Luhatjet e forta të euros; monedha e përbashkët në “krizë”

656
Euro ka shënuar sërish rënie përkundrejt lekut në tregun vendas për të dytën ditë radhazi. Një euro këmbehej sot në treg me 130.44 lekë, apo 0.69 pikë më pak se një ditë më parë. Sipas aktorëve kryesorë të tregut kjo rënie e njëpasnjëshme e euros shpjegohet me efektin sustë, ku niveli i kursit të këmbimit po merr pozicionin e mëparshëm, pas rritjes së fortë që e çoi brenda pak ditësh monedhën e përbashkët nga 129 lekë në 132 lekë.
Ekspertët shpjegojnë se euro vijon të mbetet e dobët në tregun e brendshëm si rrjedhojë e ofertës së lartë, e cila vjen nga kanalet informale, konvertimet e bizneseve për të paguar taksat, transaksionet e shtuara në tregun e pasurive të paluajtshme, ku blerjet kryhen me euro dhe më pas ndërtuesit e konvertojnë në lekë, orientimin e disa transaksioneve drejt lekut, duke shtuar ofertën në valutë, konvertimet e atyre që kanë euro në shtëpi, që nxituan t’i kthejnë në lekë nga frika se mos monedha e përbashkët binte më tej, orientimin e investimeve drejt lekut, që nënkupton konvertimin e eurove etj.
Një tjetër arsye që ka ndikuar në zhvlerësimin e ditës së premte është fundjava. Për shkak të festës së Pashkëve, bankat e nivelit të dytë do të jenë të mbyllura gjatë tri ditëve në vijim dhe kjo ka shtyrë individët që të mbyllin punët (tërheqje, depozitime dhe pagesa) me institucionet financiare gjatë ditës së sotme.
Megjithatë sipas aktorëve të tregut të këmbimit, në zhvlerësimin e euros më shumë po ndikon faktori psikologjik. Për shkak të nënçmimit të monedhës së përbashkët europiane, ka një orientim të individëve drejt kursimeve në lekë. Këtë e tregojnë edhe të dhënat e publikuar sot nga Banka e Shqipërisë stoku i depozitave në valutë kishte rënë me 47 milionë euro. Kjo është rënia më e madhe mujore që prej majit të vitit 2014.
Në luhatjet e forta të ditëve të fundit, ku euro zbriti në 129 lekë dhe më pas u rrit menjëherë në 132 lekë kanë ndikuar dhe transaksionet e shit-blerjes së bankave. Monitor ka mësuar se së fundi është bërë pagesa për blerjen e NBG, për rreth 25 milionë euro.
Leku është forcuar edhe përkundjet dollarit amerikan. Monedha e gjelbër është nënçmuar gjatë ditës së sotme me 105.8 lekë, pas ditësh që ka qenë me rritje të lehtë në tregun vendas.
Në zhvlerësimin e dollarit në tregun vendas ka ndikuar forcimi i monedhës euro në tregjet ndërkombëtare.
Nënçmimi i euros në vend dhe forcimi i saj në bursat ndërkombëtare, ka tërhequr në rënie të gjithë shportën e monedhave.


Sigal