Lufta për Çlirimin e Tiranës vazhdon dhe pas 70-vjetësh

1522
Sigal

Dje, u përkujtua 70 -vjetori i Çlirimit të kryeqytetit. Veteranët: Lufta NAÇL s’ishte luftë civile, por luftë për liri!

 Beteja 19 ditore për Çlirimin e Tiranës e nëntorit 1944, ku shkëlqeu heroizmi partizan

 Dalan Buxheli

 Shtatëdhjetë vjet më parë, më 17 nëntor 1944 u kurorëzua me sukses të plotë beteja e lavdishme e Ushtrisë Fitimtare Antifashiste Nacionalçlirimtare për çlirimin e Tiranës. Tirana ka qenë qendra kryesore e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare që bëri populli ynë për çlirimin e vendit. Në këtë luftë kundër forcave pushtuese e bashkëpunëtorëve të tyre, dëshmori i parë që dha jetën, qe “Heroi i Popullit” Qemal Stafa, pasuar më vonë nga “Heronjtë e Popullit”, Vojo Kushi, Xhorxhi Martini, Sadik Stavelesi, Misto Mame, Shyqyri Ishmi, Mine Peza, Mihal Duri etj.. Gjatë periudhës së LANÇ-it, populli i Tiranës i dha luftës për çlirimin e vendit rreth 5000 partizanë e partizane nga qyteti e fshati. U burgosen e u internuan nga armiku rreth 3000 vetë. Nga njësitë guerile të qytetit u kryen mbi 104 aksione luftarake që dëmtuan rëndë armikun. Në Tiranë, gjatë viteve të pushtimit, u zhvilluan mbi 15 manifestime,greva e demonstrata politike. Në këtë betejë të madhe e të përgjakur kundër armikut dhanë jetën 311 dëshmorë të atdheut. Në qytetin e Tiranës ishin grumbulluar rreth 1000 forca balliste e kolaboracioniste, te cilat ishin shpartalluar nga forcat partizane në Shqipërinë e Jugut e të Mesme. Ata bashke me ballistët e Tiranës, të drejtuar nga Halim Begeja. Seit Demneni. Osman Kazazi, Arif Menepeza, Ramazan Turdiu dhe me xhandarmërinë kuislinge të Xhafer Devës si dhe me agjentët e gestapos Qazim Mulleti, Seit Matja, Osman Kukaleshi, Xhelal Stravecka dhe të tjerë, ushtruan terror, arrestime, pushkatime, dogjën e shkatërruan Lagjen e “Shebegëve” në rrugën e Dibrës, Lagjen e Shallvareve. Populli i Tiranës nuk u mposht nga ky terror. Ai forcoi më tepër unitetin në radhët e tij e me Frontin Antifashist NCL. Në Luftën për çlirimin e Tiranës morën pjesë 8 brigada të inkuadruara në Korparmatën e Parë të UNÇ të drejtuar nga Dali Ndreu, Hysni Kapo, Mehmet Shehu e Qazim Kondi, përfaqësonin rritjen e aftësisë së komandave të njësive te UNÇ për organizimin dhe realizonin e operacioneve të mëdha të shkallës operativo-strategjike. Krahas luftimeve heroike që zhvillonin forcat e UNÇ për çlirimin e Tiranës, një rol të rëndësishëm kanë luajtur dhe aksionet luftarake të 16 njësive guerile të qytetit te drejtuara nga Gogo Nushi. Gjatë ditëve te luftimeve së bashku me forcat partizane morën në mbrojtje ndërtesën e Radio Tiranës, te PÇ, dhe centralin elektrik të qytetit me qëllim që të mos minoheshin e shkatërroheshin nga forcat gjermane. Vëmendje të veçantë iu kushtua asgjësimit të kolonës gjermane prej rreth 3000 vetash që drejtohej nga Elbasani për në Tiranë. Për asgjësimin e saj, shtabi operativ krijoi grupimin: 4 batalione të brigadës 4, 3, batalione të brigadës 17, 2, batalione te brigadës 8, 1, batalion te brigadës I, 1 batalion te brigadës 15. Kolona armike u vu në goditje sa doli nga Elbasani, por grushti vendimtar iu dha më 15-16 nëntor në Mushqeta. Fitorja e Mushqetës pati rëndësi vendimtare për suksesin operacional në luftën për çlirimin e Tiranës, suksesin e operacioneve luftarake për çlirimin e Tiranës.

Të përshkruash luftën e partizanëve heroik në betejën 19 ditore të Tiranës ku disa luftëtarë mbetën poshtë zinxhirëve të tankeve gjermane si Shaqir Balla nga Tirana dhe Nikolin Lena nga Pogradeci. që me iniciativën e tyre, dalin nga pozicionet dhe vendosin mitralozin në mes të rrugës duke hapur zjarr kundër tankut nga një largësi pre 30 metrash. Gjermanët të tërbuar nga heroizmi i partizanëve që i janë ekspozuar vdekjes me kaq guxim, dalin nga tanku dhe sulmojnë t’i kapin të gjallë. Nazistët nuk e kishin bërë hesap vullnetin partizan, shumica e tyre vriten ose plagosen prej plumbave të tyre, tanku duke e parë masakrën që u bë nder nazistët lëshohet me furi drejt partizanëve. Lufta vazhdoi me gjoksin kundër tankut duke mbetur të vrarë dy trimat partizanë. Si u vranë Kadri Ganiu dhe Caush Laka të dy partizanë të rinj, dalin vullnetarë duke rrezikuar jetën e tyre të re, hidhen brenda në llogoren e armikut dhe qëllojnë me bomba dore. Në përleshje e sipër, brenda në llogore. pasi shtrijnë për dhe katër prej gjermanëve, mbeten të vrarë që të dy. Todi Laro, togëkomandant, vullnetarisht hidhet në sulm kundërtankut me granata në një largësi prej 10 metrash, plagoset në krahë dhe në këmbë, shokët duan ta tërheqin, ndërsa ai bërtet me hidhërim: qëndroni në pozicione, shtini kundër tankut. Punë e madhe se u vrava unë. Nënkomandanti i kompanisë, Abdi Kondi, me një skuadër të tij hidhet në sulm kundër ndërtesës të ish legatës greke, kalon oborrin duke sulmuar me bomba dore, Abdiu plagoset rëndë dhe nis të tërhiqet. Sapo kalon xhadenë arrin një tank për të sulmuar shokët e tij. Abdiu lufton heroikisht sa mbaron jetën poshtë zinxhirëve të tankut. Vetëm çeliku mundi ta përkulë këtë luftëtar të rrallë. Të tilla heroizma i karakterizon të gjithë partizanët që dhanë jetën e tyre për çlirimin e Tiranës. Pa guximin e tyre ishte e pamundur të shporreshin bishat hitleriane, edhe pse në Kryeqytet mbajtën garnizonin më të zgjedhur, u shpartalluan. Do të rrojë në shekuj kujtimi i të rënëve që ngritën më larte heroizmin e popullit tonë. Sakrifikimi i jetës së tyre në këtë betejë të madhe titanike të pabarabartë, solli paqen dhe lirinë e shumë kërkuar. Ata meritojnë skalitjen e emrave të tyre në një përmendore në qendër të Ti anës, që brezat t’i përkujtojnë e t’i nderojnë çlirimtarët e Kryeqytetit të tyre. Lavdia e ndritur e veprës së tyre nuk mund te mohohet e të errësohet nga kujtesa e popullit, me qëndrime e deklarata të papërgjegjshme që synojnë denigrimin e gjakut të 28 mijë dëshmorëve. Natyrisht, e gjithë kjo veprimtari antihistorike e antikombëtare nuk është e rastit. Ajo përbën një strategji ogurzezë, e cila ka për qëllim, të fshijë nga kujtesa të vërtetat historike, të çorodisë ata, të cilët nuk e kanë përjetuar periudhën e LANÇ-it veçanërisht brezin e ri, që të mbulojnë tradhtinë dhe bashkëpunimin e etërve të tyre me pushtuesit. Këtyre qëndrimeve u bashkohet dhe një firaun me gjak naziskini nga përtej kufirit, adhurues i kolaboracionistëve. Në një stacion televizivë i vetëquajturi analist bëri një deklaratë të gënjeshtër se “ne nuk dimë se sa gjermanë janë vrarë ne Shqipëri, ne dimë 1 në Tiranë nga Vojo Kushi dhe 1 në Borovë. Nuk janë më shumë se 2(!M!)”. Gjithashtu, deklaroi se, Rexhep Mitrovica e Xhafer Deva nuk kanë qenë bashkëpunëtorë të nazistëve gjermanë por figura pozitive të kohës. Me broçkulla mashtruese tinëzare, synojnë mohimin e Luftës së Lavdishme Nacionalçlirimtare dhe heroizmin partizan që çliruan Shqipërinë pa prezencën e forcave të ushtrive aleate. Qëndrime të tilla nuk i shërbejnë forcimit të uniteti të kombit, përkundrazi krijojnë terren e premisa përçarjeje e urrejtjeje në radhët e popullit. Në betejën për çlirimin e Tiranës, armiku la mbi 2500 të vrarë. rreth 500 robër gjermanë dhe 800 kolaboracionist, 4 tanke, 25 topa, 200 automjete, 100 mitralozë dhe shumë pushkë, automatikë e municione. Në këtë betejë të madhe historike, forcat partizane dhe populli i Tiranës dhanë jetën 311 vetë. Dëshmorëve që u sakrifikuan për liri por që nuk e shijuan, u drejtojmë sot në këtë 70- vjetor mirënjohjen tonë më të thellë me thirrjen tonë me zë të lartë e me gjithë fuqinë e shpirtit: Lavdi të përjetshme këtyre yjeve të pashuar që shkëlqejnë si meteor në horizont. Një ndjesi e vlerësim të tillë do të donim të ndjehej dhe nga forcat e majta që u votuan më 23 Qershor 2013 për korrigjimin e deformimeve të historisë e restaurimin e varrezave të dëshmorëve të atdheut, por ndonëse festimi i 70- vjetorit është në prag, gjendja e varrezave vazhdon e pandryshuar. Ky është trishtimi më i madh i familjeve të dëshmorëve që edhe këtë herë do të kryejnë homazhe pranë bijve e bijave të lyre me varre të rrënuar.

****

Ceremoni tek “Ushtari i Panjohur”, përkujtohet çlirimi i Tiranës

 TIRANË:- 70-vjetori i Çlirimit të kryeqytetit është përkujtuar dje në një ceremoni të organizuar nga institucioni i Prefektit të Qarkut Tiranë, ndërkohë që, të pranishëm ishin Kreu i Kuvendit, Kryeministri i Shqipërisë, deputetë, ministra, veteranë dhe qindra qytetarë. Nën tingujt e himnit kombëtar dhe të këngëve partizane, përfaqësuesit më të lartë të shtetit vendosën kurora me lule pranë monumentit të “Partizanit të Panjohur” në nderim të dëshmorëve që dhanë jetën në betejën e Tiranës 70 vite më parë. Në fjalën e rastit, Prefekti i Qarkut Tiranë, z. Sadi Vorpsi theksoi se, 17 Nëntori bashkoi sot qytetarët e Tiranës dhe jo vetëm, për të kujtuar një nga ditët më historike të kryeqytetit. “70 vite më parë, në Tiranë agoi një ditë e re, e lirë nga pushtuesi i huaj. Shtëpitë përdhese të këtij qyteti u bënë fole e ëndrrave, shpresave, idealeve të lartësuara, planeve dhe strehimit të gjithë atyre njerëzve që i dolën për zot kombit në ato ditë të errëta të historisë. Bujaria e njohur e tiranasve i hapi dyert për të gjithë ata që kaluan në ilegalitet. Rinia tiranase e dëgjoi thirrjen e atdheut të saj që lëngonte për liri dhe nuk hezitoi për asnjë moment të bashkohej me idealet e larta kombëtare”, – theksoi z. Vorpsi. Nga ana tjetër, Prefekti i Qarkut Tiranë u shpreh se, mospajtimi i të rënëve me robërinë ishte forma më e lartë e patriotizmit, shembull që sot duhet të ketë gjithsecili prej nesh për të bërë realitet ëndrrën e një shteti të së drejtës, të integritetit moral dhe të një Shqipërie të denjë si anëtare e Bashkimit Evropian. Pas përfundimit të ceremonisë, Prefekti Vorpsi vizitoi familjen e Dëshmorit të Atdheut, Sulejman Cenameri ku shprehu mirënjohjen për kontributin e kujtdo që u bë pjesë me koalicionin fitues antifashist.

****

 Ish-partizanët Hekuran Lila e Ymer Qosja: Si u vra Alqi Kondi e 230 partizanët e tjerë

 Xheladin ÇELMETA*

 Pallati i madh i Kulturës i dekoruar me fotografi të rralla dhe gjigande, ku duken partizanë të brigadave, që 70 vjet më parë morën pjesë në luftën për çlirimin e Tiranës; veteranë që herët, rreth orës 8:00-8:30, (disa nga të cilët disa edhe me dekoratat e luftës në gjoks); ja, kjo ishte pamja e qendrës së kryeqytetit dje paradite, kur u përkujtua kjo ngjarje, nga më të rëndësishmet e LANÇ. Sheshi te “Partizani i panjohur” ishte mbushur me ish partizanë, pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve, nxënës shkollash, ndërsa orkestra frymore e Ushtrisë ekzekutonte marshe partizane. Kishte edhe mjaft  qytetarë. I përpiktë në zbatimin e ritualit të festës ishte edhe vetë Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, si dhe i gjithë kabineti qeveritar që vunë kurora me lule tek “Partizani i panjohur”. Ceremonia u hap nga Prefekti i Qarkut, Sadi Vorpsi, i cili mes të tjerash tha se “lufta për çlirimin e kryeqytetit, ishte vepër e lavdishme e formacioneve, brigadave dhe njësive partizane të Shqipërisë dhe se për të u derdh gjaku i bijve bijave më të mirë të këtij vendi”. Ditët e fundit, në programet ceremoniale për 70 Vjetorin e Çlirimit, institucione shtetërore dhe organizata veteranësh, kanë zhvilluar në Muzeun Historik Kombëtar sesione jubilare ku ka patur edhe debate mbi LANÇ mes veteranëve dhe historianëve. Në një prononcim të para pak kohëve veterani dhe shkrimtari Resul Bedo, 89 vjeç, ka theksuar mes të tjerash se “Tirana ishte i vetmi kryeqytet në Europë, që u çlirua pa ndërhyrje forcash aleate, por vetëm nga Brigadat partizane”. Lidhur me pyetjen e shtruar në disa debate, se “a ka patur apo jo, luftë civile në Shqipëri”, tezë që e mbrojnë sot, disa zëra të veçuar mes historianëve, Kristo Frashëri, historian dhe studiues, është shprehur ashpër kundër: “Nuk ka patur luftë civile, por vetëm “Antifashiste Nacional Çlirimtare”. Sot, në përkujtimoren për Ditën e çlirimit të Tiranës, përsëri veteranët kundërshtojnë me forcë idenë se ka patur elementë të luftës civile gjatë LANÇ. Për gazetën “Telegraf”, dje folën dy ish- partizanë, të cilët kanë qenë efektivë të brigadave partizane gjatë ditëve të furishme të luftës për çlirimin e Tiranës. Ja si u shprehën ata:

Hekuran Lila, ish -partizan (nga Berati), pjesëmarrës në luftën për çlirimin e Tiranës:

“Kam marrë pjesë në luftën për çlirimin e Tiranës. Aty na është vrarë komisari ynë, Alush Grepçka, si dhe një shoku im i ngushtë. Kam qenë korrier atëherë dhe çoja nëpër brigada materiale të ndryshme”… Ish -partizani Hekuran Lila, kujton luftën e furishme të 10  brigadave e njësive partizane, që vetëm me forcat e tyre çliruan kryeqytetit tonë të dashur, Tiranën dhe më pas edhe gjithë Shqipërinë.

Ku ndodheshit, gjatë kohës që u bë lufta për çlirimin e Tiranës?

-Kam qenë në zonën poshtë Unazës, në drejtimin, ku sot ndodhet Fabrika e Bukës. Edhe aty, si në çdo zonë tjetër të Tiranës, u bë luftë e madhe. Shumë e madhe.

Në cilën brigadë partizane ishit?

-Në Brigadën e 10-të Sulmuese partizane. Në krahë të djathtë kisha Brigadën e 8-të Sulmuese. Brigada e Parë ishte këtu, në mes. Dhjetë kulla, dhjetë kulla kanë qenë, jo shaka…

A mban mend vetë, se cilët shokë kishe në krah, kur po luftoje?

-Këtu ishte batalioni “Riza Cerova”, ku unë luftoja ato ditë në Tiranë. Në këtë batalion kam qenë gjithë kohë gjatë luftës antifashiste nacional çlirimtare.

Cilët nga shokët tuaj të ngushtë janë vrarë në këtë luftë?

Ne ishim të gjithë shokë. Se fjala shok, kishte kuptim të madh atëherë. Jo si sot. Dhe që thua ti, më është vrarë komisari Alush Grepçka. Predha që vrau komisar Alushin vinte që nga Durrësi. E hidhnin nazistët me artileri që andej. Më është vrarë edhe një partizan nga Përmeti që unë e kisha në skuadër, që po ecte këtu tej në rrugën për në Kashar. Edhe ai u vra po nga predha e artilerisë që vinte andej, me drejtim nga Durrësi.

Ishte një djalë fare i ri. Eeeeh….

Lidhjet me popullin gjatë atyre ditëve të luftës në Tiranë, si i kishit?  

-Populli i Tiranës na ka ndihmuar shumë. Na kanë rrëfyer rrugët, na kanë ushqyer, na kanë tërhequr të vrarët, na kanë transportuar të plagosurit.

Keni dëgjuar këto ditë që gjatë LANÇ-it ka patur luftë civile… E vërtetë?

-Lufta jonë ishte vetëm Antifashiste Nacional Çlirimtare, kundër nazistëve, fashistëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Të thuash kishte luftë civile do të thotë të punosh për ta njollosur këtë luftë të lavdishme. Derdhën gjakun 28 mijë dëshmorë.

Ymer Qosja, ish- partizan (nga Mallakastra), në Brigadën e I Sulmuese, pjesëmarrës në luftën për çlirimin e Tiranës

“Kam marrë pjesë në luftën për çlirimin e Tiranës, duke qenë partizan në Brigadën e Parë Sulmuese partizane”, thotë Ymer Qose, një nga qindra e qindra efektivë të njësive të LANÇ, që u angazhuan 70 vjet më parë për marrjen e kryeqytetit tonë.

Në cilën njësi të LANÇ-it, keni qenë pjesëmarrës?

-Kam qenë pjesëtar i Brigadës së Parë Sulmuese partizane me komandant Mehmet Shehun.

Ku vepronte Brigada e Parë në atë kohë të luftës për çlirimin e Tiranës?

-Brigada e Parë kishte një sektor luftimi që shtrohej nga Medreseja, Radio-Tirana, e më tej, Fusha e Aviacionit, Pallati Mbretëror. Në këto sektorë luftoi atëherë Brigada e Parë. Një luftë heroike…

Sa kohë zgjati lufta për në kryeqyteti çlirimin e Tiranës, të paktën për njësinë ku ishit ju?

-Lufta për çlirimin e Tiranës ka zgjatur 19 ditë rresht pa pushim, ditë-natë. Populli i Tiranës ka qenë i lidhur ngushtë me partizanët, se shihnin tek ata shpëtimtarët. Populli i Tiranës na ka ndihmuar shumë.

A i mban mend shokët që kishe afër, aty në pozicion, kur luftoje?

-Po, si jo. Për shembull Xhaferr Peçin e kam patur shok të ngushtë, jeton edhe sot ai. Kam pasur shok Alqi Kondin, që u vra.

Sa partizanë u vranë në kryeqytet, nga Brigada e Parë në të cilën t’i ishe efektiv?

-U vranë 63 partizanë nga kjo brigadë partizane, që pati një rol të rëndësishëm në këtë luftë. Kështu pra… Jo si ca që thonë se LANÇ ka qenë “luftë civile”. Ne kemi qenë aty, ne kemi luftuar pushtuesit nazifashistë, dhe dikush thotë se ka qenë luftë civile. Gjepura. Kush thotë se LANÇ ka qenë luftë civile, nuk bën gjë tjetër veçse njëlloj si atëherë, i mban iso kolaboracionistëve. Nuk ka llaf tjetër këtu… Ndaj ne sot i kujtojmë ata trima që ranë në luftën e madhe për çlirimin e Tiranës.

*Kryeredaktor i revistës “Pavdekësia”

SOM 1

“Ish-partizanët: “Kush thotë se Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare  ishte luftë civile, do të thotë se i mban iso kolaboracionistëve”.

Resul Bedo, veteran 89 -vjeçar, shkrimtar: “Tirana ishte i vetmi kryeqytet në Europë, që u çlirua pa ndërhyrje forcash aleate, por vetëm nga brigadat partizane”