“Lufta” në Elbasan, zbulohet plani i masave të Policisë: Si të mbani nën kontroll fiset Çapja dhe Çela

63

Incidenti i ndodhur në Elbasan mbrëmjen e datës 18 shtator, zyrtarisht u tha se ndodhi gjatë zbatimin të planit operacional të masave “Vjeshtë 2017”. Në të vërtetë, duket se nuk ka qenë thjeshtë zbatimi i këtij plani që solli përplasjen me Policinë. 


kerkesat
Në fillim të muajit shtator, drejtori i Policisë së Elbasanit ka miratuar një plan masash për goditjen e grupeve kriminale, personave në kërkim dhe mjeteve të blinduara.

Qëllimi i këtij plani ka qenë mbajtja nën kontroll e anëtarëve të grupeve kriminale të evidentuara në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit, me tendencë kryerjen e krimeve kundër personit, parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe dokumentimin ligjor.

Për bashkëpunim kërkohej rivlerësim i situatës dhe marrja e masave të menjëhershme me shërbime të hapura dhe të fshehta të strukturave të Policisë në vend, duke kryer disa detyra. Konkretisht, pika e parë e këtij plani masash shpjegon arsyen kryesore të përplasjeve të vazhdueshme që po ndodhin vitet e fundit në Elbasan.

“Në bazë të ngjarjeve të rënda kriminale të ndodhura gjatë vitit 2016- 2017 në qytetin e Elbasanit, në lidhje me personat me precedentë kriminalë e penalë të fiseve Çapja, Çela etj., kërkoj që të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit të mbajnë nën kontroll anëtarët e këtyre fiseve, lëvizjet që ata bëjnë, mjetet me të cilat lëvizin, numrat e telefonave që ata përdorin, si dhe ambientet që frekuentojnë”. Kjo është porosia kryesore e planit të masave që i është lënë në zbatim Drejtorisë së Policisë së Elbasanit.

PLANI I MASAVE
Në zbatim të planit të masave, kërkohet që të merret takim herë pas here me burimet e informacionit në lidhje me anëtarët e këtyre dy fiseve, lëvizjet e tyre, mjetet me të cilat lëvizin, personat që shoqërohen, si dhe ambientet që frekuentojnë.

Po kështu të studiohen dosjet e drejtimit e të gjithë fashikujt e personave me precedentë kriminalë me tendencën e krimeve kundër personit, fashikujt e procedimeve policore për person, të çelura për dokumentimin e aktivitetit kriminal të anëtarëve të këtyre grupeve kriminale.

Tjetër porosi e veçantë në këtë plan masash është që të bëhet vlerësimi i të gjitha informacioneve të reja që do të mblidhen, si dhe ato të hedhura më parë në sistemin “Memex”, të cilat bëjnë fjalë për përfshirjen në aktivitete kriminale të anëtarëve të këtyre grupeve kriminale.

Kërkohet gjithashtu që të përgatitet një material në lidhje me këto grupe kriminale dhe veprimet të koordinohen me Prokurorinë e Elbasanit dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, për referimin në kohë të materialeve për ndjekjen me metodat proaktive.

“Strukturat për hetimin e krimeve të evidentojnë të gjithë personat me precedentë penalë me tendencën e krimeve kundër personit që kanë lidhje shoqërore, miqësore apo farefisnore me anëtarët e këtyre grupeve kriminale”, theksohet në planin e masave.

Porosi e veçantë për strukturat e Krimeve të Rënda të Policisë së Elbasanit është që të gjitha ata që kanë detyrime nga ky plan masash, të përgatisin një informacion për situatën në lidhje me ngjarjet apo kërcënimet nga ana e këtyre anëtarëve apo kundrejt tyre, si dhe të informojnë për të gjitha aktivitetet që këta persona mund të kryejnë apo të marrin pjesë.

Detyra kryesore e shërbimeve të Policisë Kriminale theksohet se është parandalimi në kohë i incidenteve dhe ngjarjeve kriminale apo akteve të mundshme kriminale duke bashkëpunuar me shërbimet e Policisë me uniformë sipas vendeve të shërbimit.

“Të bëhet vlerësimi real i riskut që paraqet ndonjë situatë kriminale me tendencën e krimeve kundër personit dhe me qëllim hakmarrjeje”, theksohet në planin e masave.