Luftë për të kapur Përmbarimin Gjyqësor

692
Sigal

Përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë bënë presion për zgjedhjen e një ortaku të një funksionari të lartë të PS-së. Ndërhynë policia, fiken dritat, ndërpritet votimi

Prani e paligjshme e forcave policore (ajo e burgjeve) në Asamblenë Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësor Privatë, futja në listën e votimit e Përmbaruesve që janë me ‘arrest shtëpie’, përjashtimi i të tjerëve që u takon e drejta e votës për zgjedhur forumet, mosprania e mediave, presioni i përfaqësuesit të Ministrisë së Drejtësisë për të zgjedhur në krye të Përmbaruesve një ortak të vëllait të një funksionari të lartë të PS-së, fikja e dritave në momentin e votimeve, ndërhyrja e policisë dhe nxjerrja jashtë e përmbaruesve, ka çuar në dështimin e zgjedhjeve në një nga institucionet e rëndësishme. Gjithçka ka ndodhur tre ditë më parë në një nga mjediset e Ministrisë së Drejtësisë, denoncohet në “Telegraf” nga një grup përmbaruesish, mes të cilëve dhe drejtues të Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësor Privatë. Denoncuesit identifikohen me emra, duke afruar dhe dokumente të ngjarjes, e cila, sipas tyre, ‘është një skandal, ku segmente të larta të shtetit, me presion duan që të zgjedhin në krye të institucionit një njeri të afërt të njerëzve që sot janë në pushtet”. Pa marrë para syve deklarimet dhe detajet e denoncimit, pasi denoncuesit janë publikë, gazeta “Telegraf” e sjellë në faqet e saj shqetësimin e grupit të përmbaruesve.

NGJARJA

Detajet e ngjarjes, i japin me detaje Fatos Alimadhi dhe Alsid Kamberi, dy nga 5 kandidatët që konkurronin për kreun e Përmbaruesve Privatë të Shqipërisë, i pari nënkryetar aktual dhe i dyti, një nga kandidatët që doli në balotazh, por nuk mori konfirmim për shkak të dështimit të mbledhjes. “Më datë 18 tetor 2014, ishte thirrur mbledhja e Asamblesë Përgjithshme të Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Privatë, në një nga mjediset e Ministrisë së Drejtësisë. Siç dihet, ky organizëm është i pavarur nga Ministria e Drejtësisë, por mbledhja u bë në mjediset e saj për shkak të mungesë së një vendi tjetër të përshtatshëm. Në këtë mbledhje, sipas rendit të ditës, do të zgjidhej kryetari, nënkryetari dhe asambleja e përbërë prej 140 vetë. Në këtë mbledhje, nga 140 përmbarues privatë që ushtrojnë aktivitetin në shkallë vendi, merrnin pjesë 127 vetë. Por që në fillim, u përballëm me një presion psikologjik e prani policie, që siç do të vërtetohej më vonë, kishte për qëllim që të krye të Përmbaruesve Privatë, të zgjidhej një njeri i afërt me qeveritarët e sotshëm. Por u befasuam. Ishte një skenar i parapërgatitur, me shkelje nga më të rëndat, që me gjithë përpjekjet e presionet, nuk u vu në jetë, por çoi në dështimin e zgjedhjeve”,- shtojnë Kamberi dhe Alimadhi, të mbështetur dhe nga një grup tjetër i kolegëve të tyre.

ÇFARË NDODHI NË SALLË

Grupi i Përmbaruesve, denoncon gjithashtu, shkeljet që nga fillimi i mbledhjes, presionet e deri në momentin e ndërprerjes (dështimit) të saj. “Mbledhja, filloi në orën 11:00 të datës 18 tetor. Si përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë ishte zoti Sokol Pasha, Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Planifikimit Strategjik, i cili përkujdesej në shumë forma që të votohej personi i caktuar. Por që në hyrje, ne u përballëm me një kontroll të hollësishëm, nga forca që ishin të policisë së burgjeve. Kjo jo vetëm la një shije të hidhur, por na la të kuptonte se mbledhja nuk mund të shkonte normalisht me prezencë të një trupe prej 7 policësh, mes tyre, dhe një shef i Sigurisë së Burgjeve. Pra, mbledhja, filloi me një sërë shkeljesh të rënda ligjore. Po cilat janë disa nga këto shkelje:-Në listën e votuesve për kryetarin, nënkryetarin e organet drejtuese, ishin futur dhe persona që janë me masën ‘arrest shtëpie, si M. C., nga Elbasani. –Kishte në mbledhje e me të drejtë vote, përmbarues që u është pezulluar licenca dhe nuk kanë të drejtë ta ushtrojnë këtë profesion. –Kishte përmbarues që aktualisht punojnë në institucione shtetërore, e me ligj nuk duhet ta ushtrojnë në këto kushte këtë profesion. –Prania e forcave të policisë në një kohë që nuk ishin të thirrura nga Dhoma e Përmbaruesve Gjyqësor Privatë. –Ishin hequr nga lista e votuesve shumë përmbarues aktivë. –Nuk u la media që të ndjekë e pasqyroj mbledhjen, por u nxor jashtë. –Ndërprerja e qëllimshme e dritave në momentin që do të bëhej votimi. -Mbyllja e perdeve duke mbetur pothuaj në errësirë të plotë. –Ndërhyrja e policisë dhe nxjerrja jashtë e përmbaruesve”,- denoncojnë përmbaruesit.

SKANDALI ME VOTIMIN

Po çfarë ndodhi në votime, cili ishte skandali që çoi në dështimin e zgjedhjeve!? “Megjithë këto shkelje, deri në thirrjen individuale të përmbaruesve nga përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë për të votuar të piketuarin e tyre, në një tension e presion të dukshëm, nisi dhe votimi për kryetarin, që ishte dhe pika e parë e zgjedhjeve të forumeve. Për kryetar, konkurruan 5 vetë, por asnjëri prej tyre, nuk mori numrin e duhur, pra 50 për qind plus një. Në këto kushte, në balotazh dolën dy të parët, përkatësisht Tedi Malaveci (i preferuari i ministrisë) dhe Alsid Kamberi që morën më shumë vota. Në këtë situatë, u votua për të dy kandidatët. Por mesa duket, nga presionet e hapura dhe psikologjike u kuptua se nuk do të ishte fituar i preferuari, nisi një pjesë tjetër e skenarit. Në këtë moment, pikërisht kur do të numëroheshin votat, u fikën dritat në godinë. Dikush, mbylli perdet nga mund të hynte pak dritë, e salla mbeti pothuaj në errësirë të plotë. Absurdi nuk ndalet. Ndërhynë policia dhe i nxjerrë përmbaruesit të gjithë jashtë, me të vetmin justifikim se ‘na kanë thënë t’u nxjerrim nga salla’. Dështoi mbledhja dhe zgjedhja e forumeve”- denoncojnë përmbaruesit privatë.

Ç’NDODHI MË TEJ

Po çfarë ndodhi më tej? Asnjë shpjegim… “Ikëm të traumatizuar nga presioni, mënyra e sjelljes së zyrtarëve të shtetit, prania e pakuptimtë e policisë, ndërhyrja e saj, fikja e dritave kur duhej bërë numërimi për fituesin. Nuk ka ndonjë datë kur do të mblidhemi përsëri. E dimë që kjo kohë do të shërbejë për presione të tjera si ai që u përsërit dhe më datë 18 se ‘po nuk votove për “x”-sin, do të të heqim licencën e përmbaruesit’, e të tjera. Sido që të jetë, ne jemi të vendosur që të denoncojmë çdo shkelje, e nuk do të lejojmë që zyrtarët të ndërhyjnë për të zgjedhur drejtuesit. Kjo është shkelje e rëndë e ligjit dhe e pa tolerueshme”,- shtojnë përmbaruesit.

PËRTEJ DENONCIMIT

Me dokumente në duar e me deklarimet e tyre, grupi i përmbaruesve privatë denoncoi ngjarjen e ndodhur, duke e cilësuar atë një skandal të rëndë të orkestruar nga segmente të shtetit me qëllim zgjedhjen e njerëzve të tyre. Redaksia e “Telegraf”, në përmbushje të misionit për të informuar lexuesin, për të pasqyruar ngjarjen, ofroi denoncimet e përmbaruesve, duke qenë e hapur dhe për mendimin e palës tjetër. Kjo, nëse do të ketë kundërshtime përsa denoncojnë përmbaruesit…