Lumi Erzen rezulton me radioaktivitet, qeveria mëson lajmin nga Italia

3534
Sigal

Lumi Erzen ka mbetje radioaktive, gjë, e cila ka sjellë shfarosjen e peshkut dhe gjësë së gjallë

Veç Spitallës dhe Porto-Romanos, tashmë një tjetër zonë e rrezikshme i është shtuar qarkut të Durrësit. Bëhet fjalë për zonat ku kalon dhe shtrihet lumi Erzen. Ky lumë kalon në 12 fshatra dhe përmes qytetit të Shijakut, duke prekur mbi 36 mijë banorë bashkë me zonat përreth. Duke dalë jashtë kontrollit të pushtetit vendor dhe qendror, lumi Erzen padyshim jo jashtë vëmendjes së opinionit qytetar. Është e pabesueshme dhe krejtësisht absurde, që pas konstatimeve në Spitallë, edhe për rezultatet e lumit Erzen, konstatimet kanë ardhur nga përtej detit, nga Italia. Sipas analizave të kryera nga një shoqatë italiane mjedisore ka rezultuar se, “lumi Erzen ka përqendrime të larta të lëndëve dhe mbetjeve radioaktive, gjë, e cila ka sjellë shfarosjen prej disa vitesh të peshkut dhe gjësë së gjallë në gjithë rrjedhën e tij nga Shijaku deri në derdhjen në Adriatik”. Rekomandimet duket se i kanë vajtur si bashkive dhe komunave, të cilët deri sot nuk e kanë vlerësuar faktin skandaloz por e kanë mbajtur të fshehtë. Madje, interesimit tonë në zyrat e Bashkisë Shijak dhe disa komuna nga ku kalon lumi Erzen, disa zyrtarë i janë përgjigjur se, “e dimë fenomenin por çfarë të bëjmë ne, s’kemi fuqi ligjore dhe financiare”. Një papërgjegjshmëri e tillë është skandaloze, kur mendon dhe konstaton se në brigjet e Erzenit hidhen ditën dhe natën lloj-lloj mbetjesh inerte, por edhe me përqendrime radioaktiviteti, të cilat po e kthejnë atë në zonë të ndotur dhe të pajetueshme, në njëlloj si Çernobili të vogël dhe të rrezikshëm. Sipas disa banorëve të Shijakut dhe fshatrave rreth tij ku kalon Erzeni, “lumi shpesh ka erën e keqe, ngjyrën e kuqe dhe të murrme, mbi atë notojnë lloj-lloj pjesësh të pajisjeve të ndryshme industriale, të cilat nuk dihet akoma se kush i shkarkon ditë e natë atje”. Fshatarët kanë paraqitur pranë veterinerëve të zonave të tyre shqetësimin se, “shpesh bagëtia sëmuret dhe qumështin e japin me erë kur kullosin pranë brigjeve të lumit”. Alarmi duhej të ishte kambana e fortë për agjencitë mjedisore dhe shoqatat e tjera vendase si dhe për organet e pushtetit vendor, të cilat presin kur italianët apo amerikanët vijnë dhe konstatojnë pas analizave se, “Spitalla është e pabanueshme, apo Erzeni ka përqendrime të radioaktivitetit në masa të patolerueshme duke rrezikuar njerëz dhe bagëti”. Por duket se ashtu si deri sot, fondet edhe për lumin Erzen do të jepen kur ai të ndotë dhe të rrezikojë më parë dhjetëra jetë njerëzish dhe gjënë e gjallë e vetmja pasuri e fshatarit, pastaj qeveria të kujtohet t’i lutet FMN apo BB për t’i dhënë borxhe të tjera, si veproi me murin e Lindanit në Spitallë.       A.A