodër
kanë zënë vend në predikimin e Papa Françeskut gjatë meshës së të dielës, ku
Ati i Shenjtë i citoi si një rast vetëfjilimi sublim në emër të besimit të
tyre. Këta njerëz, – tha kreu i Kishës Katolike, – pranuan torturat e vdekjen,
por nga Zoti nuk hoqën dorë”.

“Dje në
Shkodër të Shqipërisë u lumturuan 38 martirë: dy peshkopë, priftërinj të
shumtë, një seminariste e disa laikë, viktima të persekutimit të egër të
regjimit ateist, që e dominoi gjatë atë vend shekullin e kaluar. Ata preferuan
të vuanin burgun, torturat, e deri edhe vdekjen, vetëm që t’i mbeteshin besnikë
Krishtit dhe Kishës. Shembulli i tyre na ndihmoftë të gjejmë te Zoti, forcën që
ruan në momentet e vështirësisë e që frymëzon qëndrime mirësie, faljeje dhe
paqeje”, tha Papa Françesku.

Ceremonia e
lumturimit të 38 martirëve të pushkatuar nga regjimi komunist, për shkak të
besimit të tyre, u zhvillua të shtunën në Shkodër, në Katedralen e “Shën
Shtjefnit”.

Ceremonia u
drejtua nga Kardinali Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e
Shenjtorëve. “Beatifikimi” u realizua me urdhër të vet Papa Françeskut dhe pas
kërkesës së autoriteteve të Kishës Katolike në Shqipëri.

Në shërbesën
historike të kthyer në dëshminë e faktit, sesi sakrifica dhe vlerat e këtyre
njerëzve kapërcyen dekada të tëra pas vdekjes së tyre, për t’i sjellë në fund
vlerësimin e lartë që meritojnë, morën pjesë besimtarë të shumtë nga Shqipëria,
Kosova, Mali i Zi, Kroacia e mbase diaspora shqipfolëse, ndërsa nuk mungoi dhe
prania e autoriteteve më të larta shtetërore.