Lumit Lengaricë i del pronari

749
Fiks Fare/ Shteti i jep pronën publike privatit dhe nuk i del për zot pronës së tij
Në vitin 2007 ish-Zyra Rajonale e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Gjirokastër, ka dhënë në favor të trashëgimtarëve të Shefki Vrenozit 581 ha tokë, e zërit kadastral “pyll” duke përfshirë edhe një pjesë të pronës shtetërore. Ky ishte denoncimi i ardhur në redaksinë e emisionit, “Fiks Fare” nga zoti Shpëtim Sadiku. Sipas tij, hipoteka e Permetit, ka regjistruar një pronë publike, si pronë private duke prekur, shtratin e lumit Lengaricë dhe banjat termike në zonën e Petranit, Përmet. Denoncuesi, Shpëtim Sadiku është ankuar në të gjitha institucionet, ku këto të fundit ia hedhin “topin” njëra-tjetrës. Pas këtij informacioni, Fiks Fare u njoh me vendimin e marrë dhe më pas shkoi në Hipotekën e Përmetit për të mësuar më shumë rreth këtij rasti. Fiks Fare, zbuloi se shkelja është bërë nga Hipoteka e Përmetit. Shkelja qëndron tek harta me të cilën është bashkëlidhur vendimi nr.25 nga AKKP Gjirokastër, ku kanë hipotekuar 581 ha tokë, duke përfshirë edhe pronën shtetërore. Hipoteka e Përmetit, me regjistrues Arjan Kasaj, ndërtoi një hartë ndryshe nga harta pyjore e ndërtuar nga AKKP, me të cilën nuk përfshihen lumi Lengaricë dhe burimet. Sipas hartës së nxjerrë nga Hipoteka e Përmetit, rezulton se brenda sipërfaqes së trajtuar 581 ha nga dispozitivi i vendimit është përfshirë parcela nr.90, me siperfaqe 5 ha, e cila është dhënë në favor të trashëgimtarëve të Shefki Vrenozit duke përfshirë, Lumin Lengaricë, Burimet e Pucrave dhe Urën e Kadiut.

Z. Sadiku shprehet se në këto rrethana i është drejtuar prokurorisë së rrethit Gjirokastër , e cila konstatoi mbivendosje të pronës së regjistruar dhe pronës publike. Por prokuroria nuk ndërmori as edhe një hap të mëtejshëm, si fillimin e një procedimi penal me arsyetimin se kjo është një marrëveshje, e cila duhet të zgjidhet mes palëve. Duke harruar apo neglizhuar se pala e interesuar në këtë rast është shteti, pasi kemi të bëjmë me pronë publike.

Të kontaktuar nga gazetarët e Fiks Fare, regjistruesja e hipotekës së Permetit, Sanie Xhaferraj shprehet se kemi të bëjmë me një shkelje. Ndërsa sipas hartografit pranë zyrës së hipotekës, Adriatik Bakushi, në momentin që prona e trashëgimtarëve Vrenozi, është regjistruar, nuk duhet të kishin hyrë me sistemin e hipotekës por me sistemin e ri të regjistrimeve, prandaj dhe ata e kanë konstatuar këtë shkelje. Sipas tij, ky problem ka nisur në 2007-n ku zyra e hipotekës në atë kohë ka regjistruar si pronarë familjen Vranozi. “Faji është i shtetit që nuk ndërhyn në këtë rast dhe Avokatura e Shtetit duhet të jetë më fleksibël, më e ndjeshme dhe duhet t’i lëvizë më shumë gjërat” shprehet hartografi .

Pas informacionit nga zyra e Hipotekës Përmet, Fiks Fare iu drejtua Avokaturës se Shtetit me një kërkesë. Në përgjigjen e saj thuhet se, nuk është njoftuar asnjëherë nga administrata shtetërore për këtë problem.” Si Avokaturë Shteti nuk kemi asnjë indicie nga asnjë organ qendror i administratës publike për problematika që mund të jenë shkaktuar nga vendimi i pronave, apo ndonjë kërkesë për ngritjen e padisë. Për më tepër Avokatura e Shtetit nuk vlerëson se në rastin konkret ka vend për ngritjen e padisë për sa kohë që në dispozitivin e vendimit, prona në fjalë nuk i është kthyer subjektit.” thuhet në shkresën zyrtare. Por nga dokumentacionet që Fiks Fare ka, vërtetohet se Avokatura e Shtetit është njoftuar në vitin 2013 nga Drejtoria e Shërbimit Pyjor dhe në vitin 2014 nga Hipoteka e Përmetit. 
Sigal