Lufta kundër informalitetit, asnjë “krismë” nuk po dëgjohet në 13 mijë bizneset e shtetarëve

581
Përparim HALILI
Humbja financiare gjatë vitit 2016 e deri 6 mujorin e parë të vitit 2017 është afro 100 milionë euro detyrime 
Në dhjetor 2016, qeveria i përfshiu këto biznese në “Amnisti Fiskale”, duke u fshirë mbi 90 miliardë lekë të reja detyrime doganore e tatimore, sigurime shoqërore e shëndetësore dhe gjoba të çdo lloji, duke përfshirë në falje edhe disa biznese popullore e individë me detyrime… “qindarka” 
Lufta, që qeveria ka rinisur kundër informalitetit në sektorin e bizneseve, ka një element klientelizmi që lidhet me bizneset e shtetarëve, politikanëve, drejtuesve të pushtetit lokal, familjarëve e miqve të tyre. Sulmi i parë për të zhdukur informalitetin, nisi në datën 1 shtator 2015 dhe përveç vendosjes së kasave fiskale nëpër kafene dhe detyrimit për dhënie të kuponit tatimor, ky sulm nuk zgjidhi asgjë tjetër, mbasi siç po rezulton, informaliteti në sektorin e biznesit është prezent dhe madje është shtuar në aspekte të tjera. Kujtojmë, që qeveria miratoi edhe një “kod ndëshkimi” për bizneset që kapeshin pa kasa fiskale, pa siguracione dhe pa kupon tatimor! Në shtator të vitit 2015, niveli i informalitetit ishte 60% e numrit të bizneseve. Tashmë, për shkak të rikthimit të informalitetit, qeveria ka vendosur të rikthej luftën për ta “pastruar” këtë fenomen, që fesh miliarda lekë taksa! Por, informacionet që kanë ardhur në “telegraf” dhe faktet që denoncohen nga vetë bizneset, po tregojnë se lufta e qeverisë kundër informalitetit, nuk po bëhet për të gjithë subjektet, përkundrazi ka diferencime e përjashtime biznesesh të mëdha e të mesme! Po kështu, nuk janë futur në “lista” bizneset e shtetarëve dhe politikanëve, të cilët ushtrojnë aktivitete ilegale prodhimi, përpunimi e shërbimesh të ndryshme! Ndërkohë, tatimorët u janë vërsulur bizneseve të vogla të cilët shesin banane, qofte e speca në rrugë, ndërsa bizneset që kanë peshën kryesore në të ardhurat tatimore, pra bizneset “VIP”, janë lënë jashtë goditjes, me përjashtim të atyre bizneseve që nuk janë pjesë e “oborrit” zyrtar, familjar e shoqëror të shtetarëve dhe politikanëve. 
Letra e ministrit Ahmetaj, për bizneset: “Lufta kundër informalitetit, me zero tolerancë”
“Ne mbetemi këmbëngulës në zbatueshmërinë e ligjit, për garantimin e rregullave të drejta e të barabarta në një treg të hapur e konkurrues, por në të njëjtën kohë, tejet mbështetës e bashkëpunues me biznesin sepse në këtë betejë, ne dhe sipërmarrja qëndrojmë në të njëjtën anë. Tashmë kemi një eksperiencë të suksesshme nga viti i kaluar, me hartimin e paketës së thjeshtuar të mbi 42 procedurave tatimore e doganore, krahas një sërë lehtësish të tjera të prezantuara në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit. Angazhimi ynë në këtë drejtim, vijon edhe me një tjetër reformë thelbësore në favor të sipërmarrjes, dhe rregullimin e tregut përmes reduktimit të numrit të lejeve/licencave dhe autorizimeve si dhe dokumenteve që kërkohen nga zyrat e shtetit për përfitimin e një shërbimi apo të drejte. Qasja jonë për betejën pa kushte dhe me zero tolerancë kundër informalitetit, ka hyrë në një stad të ri, në përgjigje të të cilit do të duhet të kalojmë edhe në një fazë të re të përgjegjësisë tatimore, bazuar tek rritja e pajtueshmërisë ndaj zbatimit të ligjit, vetëkorrigjimi, vullnetarizmi dhe transparenca. Strukturat në varësi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Inspektorati i Punës do të organizohen në grupe të përbashkëta, të orientuara nga analiza e profileve të riskut të sektorëve dhe bizneseve brenda tyre duke pasur në fokus të gjithë zinxhirin e transaksioneve nga biznesi i madh deri tek konsumatori final. Punësimi e siguria në punë, do të kenë një vëmendje të posaçme brenda aksionit”.
Demagogjia e ministrit Ahmetaj: Bizneset e shtetarëve, nuk po kontrollohen
Edhe ky aksion kundër informalitetit të bizneseve, ashtu si ai i shtatorit 2015, ka si tregues faktin, që bizneset e shtetarëve dhe familjarëve e miqve të tyre, nuk po preken nga kontrollet e tatimorëve dhe institucioneve të tjerë të zbatimit të ligjit! Sipas informacionit, thuhet se afro 13 mijë biznese të çdo lloji, niveli nuk janë përfshirë në listën e sulmit, paçka se janë ilegale, ose punojnë në shkelje të ligjeve mbi taksat, tatimet, sigurimet shqopore, pasurimin bilanceve reale etj. Pse? Thuhet, se janë biznese të shtetarëve, paçka se nuk janë regjistruar ne emrat e tyre. Këto biznese që nuk mendohet të kontrollohen as në këtë sulm të dytë kundër informalitetit, ushtrojnë aktivitet me shumë abuzime, në çdo aspekt të kërkesave të ligjit. Humbja financiare që këto biznese kanë shkaktuar gjatë vitit 2016 dhe deri 6 mujorin e parë të vitit 2017, kap shifrën totale afro 100 milionë euro detyrime fiskale. Kujtojmë, që qeveria i përfshiu këto biznese, në “Amnisti Fiskale”, duke u fshirë mbi 90 miliardë lekë të reja detyrime doganore e tatimore, sigurime shoqërore e shëndetësore të pa paguara dhe gjoba të çdo lloji! Edhe pse shteti fali detyrimet fiskale të bizneseve të shtetarëve, duke përfshirë edhe disa biznese popullore e individë me detyrime “qindarka”, historia e informalitetit prej bizneseve, e të mëdhenj e të mesëm të shtetarëve, politikanëve e familjarëve dhe miqve të tyre, po vazhdon! Qeveria përsëri po vazhdon të hesht. duke lejuar këtë informalitet e duke sulmuar dhe goditur bizneset e vogla dhe ato biznese të mëdha e të mesme që nuk janë të shtetarëve! Sipas informacioneve që disponon gazeta “Telegraf” këto biznese ilegale dhe me aktivitet informal, thuhet se i disponojnë ministra, deputetë, diplomatë, kryepolicë, zyrtarë drejtësie, zyrtarë të agjencive publike, zëvendësministra, drejtorë në ministri, prefektë, krye-bashkiakë, kryetarë këshilli qarqesh, doganierë, tatimorë, shefa në shëndetësi e kudo ku ka poste zyrtare që vendosin vula shteti! 
Sigal