Luan Rama: Në Paris mbijetoi fryma e rezistencës, e revoltës ndaj barbarisë

511
Sigal

Intervista/ Shkrimtari Luan Rama: Na duhet një “Patriot Act” për Europën, të paktën për situatën që jetojmë…

Shkrimtari Luan Rama, i cili jeton në Paris, na përcjell me intervistën për “Telegraf”  ndjenjat që përjetoi pas sulmit terrorist në gazetën franceze, për më tepër, edhe si një njeri i letrave dhe i penës. “Ajo që mbizotëroi në atë marshim unë do ta përmblidhja përmes fjalëve franceze «début» dhe «resister», pra «në këmbë» dhe «të rezistojmë»”. Ndërsa, sipas shkrimtarit Luan Rama, “ qëndrimi i mediave, si dhe i politikës në gjithë spektrin e vet, është i njëjtë: asnjë amalgamë me Islamin”.

– Zoti Luan Rama, si i përjetuat ngjarjet terroriste në Paris, ku ju jetoni?

– Ngjarjet e ditëve të fundit në Paris, që nga aktet kriminale e deri në manifestimin historik të 11 janarit, i përjetova si çdo francez, duke qenë i pranishëm që natën e parë në “Sheshin e Republikës”, për çka botova dhe një shkrim me titullin «Place de la République është në zi». Ndjeja njëkohësisht një revoltë të brendshme, ashtu si çdo qytetar tjetër i botës së lirë e të qytetëruar, i botës së të Drejtës, Lirisë, Demokracisë, pasi, ashtu si francezët, edhe ne jemi mbrujtur me ndjenjën republikane, me respektin ndaj besimeve dhe vlerat universale të humanizmit. Sot është koha për t’u ngritur, që të mbrojmë të sotmen dhe të ardhmen tonë. Pra, ishte ndjenja e përbashkët që kisha me atë lum njerëzor që marshoi në atë manifestim që Franca, por dhe Europa nuk e kishin parë kurrë.

– A do të jetë tashmë Franca, por edhe Europa, ndryshe, pas këtyre akteve terroriste?

–  Dua të kujtoj thjesht një detaj: pas botimit të karikaturave në gazetën daneze, që përqeshnin fanatikët integristë të Islamit, pra të Profetit Muhamet, mijëra integristë shpërthyen në rrugët e Kopenhagës, me thirrjen për ta bërë atë vend, një vend të Islamit, të «sharias», etj, ndërkohë që në Indonezi therej ambasadori danez. Me ngjarjet e fundit ka një tjetër ndërgjegjësim, si për Francën, kësaj radhe viktimë e integrizmit, por dhe për gjithë Europën, e cila gjithnjë e më shumë po vihet përballë një sfide të re. Na duhet një “Patriot Act” për Europën, të paktën për situatën që jetojmë… Dhe kjo duke filluar që me koordinimin e shërbimeve informative, reformën penale dhe neutralizimin e faqeve në internet, që bëjnë apologjinë e krimeve në emër të Islamit.

 – A shikoni te qytetarët francezë ndjenjën e islamofobisë?

– Vitet e fundit kanë spikatur në Francë fenomene e akte integriste si me terroristët Kenkal, Merah, Nemushi, e së fundi këta të ditëve të fundit, Kerushi e Kubali që kanë deklaruar se veprojnë në emër të xhihadit dhe me urdhër të Alkaidës, apo Shtetit Islamik. Kur «Charlie Hebdo» ribotoi karikaturat e gazetës daneze mbi fanatikët e Islamit, që vepronin në emër të Muhamedit, nën drejtimin e imamëve dhe të strukturave drejtuese të komunitetit mysliman, njerëzit e këtij komuniteti vërshuan nëpër rrugë të ndryshme të Francës, duke hedhur parulla kërcënuese e të rrezikshme për shtetin francez. Islamofobia, si fenomen i përgjithshëm nuk ekziston në shoqërinë franceze, por qytetarë të shumtë kanë pikëpyetje mbi ardhmërinë e shoqërisë franceze, çka e shohim dhe me romanin e fundit të shkrimtarit  të njohur francez Helbek, me titullin «Nënshtrim». Me marshimin e miliona qytetarëve në rrugët e Francës, ku qindra milionë e shikonin veten si “Charlie”, duket se do të ketë një ndërgjegjësim për të mos bërë një amalgamë midis terrorizmit dhe islamizmit, dhe për të eliminuar krisjet brenda strukturës së shoqërisë franceze. Ishte e jashtëzakonshme të shikoje hebrenj dhe myslimanë francezë të thoshin së bashku «shalom» dhe «salam»; të dëgjoje një hebre që përqafonte në krahët e tij dy imamë, duke thirrur: “Ja, kjo është Franca!”…

– Cili ka qenë reagimi i medias franceze?

– Reagimi i medias franceze ka qenë i jashtëzakonshëm, direkt dhe mjaft profesional, duke u angazhuar totalisht dhe në mënyrën më perfekte të saj. Ishte dhe është media ajo që përcolli e përcjell opinionet, që ballafaqon pikëpamjet, që sjell në ekran apo në letër zërin qytetar, duke vlerësuar aktet pozitive; duke treguar rrënjët e së keqes së madhe dhe itinerarin e terroristëve, indoktrinimin e tyre etj, duke treguar se ata njerëz nuk lindën terroristë, por u bënë të tillë.

–  Mendoni se do të kenë sadopak ndikim në lirinë e fjalës te media franceze, këto akte terrorizmi?

– Padyshim, prandaj është dhe ky angazhim i paparë në historinë e mediave franceze. Akti i parë ishte vazhdimi i botimit të gazetës humoristike “Charlie Hebdo” dhe angazhimi i gjithë inteligjencës, përfshi këtu dhe myslimane, në debatin e madh të së ardhmes. Këto ditë të gjithë artistët, shkrimtarët, filozofët etj, kanë adresuar gatishmërinë e tyre për t’i shërbyer medias në përçimin e ideve humaniste dhe anti-integriste. Në televizione, çdo ditë ndjekim debatet me angazhimin e intelektualëve më të mëdhenj të Francës, ndjekim shkrimet në gazeta e revista të gazetarëve më të shquar, thua se të gjithë këta intelektualë një forcë e jashtëzakonshme i ka ngritur në këmbë.

Qytetarët franceze dhe media kë bëjnë përgjegjës të terrorizmit: ideologjinë islame apo fanatizmin dhe organizatat terroriste?

– Sigurisht, qëndrimi i mediave, si dhe i politikës në gjithë spektrin e vet, është i njëjtë: asnjë amalgamë me Islamin. Problemi kryesor është integrimi islamist dhe indoktrinimi. Ky është burimi i së keqes dhe ky duhet luftuar së pari në çdo vend të Europës, në aleancë me myslimanët e gjithë Evropës dhe të botës. Nuk mund të ketë “geto” islame, apo zona të së drejtës islame brenda hapësirave të një republike. Ligjet e Republikës duhet të ushtrohen kudo dhe njëlloj për të gjithë pavarësisht nga bindjet politike, fetare, etj.

– Marshimi i Paqes çfarë ndjesie manifestoi? Cila ndjenjë mbizotëroi te manifestuesit meqë dhe ju ishit pjesëmarrës?

– Ajo që mbizotëroi në atë marshim unë do ta përmblidhja përmes fjalëve franceze «début» dhe «resister», pra «në këmbë» dhe «të rezistojmë». Madje qindra mijëra manifestues i kishin të shkruara këto fjalë në trupat e tyre. Ishte një referencë e thënies së drejtuesit të “Charlie Hebdo”, të kërcënuar me vdekje, që shprehej se, “më mirë të vdes në këmbë, sesa i gjunjëzuar”. Pra, mbijetoi fryma e rezistencës, e revoltës ndaj barbarisë. Të gjithë që dolën në këtë manifestim, apo dhe ata dy milionë të tjerë në qytetet e tjera të Francës, apo dhe fshatra të humbura, kishin të njëjtën ndjesi që i shtynte të marshonin, për t’u bashkuar njësh në idenë republikane, jo vetëm të mbrojtjes së fjalës së lirë, por dhe për të dëshmuar kundër anti-semitizmit, racizmit, integrizmit. Me flamurin francez dhe shqiptar në dorë, krahas flamujve të tjerë britanikë, tunizianë, kanadezë, senegalezë, turk, etj, ne marshuam për të dëshmuar përkrahjen tonë të patundur me popullin francez. Ishte interesante se shumë francezë e njihnin flamurin tonë. Madje, një njeri i moshuar na u afrua dhe na foli shqip, duke na thënë se në vitin 1997 kishte qenë me operacionin “Alba” në Shqipëri. “Bravo Shqipëria!” – na thoshin të tjerë. Padyshim, që marshimi i krerëve fetarë shqiptarë, duhet të mbështetet me qëndrime të forta të shtetit dhe opinionit publik ndaj çdo fenomeni integrist, që mund të ndodhë në Shqipëri. Mbi të gjitha, ashtu si në Francë dhe në botën e qytetëruar, është Republika dhe principet themelore të demokracisë!

– Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA