Lukova, pas Ismail Qemalit, e para që ngriti flamurin e Pavarësisë

617
Sigal

Sot Lukova nuk pajtohet me veprimet individuale të dikujt për t’i dhënë status tjetër qëndrimit patriotik të saj

Kjo është një banesë sa e zhurmshme, aq edhe e heshtur, në qendër të Lukovës. Nuk mund t’i shmangesh imazhit të sajë edhe për vet pozicionin gjeografik në buzën e rrugës nacionale Sarandë-Vlorë. Vet konstrukti i kësaj godine tregon se të parët vijnë nga familje aristokrate dhe pasardhësit dinjitoz në mbrojtje të vlerave të origjinës së tyre dhe historisë krenare.

Lasko Nasti, lukovjoti që ngriti flamurin shqiptar në ballkonin e shtëpisë

Kjo (në foto) është banesa e Lasko Nestur Nastit i lindur më 12 Mars 1879 dhe vdekur në 18 Shkurt 1964. Qëllimi i këtij publikimi ka të bëjë me veprimtarinë patriotike dhe atdhetare të Lasko Nestur Nastit në shërbim të interesave kombëtare të Shqipërisë. Lasko Nasti i bënte pjesë në rrjetet patriotike të mëmëdhetarëve dhe luftëtareve dhe burrave të shtetit, fisit Delvinaj në qytetin e Delvinës dhe po me çetën e Delvinës merr pjesë në ceremoninë e shpalljes së Pavarësisë në Vlorë nga Ismail Qemali. Kthimi nga Vlora do ta përjetësonte në histori Lasko Nastin e Parë, pasi në ballkonin e shtëpisë së tij ngriti flamurin kombëtar duke u bërë lajmëtari i parë i shpalljes së Pavarësisë së shtetit Shqiptar, ngritja e parë e flamurit në jug pas Ismail Qemalit. Lukova i tha botës mbarë se, është pjesë e truallit shqiptar dhe jo e orekseve dhe manipulimeve të sotme. Lasko Nasti i parë, dhëndër i fisit patriotik të Kutullajve të Himarës, burri i Agathisë, në veprimtarinë patriotike dhe atdhetare pati mbështetjen edhe të fisit atdhetar himarjot, dhëndër ku ishte. Ndaj sot Lukova nuk pajtohet me veprimet individuale të dikujt për t’i dhënë status tjetër qëndrimit patriotik të saj. Por çudia ndodhi edhe në vitet e pasçlirimit, ku familja e këtij patrioti u përndoq e persekutua pa ditur shkaqet dhe fajin. Sot kjo banesë qëndron stoike dhe krenare me heshtjen e sajë shumëfjalësh, si një relikë e vlefshme e historisë, jo vetëm të bregdetit, por edhe asaj shqiptare. Na i sollën ngjarjet e fundit në Himarë, ku komente të shumta shtypi nuk përmendnin emrin e përfaqësuesit të “Agimit të Artë”, por e identifikonin në faqet e para si “lukovioti” që ndoqi priftin. Por Lukova është edhe e Lasko Nastit që ngriti flamurin menjëherë pas Ismail Qemalit. Historia flet dhe kërkon nderime dhe respekt.