Lufta për barazi dhe gruaja gladiatore

1127
Përgatiti: Rajna Kovaçi 
Lufta për barazi mes dy gjinive ka një histori shumë më të lashtë, se sa ne mund ta përfytyrojmë sot. Shumë pak njihet fakti se në Romën e lashtë ka pasur gra gladiatore. Herardeska Manutius ka luftuar e fituar kundër më shumë se 200 burrave, të cilët ishin rivalë të saj. Ajo vdiq trimërisht në arenën e gladiatorëve. Herardeska ka pasur një jetë të trishtë dhe shumë të vështirë. Ishte skllave. Kur mbushi 28 vjeç u arratis nga kampi i skllevërve dhe u bashkua me kryengritësit e Spartakut. Flokëzeza me bukuri të rrallë, por me një karakter të fortë, nuk iu bind fatit si vajzat e tjera skllave të luante rolin e kurtizanes. Ajo iu dha artit luftarak. Në fillim mësoi mjeshtërinë e përdorimit të shpatës, e më pas hollësitë e luftës ballë për ballë. Duke qenë e guximshme dhe trime, ajo luftoi në fushën e betejës njëlloj me burrat. Herardeska Manutius u kap nga armiku në betejën e përgjakshme në vitin 71 p. e. sonë pranë lumit Silarus (sot Sele). Atëherë ushtria e Spartakut, e përbërë prej 75.000 luftëtarë trima, luftoi përballë ushtrisë së Mark Lisinius Krasus që përbëhej prej 8 legjionesh. Fusha e betejës u mbyt nga gjaku i 60.000 trimave që luftuan kundër skllavërisë, ndërsa 6 mijë trima të tjerë u zunë rob, mes të cilëve ishte edhe trimëresha Herardeska. Kundërshtarët e saj e morën dhe e kryqëzuan, por Krasus-i papritur e zgjidhi e uli nga trungu ku ajo ndodhej e kryqëzuar dhe filloi ta ledhatonte me dinakëri, duke përfituar nga gjendja e saj e rëndë. Ai e mori dhe e çoi në çadrën e vet. Të nesërmen ajo vendosi të luftonte me burrat në betejat me gladiatorët. Sot e kemi të vështirë të kuptojmë motivet e Krasusit që e detyroi këtë vajzë trime dhe shumë të bukur të merrte pjesë në këto beteja të përgjakshme. Një gjë ishte e sigurt: Performanca e saj para turmës provokoi një entuziazëm të papërshkrueshëm. Fitorja e saj e parë ishte kundër luftëtarit të quajtur Trasian, të cilin e gjunjëzoi shumë shpejt para vetes. Ndërsa ulërimat e audiencës ishin aq të fuqishme dhe drithëruese sa ngritën në këmbë të gjithë qytetin. Shfaqja për herë të parë e një gladiatoreje femër gjysmë të zhveshur pati efektin e vet. Për rreth 11 muaj fati qëndroi në anën e saj. Më pas vdekja fatkeqësisht i erdhi nga beteja përballë dy xhuxhëve. Ajo nuk e dalloi njërin prej tyre që u fut prapa kurrizit të saj dhe i nguli tridentin. Me shumë përpjekje, e shtrirë në rërën e verdhë, siç ndodhte në raste të tilla, përballë mijëra romakëve, ajo ngriti lart gishtin e madh të dorës së majtë – që ishte shenja e kërkesës për falje të jetës. Audienca me një kënaqësi të paparë priste me padurim finalen e dyluftimit të gladiatorëve, por atë që Gerardes Manoutius pa në minutat e fundit të jetës, ishin pëllëmbët e duarve dhe gishtat e mëdhenj të kthyera poshtë. Dëshira e audiencës romake rezultoi shumë kontradiktore. Ata i gëzoheshin një gruaje të bukur e luftëtare trime, vetëm kur ajo dilte fitimtare, ndërsa kur ajo ishte humbëse, audienca nuk ishte e gatshme për t’i falur jetën. Trupi i saj u bë copash dhe u hodh në pirgun pranë trupave të gladiatorëve të tjerë që kishin vdekur atë ditë. Pas këtij rasti duelet e gladiatoreve femra u bënë shumë popullore, sidomos në Romën e Lashtë. Në atë kohë trajnerët e gladiatorëve përpiluan një program të veçantë për gladiatoret femra ku përfshiheshin stërvitje shumë të forta, ngritje zinxhirësh, gozhdime me zinxhirë, stërvitje me sy të lidhura, luftim me një dorë etj. Kundërshtarët sipas rregullave të dylyftimit ishin femra, meshkuj ose burra xhuxha. Për shumë kohë mendohej, se gladiatoret nuk ekzistonin në të vërtetë, por ishin vetëm personazhe legjendash. Por pas dekadash të gjata eksplorimi dhe gërmime u vërtetua dhe u konfirmua ekzistenca dhe vepra e tyre. Gladiatoret shpesh i ngatërronin me “Amazonat”. Nëpër relievet e vjetra shekullore gratë gladiatore paraqiten me veshje të ndryshme nga ato të amazonave. P.sh. gladiatoret femra nuk mbanin as tunika dhe as helmeta, por vetëm një brez mbrojtës. Njësoj si burrat. Pjesa më e madhe e gladiatoreve përdornin një shpatë të shkurtër të quajtur, gladius, mbrojtëse për duart e këmbët dhe një mburojë të vogël. 

Përdorimi i grave për betejat e gladiatoreve ishte i lidhur ngushtë me periudhën e rënies së theksuar të moralit njerëzor dhe luksit të jashtëzakonshëm që ekzistonte në Romën e Lashtë. Gratë gladiatore shpesh përdoreshin edhe si skllave seksi për elitën romake. Nganjëherë bëheshin pjesë e atyre festave të famshme imorale e të degjeneruara të elitës romake. Shpeshherë ato ishin të detyruara të bëheshin pjesë e programeve private zbavitëse në festat e aristokracisë romake. Dallimi më i rëndësishëm ndërmjet gladiatoreve femra dhe gladiatorëve meshkuj, ishte se kishte pasur raste që femrat nuk ishin skllave, ishin gra të lira dhe ndesheshin për aventura. Ka mundësi të ishin të tilla në periudhat kohore më të vonshme. Gladiatoret femra ishin të detyruara të luftonin kur ishin skllave, ato u shfaqën ndoshta në kohën e Neronit, i cili bëri një festë madhështore në nder të nënës së tij. Publiku u argëtua, jo vetëm nga skllevërit, por nga njerëzit e elitës. Festivali përfshinte kalërime, vrasje të kafshëve të egra dhe luftime të gladiatorëve. Por Neroni nuk ishte i vetmi perandor që i pëlqeu të shijonte betejat e gladiatoreve. Për shembull, Perandori Domizian adhuronte shoqërinë e grave të guximshme dhe siç shkruante kronologu Dion Cassius, “ai shpesh krijonte lojëra që të luheshin gjatë natës dhe organizonte betejat që gratë të ndesheshin me xhuxhat”. Perandori Septimius Sever gjithashtu përfitoi nga lojërat e betejat e gladiatoreve deri në vitin 200, më pas ai e ndaloi luftën e gladiatoreve femra për të mposhtur pasionet e çmendura të audiencës në arenë. Për ekzistencën e grave gladiatore, është shkruar nëpër tekstet e vjetra romake, gjë që është vërtetuar edhe nga arkeologët. Një nga faktet më domethënëse e të pamohueshme ishte zbulimi i një pllake mermeri, në Bodrum (Turqi). Kështu dukej qartë se gladiatoret ishin të lidhura me pasionin seksual të romakëve. Për momentin ka një pllakë që gjendet në muzeun britanik dhe ka gjasa se është gdhendur në shekullit I ose II të erës sonë. Në vitin 2001 në Londër u zbulua skeleti i një gruaje romake. Mendohet se ajo ka qenë gladiatorja e famshme. Është varrosur jashtë varrezave dhe pranë saj kishte disa objekte të lidhur me betejat e gladiatoreve. Arkeologët nuk janë plotësisht të sigurt, nëse gruaja ka qenë gladiatore dhe ka luftuar apo ka qenë gruaja e ndonjë gladiatori. Perandoria Romake e mori me vete këtë mister si edhe shumë mistere të tjera.

Varri i gladiatores
Betejat gladiatorike ishin ngjarjet sportive më të preferuara në Romën e Lashtë. Njerëz nga e gjithë Perandoria vinin në Koloseumin Romak. Ishte e zakonshme që të gjithë të sillnin suvenire për t’ua dhuruar luftëtareve të tyre të preferuara. Gladiatoreve femra u dhuronin statuja ose kukulla. Në rastet kur spektakli ishte i përgjakshëm dhe gladiatoret ishin femra, audienca ekzaltohej në një ngazëllim të vërtetë. Në lidhje me këtë, të vërtetë bazuar në shfaqjet e organizuara nga perandori brutal Neron. Ai i urdhëronte skllavet etiopiane të luftonin në arenën e betejës me kafshë të egra. Ai u jepte luftëtareve shpata ose thika shumë të vogla për të mbrojtur veten dhe këto femra të patrajnuara në beteja të tilla me kafshë të egra, pothuajse gjithmonë vdisnin. Por më mizor se Neroni, ishte Perandori Domiciani, i cili i detyronte skllavet të luftonin natën nën dritën e pishtarëve. Kjo gjë e bënte spektaklin edhe më interesant për audiencën. Ishte shumë e rrezikshme dhe e dëmshme për gratë e pambrojtura përballë kafshëve të egra. Në përgjithësi fundi i tyre dihej!

Perandori Septimi Sever 
Perandori Septimius Sever gjithashtu e mbështeti betejën e gladiatoreve femra deri në vitin 200. Ai e ndaloi luftën e grave gladiatore për të ftohur pasionet e audiencës së çmendur në arenë. Qëllimi i tij ishte ndalimi i luftimeve të gladiatoreve, duke e parë si një shfaqje që inkurajonte sjelljen inferiore mes grave aristokrate. Rezulton se Septimius Severus lëshoi urdhrin e tij, jo për arsye civilizimi apo për arsye humane, por thjesht diskriminuese. Ka pasur një objektiv që shembulli i gladiatoreve pengonte martesat në Romën e lashtë. Në të ardhmen, ndoshta do të gjenden më shumë prova për ekzistencën e tyre legjendare, të cilët fillojnë të bëhen pjesë gjithnjë e më reale e historisë ekstravagante të Perandorisë Romake.
Sigal