Lulëzim Gojka:Në shtator riorganizim total për ish- Kombinatin Ushtarak të Poliçanit

699
Sigal

Flet për “Telegraf” ish-drejtori i Kombinatit, Lulëzim Gojka: “Të larguarit do të rikthehen në punë. Do të hapen sektorë të rinj!”

Fitorja e së Majtës së bashkuar ka bërë që banorët e qytetit ushtarak të Poliçanit të shpresojnë për një të ardhme më të mirë. Madje, të gjithë personat që e kanë lidhur jetën me ish-Kombinatin Ushtarak të Poliçanit tashmë shpresojnë që kombinati të ‘marrë frymë’ lirshëm dhe të pres përsëri punonjësit e tij, sepse para zgjedhjeve me ndërrimin e drejtorit u larguan nga puna dhe punonjësit e kombinatit. Sigurisht, ata, të cilët i përkisnin Lëvizjes Socialiste për Integrim, ku dhe ish-drejtori, i përkiste po kësaj force politike u zëvendësua me simpatizantët e Partisë Demokratike. Banorët e Poliçanit shprehen se, forca e tyre politike që gjithmonë kanë mbështetur është, LSI dhe deputeti Nasip Naço. Ky i fundit ka premtuar në fushatën elektorale se me fitoren e së Majtës së bashkuar kombinati do t’i nënshtrohet ndryshimeve të mëdha. Në ‘të do të zbatohen shumë projekte, të cilët do të zgjerojnë gamën e prodhimeve në shumë sfera, çka do të bëjë që në këtë kombinat të punësohen një numër i madh punëtorësh. “Në punë do të kthehen të gjitha ata punonjës që janë specialistë dhe janë hequr padrejtësisht nga puna duke u zëvendësuar me simpatizantë partie”, këtë lajm e bën të ditur për gazetën “Telegraf”, ish-drejtori i Kombinatit Ushtarak të Poliçanit, z.Lulëzim Gojka, i cili tha se, “tanimë që fitoi e Majta e bashkuar, do të fitojnë edhe banorët e Poliçanit…do të fitojë dhe kombinati, i cili nuk do të braktiset ashtu si u braktisë disa kohë më parë, por do të këtë një volum të madh pune në zbatim të disa projekteve që ne kishim për t’i zbatuar, por politika e mbrapshtë bëri që ato të mbeten në gjysmë”,  tha Gojka.

Premtimet gjatë fushatës

Në fushatën elektorale deputeti Naço është shprehur se, “vota juaj dhënë LSI-së, do të jetë Rilindja juaj dhe e këtij qyteti që ndodhet këtu, në mes të maleve. Ne do të sjellim shpresën tek ju”, ka premtuar deputeti Nasip Naço. Referuar këtyre premtimeve Gojka citoi: “Tashmë që LSI fitoi në këtë zonë ne do të bëjmë realitet premtimet e dhëna para këtyre njerëzve, të cilët shpresat për një jetë më të mirë i kanë lidhur me atë që ka emrin kombinat”. Po sipas Gojkës, mësohet se, kanë filluar dhe përgatitjet për një ndryshim total në këtë kombinat dhe duke iu përmbajtur këtij fakti ai tha: “Në muajin shtator do të bëhet një riorganizim i ri dhe do të emërohet drejtori përkatëse. Ilir Meta shpesh herë ka bërë ndërhyrje në qeveri dhe Ministrinë e Mbrojtjes që kombinati të vazhdonte punën, pasi ishin të punësuar rreth 400 punëtorë dhe me projektet që drejtuesit e kombinatit kishin përgatitur për të zbatuar do të punësoheshin akoma më shumë punëtorë”. Disa ish-punëtorë të kombinatit që janë hequr nga puna për bindjet politike janë shprehur: “Jemi me fat që fitoi deputeti ynë dhe së bashku me të Majtën e bashkuar, Nasip Naço do të kthejë rilindjen në Poliçan, sepse ne presim shumë nga ai Ilir Meta. Ne duam që ky kombinat të rikthehet në parametrat e mëparshme”. Sipas disa burimeve thuhet se, Ministria e Mbrojtjes do t’i përkasë LSI-së.

Drejtori i ri

Siç duket LSI e ka piketuar drejtorin që do të emërojë në kombinat dhe sipas të dhënave ai do të jetë ish-drejtori që për veprimet politike pas shkëputjes së LSI-së nga koalicioni qeverisës e hoqën nga puna duke e zëvendësuar me një tjetër që nuk është i profilit që kërkon puna. Gjatë kësaj kohe Lulëzim Gojka ka qenë koordinator i zgjedhjeve për LSI-në në qytetin e Poliçanit.