Lufta e Gjormit 1942-1943

2071
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

(Në kuadrin e 75 vjetorit të saj)

Situata në prag të betejës
Në tërë vitin 1941 e për më tepër në vitin 1942, Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare kishte marrë hov, që vuri kështu në lëvizje shumë grupe e klasa të ndryshme politike. Urrejtja e popullit u shtua dhe më tepër me dërgimin në këtë kohë të forcave të veçanta nga armiqtë për të shtypur të “pabindurit” vlonjatë. Veprimet e guximshme të kryer në Qarkun e Vlorës, i kishte tronditur dhe tërbuar armiqtë. Për këtë “gjendje” pushtuesit ishin të shqetësuar, se në Shqipëri Vlora… mban sot rekordin e turbullimeve… dhe prandaj vepra shtypëse e autoriteteve do të fillojë nga Vlora. Në urdhrin e operacionit armiku për Qarkun e Vlorës, kërkonte arritjen qëllimit kryesor, çarmatimi i popullsisë, kapjen e banditëve të dyshimtë për punë subversive, asgjësimi i çetës partizane, si repart i armatosur, të përdorin çdo masë kundër popullsisë, duke shkatërruar shtëpi e pasuri dhe të internonin të dyshuarit. Në arritjen e qëllimit u caktuan këto forca: një batalion e një regjiment i milicisë fashiste; një grup karabinierësh; një batalion i rojës së financës; dy batalione këmbësorie (me përforcim); një grup artilerie dhe një nënrepart autoblindash (po në përforcim) si dhe dy “banda vullnetarësh” (mercenarë) të Halil Alisë e Selim Kaloshit, bajraktarë dibranë me një efektiv mbi 1.000 vetë. Repartet mercenare do të përdoreshin si forca kryesore, duke krijuar përçarje ndërmjet krahinave të vendit për një vëllavrasje. Numri përgjithshëm arrinte mbi 2.000 veta të armatosur dhe në gatishmëri qëndronte Korparmata e XXV me qendër në Vlorë. Qeveria kuislinge e Tiranës në marrëveshje me fashistët ngarkoi në drejtimin e operacionit, ministrin dhe komisarin e jashtëzakonshëm, Qazim Koculin, kurse komandat të operacionit fashistët italianë emëruan kolonelin Franko Klementin.

Zhvillimi i betejës
Armiku ishte përqendruar në qytetin e Vlorës dhe bënte këtu reprezalje dhe arrestime nga më të ndryshmet tek të “dyshimtët”. Nga fundi i dhjetorit 1942, armiku me forca të mëdha, u nis në tri kolona për në Tragjas. Qëllimi ishte asgjësimi në befasi i çetës “Plakë”. Plani dështoi që në momentet e parë të përpjekjeve. Çeta partizane gjatë tërheqjes ndollën pas vetes kolonat e armikut në malet e Tragjasit. Asgjësimi i çetës partizane përbënte qëllimin kryesor të armikut, ku 2.000 e ca forca të tij kryesore, donin të asgjësonin një çetë të vogël partizane me 40 luftëtarë. Raporti i forcave shkonte 1:50. Kushtet e terrenit ishin jo në favor të armikut me një ushtri të madhe. Ai që nuk e arriti në Tragjas, armiku u në ndjekje të çetës në male dhe në fshatin Gjorm, të kombinuar me forca të tjera nga rruga automobilistike Vlorë-Drashovicë-Gjorm. Vendi ku qendronte çeta partizane, bashkë me popullin, ishte Lugina e Mesaplikut. Armiku me forca superiore, të bashkuara nga dy drejtimet, do asgjësonte çetën dhe do lante hesapet me banorët e fshatrave të krahinës së Mesaplikut dhe të Kurveleshit, si “shkaktarë” të këtyre “trazirave”.Përpjekjet e para në kolonën armike në marrshim me çetën partizane zunë në mesditën e datës 1 janar 1943, në malin e Gjormit. Çeta mbajti në vend deri mbasdite vonë, kur nga drejtimi tjetër, rruga një kolonë armike, me autoblinda dhe mjete të motorizuara, hyri nga ura e Gjormit dhe lehtësoi marshimin e kolonës malore. Armiqtë tentuan pa vonesë për në fshatin Brataj, që synonin të hynin sa më parë në luginën e Mesaplikut. Luftimet e çetës partizane dhanë sinjalin e betejës. U ngritën në këmbë me qindra luftëtarë popullorë, të cilët e pritën armikun kudo me luftë dhe u vunë në gatishmëri nga ky sinjal, edhe krahina të tjera fqinje. Forcat territoriale të “Shullërit”, Smokthinë e Velçë me pesë çeta territoriale, të krijuara qysh më 28 nëntor 1942, të organizuara në një batalion, zunë pozicionet e përcaktuara. Një pjesë e forcave të “Shullërit” lëvizën me shpejtësi në drejtim të Bratit, ku paraqitej rreziku kryesor. Forcat e tjera të “Shullërit” zunë lugjet e Bratit, qafat e Lapenicës dhe drejtimin e Velçës. Forcat luftuan në Brataj ku armiku u thye dhe u tërhoq në Gjorm në mbrëmje dhe u kthye me luftime nga ana lindore e lumit Shushicë. Ky ishte sektori kryesor i veprimeve luftarake për forcat e “Shullërit”. Me këtë veprim u mbyllën kështu edhe të gjitha ngjarjet e datës 1 janar 1943. Në mëngjes të datës 2 janar 1943 forcat e “Shullërit” kishin zënë me shpejtësi sektorin që shtrihej gjatë buzës së lumit Shushicë, si një front i tërë, qysh nga Milenjat (në veri) që pritet këtu dhe rruga kryesore për të hyrë në Gjorm dhe për të dalë prej andej, si dhe deri në qafat e Lusha e Lepenicës (në jug). Në tërë sektorin kishin zënë pozicione në vende të caktuara të gjithë luftëtarët popullore. E njëjta gjë ishte në çdo sektor tjetër. Vendosja e forcave në kohë të shpejtë e saktë dhe atje ku duhej, përbënte në vetvete traditën dhe përvojën e pasur popullore. Komandantët e çetave të fshatrave merren vesh shumë shpejt e mirë me njeri tjetrin dhe, ata, në ballë të luftëtarëve prinë në të gjitha veprimet luftarake duke gjetur forma origjinale, të shpejta dhe të sakta të organizmit që kërkohej. Kjo dukuri u pa dhe u vërtetua më së miri dhe në këtë front të luftës. U krijua një front lufte. Armiku ish mbërthyer në një darë të fortë dhe që nuk shpëtonte prej rrethimit të forcave kryengritëse nga të gjitha drejtimet. Ngjarjet ndryshuan shpejt dhe raporti i forcave nga 40 me 2.000 në fillim, një e dy ditë më parë, përfundoi kështu me forca të barabarta, pothuaj 2.000 me 2.000, e po të vazhdonte më gjatë, sasia numerike e forcave popullore nuk kishte të shteruar. Orteku i madh i masave popullore kryengritëse në orët e para të mëngjesit, të datës 2 janar nisën përsëri luftën. Sulmi filloi nga forcave popullore nga të gjitha drejtimet, gjë që armiku nuk e priste. Armiku duke menduar e përqendruar forcat kryesore në Gjorm, me mbështetjen e armëve të rënda nga jashtë dhe me forca të tjera që priste me shpejtësi t’i vinin në ndihmë nga drejtimi i xhadesë, të kalonte ai i pari në sulm në shumë drejtime, për të cilën ishte përgatitur, dhe të realizonte me këtë atë qëllim që kishte vendosur qysh në fillim. Sulmi i forcave popullore ja prishi planet armikut, i cili u vu jo vetëm në pikëpyetje, por lufta bëhej për të shpëtuar nga asgjësimi i plotë. Lufta vazhdoi pa ndërprerje gjatë gjithë ditës. Armiku nga pozicionet e tyre qëllonte pa pushim, në drejtimin të forcave popullore, por këto forca nga pozicionet të mbuluara, të hapura e të maskuara sipas kushteve të terrenit, qëllonim pa pushim e me precizion. Çdo lëvizje e vogël e armikut, nga një shtëpi në tjetrën përpihej nga plumbat e luftëtarëve, siç ndodhi edhe me një grup mercenarë që mbeten të mbyllur në katuan e një shtëpie, sa që edhe të vrarët e të plagosurit e tyre për një kohë të gjatë nuk i tërhoqën dot nga sheshi i luftimit. Në këtë gjendje të dëshpëruar për të, doli në vijën e parë vetë komandanti i operacionit për të detyruar kështu mercenarët dhe ushtrinë e milicinë tjetër fashiste, që refuzoi të luftonin më tej, të ktheheshin për kundërsulm të vendosur. Mbas kësaj tentative që ish dhe përpjekja e tij e fundit, kishin lënë të vdekur komandantin e operacionit Kolonelin Franko Kelmendin. Po këtë fat kish pasur dhe nipi i bajraktarit Halil Halisë. Komanda e forcave luftëtare kur pa se ishte arritur plotësisht qëllimi dhe, vazhdimi i mëtejshëm i luftës frontale nuk do të kishte më dobi, dha urdhër për tërheqje nga vija e frontit, por të qëndronim të organizuar dhe në gatishmëri. Lufta e Gjormit mbeti në histori si e para epope frontale kundër pushtuesve dhe tradhtarëve të vendit tonë. Forcat luftëtarë u tërhoqëm nga vija e parë e frontit të luftimeve, por qëndruam në fshatin më të afërt, Velçë, për çdo të papritur që mund të ndërmerrte armiku dhe pas disfatë që pësoi. Më datë 3 janar 1943 u pa qartë se armiku hoqi dorë përfundimisht nga ajo që kish nisur e përpjekje tjetër, që edhe pritej, nuk dukej më. Forcat e “Shullërit” u ngjitën në buzat e lumenjve, gjithnjë të organizuar dhe morën kështu rrugën e kthimit për në shtëpitë e tyre, por pa hequr pushkën nga krahu.

Përfundime nga beteja
Në këtë luftë armiku u zhgënjye, u gjend përpara të papriturave. Humbjet e armikut, sipas dokumenteve të mirënjohura, ishin të pallogaritshme 60 të vrarë e të plagosur mbi 200 veta, që arrijnë në 260 vetë. Disfata për armikun ishte politike dhe u detyrua të hiqnin dorë jo vetëm nga ky operacion, por edhe nga përgatitja tjetër, si vazhdim i të parit, që mendonin ta rifillonin më 6 janar 1943. Kësaj radhe vjen në krye komandanti me përvojë, gjeneral Xaninin, Komandantin e Forcave të Sigurimit në Shqipëri. Armiku mendoi se vazhdimi i operacionit do të pësonte pa dyshim fatin e parë dhe, gjeti një rrugë tjetër, duke vrarë si “fajtorë” për disfatën, Qazim Koculin dhe prefektin e Vlorës, Lale Koçin dhe disa ditë më vonë, më 12 janar, hoqën dhe kryeministrin kuisling Mustafa Krujën. Manovrimet e luftëtarëve ishin të shpejta, të kombinuara me prita, me goditje dhe befasi të sulmit, i hoqën armikut që në fillim iniciativën, jo vetëm taktike, por edhe operative. U demonstruan të gjithë karakteristikat e një lufte popullore, ku shpërtheu vrulli dhe heroizmi i masave popullore. Armiku u ndesh para shumë të papriturave që nuk i përballoi dhe e shpunë drejt katastrofës së plotë dhe të pashmangshme të tij. Nga forcat luftëtare u vranë 7 trima, shumica e tyre komandant çetash territoriale dhe deri në 15 të plagosur. Forca kolosale e masave popullore të udhëhequra nga Hyni Apo, mobilizoi dhe organizoi veprime të guximshme të fitores së Luftës së Gjorit.
Sigal